Një shans edhe për ata që shkuan në Siri e Irak, për të njollosur Kosovën

Një shans edhe për ata që shkuan në Siri e Irak, për të njollosur Kosovën

13:07, 21/04/2019

Nga Enver Robelli.

Autoritetet e Kosovës kanë lejuar kthimin në atdhe të mbi 100 shtetasve. Mes tyre ka kriminelë, por edhe viktima. Gjyqësia, policia dhe sidomos shërbimi sekret i Kosovës gjenden para një detyre të vështirë dhe të rëndësishme. Njëkohësisht partitë politike duhet të mendojnë për miratimin e një ligji që ua merr shtetësinë atyre që në të ardhmen shkojnë në luftëra të huaja. Kyçja e ekstremistëve shqiptarë në luftën e Sirisë duhet të merret si shkas për një ashpërsim radikal të masave shtetërore kundër çdokujt që në të ardhmen i pëlqen të hidhet në aventura terroriste.

Është një simbolikë pothuaj e padurueshme. Më 1999 avionët amerikanë bombardonin forcat serbe për të çliruar Kosovës nga prangat e Beogradit. 20 vjet më vonë shohim një avion ushtarak amerikan që aterron në Prishtinë me të dyshuar për terrorizëm në Siri e Irak, me gra që shkuan atje vullnetarisht ose nën presionin e burrave, me fëmijë që këto gra i kanë marrë me vete ose me fëmijë që i kanë lindur atje.

Në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministria e Drejtësisë dhe Policia e Kosovës kanë koordinuar këtë aksion, duke sjellë nga Siria në atdhe 110 shtetas të Kosovës. Katër të dyshuar për terrorizëm janë arrestuar menjëherë, ndërsa të tjerët po mbahen në një qendër ndalimi. Sipas ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, në Siri kanë mbetur edhe 87 shtetas të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës kanë vendosur t’u japin një shans edhe këtyre njerëzve që shkuan në Siri e Irak për të njollosur Kosovën. Ky është një vendim i vështirë, por i  përgjegjshëm i qeverisë së Kosovës. Disa vende perëndimore po refuzojnë t’i pranojnë shtetasit e tyre, duke ua lënë barrë forcave kurde, të cilat kanë dhënë një kontribut të madh në asgjësimin e mbeturinave të fundit të bandës kriminale e terroriste të quajtur «Shteti Islamik». Kosova ka vendosur të marrë përsipër obligimet e veta që burojnë nga e drejta ndërkombëtare.

Jo të gjithë këta njerëz që janë kthyer paraqesin rrezik për sigurinë në Kosovë, por gjithsesi mes tyre mund të ketë të tillë që ëndërrojnë t’i kthehet zanatit vrastar që kanë ushtruar në Siri dhe ndoshta edhe në Irak. Gjyqësia, policia dhe sidomos shërbimi sekret i Kosovës gjenden para një detyre të vështirë dhe të rëndësishme. Këta njerëz gëzojnë shansin të integrohen në shoqëri nëse i respektojnë ligjet e këtij vendi.

Ata për të cilët ka dëshmi se kanë marrë pjesë në veprime të drejtpërdrejta terroriste duhet të marrin dënimet e merituara. Në vitin 2015 Kosova miratoi një ligj që parasheh dënim me burg deri në 15 vjet për ata që marrin pjesë në lufta të huaja. Ky ligj duhet të precizohet dhe ashpërsohet: kush merr pjesë në luftëra të huaja e humb menjëherë shtetësinë.

Një ligj i tillë po diskutohet në Gjermani. Kosova duhet të ngutet të miratojë një ligj të tillë. Çdo person i moshës madhore që i bashkohet një bande vrastare e terroriste duhet ta dijë se shtetësinë e Kosovës nuk mund ta shfrytëzojë si mburojë për ta njollosur shtetin. Të jesh shtetas i një vendi domethënë jo vetëm të kesh një pasaportë për të udhëtuar, por ke edhe obligim të respektosh ligjet, rendin dhe vlerat demokratike. Kush i bashkohet një trupe të huaj, ai automatikisht heq dorë nga lojaliteti ndaj shtetit të Kosovës dhe lojalitetin e tij ia falë një force a shteti tjetër.

Si shoqëri duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që rastet si ky i Sirisë të mbahen mend vetëm si aksident i tmerrshëm në historinë tonë më të re. Meqë në tërë këtë tmerr e ashtuquajtura Bashkësi Islame e Kosovës nuk ka qenë në nivel të detyrës, shteti duhet të jetë më rigoroz edhe ndaj kësaj organizate dhe të kërkojë përgjegjësi edhe prej saj. Po ashtu është urgjentisht e nevojshme që në diasporë të ketë imamë të autorizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, sepse momentalisht çdo idiot përzien çorbën e tij ekstremiste dhe hiqet si imam e predikues.

Gjithashtu është nevojë urgjente që mediat të ndërpresin praktikën e dhënies hapësirë disa imamëve (në të vërtetë mashtruesve fetarë), të cilët kanë agjenda të rrezikshme politike dhe pothuaj çdo ditë bëjnë thirrje për imponim të tabiateve mesjetare në një shoqëri që ka aspirata të bëhet pjesë e familjes europiane. Lajmet me titull «Hoxha Hamam Hamami thotë se Kurani e lejon që burri të rrahë gruan» nuk duhet të gjejnë vend në media.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco