Operacioni 'Shigjeta', lufta për Kosharen dhe Pashtrikun

Operacioni 'Shigjeta', lufta për Kosharen dhe Pashtrikun

09:32, 17/04/2019

Nga Jakup Krasniqi

Pas fillimeve të bombardimeve të NATO-s mbi objektivat ushtarake e policore serbe dhe dëbimeve të shqiptarëve të Kosovës nga trojet e veta, jam angazhuar në organizimin e shqiptarëve për hyrje në mënyrë të organizuar në Kosovë dhe formave të tjera të organizimit ushtarak.

Një pjesë të aktivitetit tim gjatë asaj kohe është pasqyruar në TVSH-në, mediumi i vetëm gjithëkombëtar, që me gjithë dobësitë, për fajin e ekipit tonë (kosovar), ka pasur ndikim të madh për opinionin e gjerë shqiptar.

Fillimisht, gjatë qëndrimit në Shqipëri jam përpjekur të bëj bashkimin e trupave që gjendeshin në pjesën veriore të Shqipërisë, ato të Rrethit të Hasit e të qytetit Bajram Curri.

Forcat e Hasit ishin nën komandën e Xheladin Gashit, ndërsa ato të Papajt ishin nën udhëheqjen e Rrustem Berishës dhe Nasim Haradinajt.  Ky grup përbëhej kryesisht nga ushtarë e ushtarakë të Rrafshit të Dukagjinit, që pas ofensivës së verës 1998 kishin bërë tërheqje taktike në Shqipëri.

Po të shikohet ajo që ka ndodhur me ta në verën e vitit 1998, dërgimi i njerëzve për t’u armatosur pa ndonjë kontroll, e sidomos dorëzimi i armëve, (falë zotit që kjo dukuri na ka ndodhur vetëm në Zonën e Dukagjinit dhe në një Brigadë të Sufrekës) gjatë ofensivës serbe, vërtet është mirë që e tillë nuk ishte e tërë UÇK-ja, sepse ajo do të zhbëhej si ushtri.

Dezertimi, ikja nga fronti i luftës, fshehja, dorëzimi i armëve etj. tregon për dëmet që i janë bërë luftës nga brenda. Kjo na detyronte të armatosim përsëri këtë zonë. Mbetja e një duzine ushtarësh në kohën e ofensivave të gusht shtatorit 1998 në ZO të Dukagjinit tregon se sa është dëmtuar lufta nga brenda, nga mosdija dhe frika. Sa herë duhej armatosur kjo zonë, sa herë duhej ribërë ushtrinë në këtë zonë? Luftën tonë, nga ana tjetër, e kanë dëmtuar nga bota e perëndimit ata që për luftën kanë mësuar vetëm përmes ekraneve të TV-ve të huaja. Këta nëse nuk kanë kurajë të thonë ndonjë fjalë miradije për luftën, për organizatorët dhe udhëheqësit e saj, për fitoren që po e gëzojnë të gjithë, së paku të heshtin do të kishte qenë më mirë edhe për nderin e tyre, nëse fare e kanë.

Gjatë kësaj kohe, gjithë veprimtarët politikë dhe ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë shtuar aktivitetin e tyre të mundshëm në shërbim të luftës që zhvillohej në Kosovë. Ishte një e metë e mekanizmave tanë në Shqipëri, sepse ata nuk kishin arritur të strukturoren sa duhet, nuk kishin një ndarje të përgjegjësive dhe nuk kishin arritur një legalizim të merituar.

Edhe pse në këto kushte e rrethana mjaft të vështira, ata kishin arritur të punojnë shumë, madje dhe jashtë mundësive të tyre. Kërkesat dhe kritikat, sidomos ndaj të tjerëve gjithnjë janë më të lehta. Edhe unë fillimisht i kam kritikuar, por pas shumë përpjekjeve të pasuksesshme të një legalizimi, kam parë se mënyra e punës që kanë zgjedhur ata ka qenë më e mira e mundshme.

Vullnetarë të shumtë disa muaj kishin ushtruar në Shqipëri dhe në kohën e fundit po tregonin gatishmëri për t’u kthyer në Kosovë. Kisha njohuri të mjaftueshme se ky grup, që përbëhej prej 200- 250 ushtarëve, ishin të pakënaqur me eprorët e lartë të tyre, që po e zvarritnin hyrjen në Kosovë, që ishin bërë faktor pengimi i luftës dhe i bashkimit.

Grupi kishte dhënë shumë shenja afrie dhe gatishmërie për të hyrë në Kosovë, por nuk kishin mjete të nevojshme thoshin ata. Si po shihet „Ministria e Mbrojtjes“ me në krye Halil Bicin e Bujar Bukoshit me seli në Laprakë, nuk kishte arritur t´i pajisin këta pak ushtarë as me radiolidhje. Kjo do të thotë se ata “eprorë” nuk ishin të interesuar të hynin në Kosovë e të luftonin kundër armikut.

Para se të nisesha për në Popaj apo Babinë ku gjendeshin ata, e pashë të nevojshme të konsultohesha edhe me dy persona, me Nesim Haradinin nga Gllogjani dhe me Babushin – gjeneralin që ishte përkrahës i pakursyer i luftës sonë nga Shqipëria. Dhe që të dy ishin të bindur se grupi i përmendur kishte kohë që kishte treguar shenja afrie e gatishmërie për të luftuar për Kosovën. Unë u thashë se do të shkoj që të bisedoj me ata të ashtuqujtur Ministri e Mbrojtjes me seli në Laprakë të Tiranës, dhe nëse janë të gatshëm të luftojnë në Kosovë për lirinë dhe pavarësinë e saj, si çdo ushtar tjetër i UÇK-së, duke pranuar komandën e lartë të SHP të UÇK-së, do t´u krijojmë të gjitha kushtet e mundshme për veprime operative.

Në veri të Shqipërisë, në Kukës, Has e Tropojë shkova pas bombardimeve të para të NATO-s mbi caqet serbe dhe pas valës së parë të shqiptarëve të dëbuar dhunshëm nga trojet e tyre, nga Kosovë.

Në Kukës kisha qenë edhe një herë tjetër, ku isha njoftuar me gjeneral "Babushin“ – Kudusi Lamën. Vërtet ishte babaxhan. Te ai pashë jo vetëm një ushtarak të përgatitur profesionalisht, por edhe të ndërgjegjësuar politikisht dhe kombëtarisht. Kisha një frikë se shokët tanë që kishin kontaktuar më shumë me të nuk kishin shfrytëzuar profesionalizmin, gatishmërinë dhe përvojën e tij tepër të çmuar ushtarake. Mbi të gjitha ishte trim dhe i vendosur për të ndihmuar UÇK-në.

Pas bombardimeve të NATO-s dhe valës së parë të refugjatëve tek unë po përzihej gëzimi me shqetësimin: gëzohesha për bombardimet që bënin avionët e "UÇK-së“ (fjala është për aeroplanët e NATO-së mbi Beograd dhe qytete të tjera serbe), e shqetësohesha për zhvendosjen biblike që po i bëhej popullit shqiptar.

Në Cahan (fshat në Has të Shqipërisë), shumë afër kufirit shqiptaro-shqiptar, u fola disa ushtarëve dhe ushtarakëve tanë, për detyrat që në rrethanat konkrete na dilnin përpara. Dhe detyrë mbi detyrë për çdo shqiptar që e kupton detyrën e tij ishte: të ishte ushtar i lirisë. Për shqiptarët kudo ku ishin, detyrë më fisnike në ato momente nuk kishte.

Pasi bujtëm një natë në Has

Pasi bujtëm një natë në Has, te Xheladin Gashi, të nesërmen në mëngjes, unë me “Dervishin” (ishte pseudonimi i Burim Murmullakut), nisemi për në Papaj, për në shtabin e Rrustem Berishës. Me ne ishte edhe Nesim Haredini. Diku kah mesdita pas një rruge të gjatë e të mundimshme arritëm në vendin e dëshiruar. Atje na pritën disa ushtarakë, Agim Ramadani, Anton Çuni etj. Në ndërkohë ka ardhur dhe Rrustem Berisha.

Na kanë pritur shumë mirë. Për të biseduar nuk na është dashur ndonjë hyrje, as ndonjë bisedë kurtuazie, që zakonisht do të duhej të bëheshin në raste të tilla. Kemi hyrë drejt e në temë. Qe në fjalët e para theksova se situata në Kosovë është e tillë, sa nuk di se edhe çka tjetër duhet të ndodhë që ne të shkojmë atje, të jemi atje ku na thërret zëri i popullit dhe i Atdheut.

U kam thënë se Kosova ka nevojë për të gjithë ata që janë të gatshëm të luftojnë e të flijohen për fitore. Kërkesa ime ka qenë e qartë: ata kishin ushtruar që sa kohë, ishin mirë të përgatitur, nuk u mungonte as teknika e domosdoshme e luftës, duhej që së bashku me forcat tjera që kishim në Shqipëri të niseshin për në Kosovë, qoftë duke hapur edhe një front të ri. Me të gjitha kërkesat e mia kanë qenë dakord. Janë pajtuar që të jenë nën komandën e SHP të UÇK-së dhe të Ramush Haredinajt si komandant i ZO të Dukagjinit. Ua dhashë lidhjet me Bislim Zyrapin shefin e SHP dhe Ramushin, komandantin e ZO të Dukagjinit.

Rrustem Berisha nga unë ka kërkuar “gulinovin” snajper 12.7 mm, radiolidhje dhe municion. “Golunovin” Snajperin 12.7 mm nuk kemi mundur t´ia sigurojmë, ndërsa radiolidhjet dhe municionin i kemi siguruar, e sidomos municionin me sasi të mjaftueshme. Dhe është i vetmi vend ku municioni nuk është bartur vetëm me supe të ushtarëve e të mushkave, por edhe me mjete tjera të transportit.

Para se të ndahesha nga Rrustem Berisha i kam thënë: Ti do të jesh Komandanti që do të udhëheqësh aksionin e hyrjes në Kosove (nga Koshara). Kohën, vendin dhe gjithë sistemin e komandimit do ta caktosh me shtabin e njësisë. Përgjegjësia dhe pasojat do të bijën mbi ju. Kurse lidhjet me furnizim, si me ushtarë e municion i ka pasur me Xheladin Gashin. Se sa e si e ka zgjedhur vendin e depërtimit, është çështje e ushtarakëve kur ta analizojnë luftën e Koshares dhe ta japin fjalën e tyre. Grupi Special, që më vonë do të quhet Brigada 138 – „Agim Ramadani“,i cili bie heroikisht si gjithë luftëtarët tjerë të Brigadës 138 në luftimet e Koshares, gjatë gjithë kohës ka pasur sasi të mjaftueshme të municionit. Sasi që pjesët tjera të UÇK-së as kanë pasur mundësi ta ëndërrojnë. ?

Në kohën e drekës kemi shkuar dhe kemi drekuar së bashku me ushtarët, kjo nuk ndryshonte në cilësi nga ushqimi i ushtarëve tanë para bombardimeve. Kështu ishte atë ditë, dhe mund të them se ishte mirë, por nuk di se a ishte vazhdimisht ashtu. Po them: nuk di a ishte ashtu, se gjatë kohës sa luftohej në Koshare vinin ushtarë e njerëz që e vizitonin atë territor të lirë dhe kishin vërejtje për mënyrën e komandimit, të ushqimit e deri në dërgimin e ushtarëve në front. Kështu atë ditë me këta ushtarakë kemi zhvilluar një bisedë mjaft të përzemërt dhe vëllazërore, gjithnjë në interes të luftës për liri. Ky grup ushtarak që më vonë është shndërruar në Brigadë, në fillim përbëhej kryesisht nga ushtarët e Dukagjinit që ishin larguar pas ofensivës së verës 1998, gjersa më vonë aty janë inkorporuar ushtarë nga anë të ndryshme të Kosovës.

Ushtarë që i ishin përgjigjur thirrjes së QPK-së dhe SHP të UÇK-së, punëtorë dhe veprimtarë politikë që kishin lënë jetën e rehatshme të perëndimit dhe ngjeshën armët e lirisë, si ishte rasti i Xhemajl Fetahut dhe i shumë dëshmorëve tjerë të UÇK-së. Xhemajl Fetahu ishte veprimtar i vjetër i lëvizjes politike klandestine, vinte nga radhët e ish të burgosurve politik.

Zëvendëskomandanti ishte nga Zhegra e Gjilanit, kurse i ngarkuar për informim ishte gazetari Milaim Zeka i Drenicës, aty ishte edhe Anton Çuni i Hasit etj. Në Koshare dhe Pashtrik, nga njerëzit e uniformuar ishte krijuar një Shqipëri Etnike në miniaturë.

Nuk di për ç´arsye, por ky formacion është vonuar bukur gjatë deri në fillim të aksionit. Në këtë kohë në SHP të UÇK-së ishte duke u përpunuar aksionin "Shigjeta“ që do të përgatitej nga ushtarët tanë që i kishim në Shqipëri dhe ata që do të vinin nga perëndimi pas shpalljes se Mobilizimit të Përgjithshëm.

Koshara ishte fillimi i „Shigjetës“, pastaj do të vazhdohet me depërtimet në zonën e Pashtrikut. Operacioni „Shigjeta“, ishte përgatitur nga SHP I UÇK-së dhe më vonë, pas formimit të QPK edhe nga Ministria e Mbrojtjes.

Nga Ministria e Mbrojtjes është caktuar Fatmir Lima, ndërsa nga SHP I UÇK-së, Bislim Zyrapi. Operacioni „Shigjeta“ edhe përkundër sukseseve, nuk ka arritur objektivat e tija për shkak të pengesave e vonesave në armatim etj. Duhet cekur se e tërë Ministria e Mbrojtjes e QPK-së ishte e angazhuar në organizimin e këtij aksioni, ndoshta ndër më të mëdhenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Pas meje (pasi është vonuar sulmi) atje ka shkuar edhe Ministri i Mbrojtjes në QPK, Azem Sylaj.

Herën e dytë, kur ka shkuar ka filluar Operacioni Shigjeta“ për thyerjen e kufirit, ku tërë kohën ka qenë i pranishëm. Kjo Brigadë ka zhvilluar luftime të suksesshme, armikut i ka shkaktuar humbje të mëdha, por objektiven e saj kryesor nuk ka arritur ta realizojë. Objektiv ka pasur hapjen e një korridori, që do të bënte lidhjen me hapësirat tjera të lira dhe dërgimin e municionit për zonat tjera të luftës. Kjo nuk u bë sepse armiku përqendroi forca të mëdha, të cilat nga NATO – ja nuk u goditën, gjersa forcat tona në Koshare u goditën katër herë “pahiri”.

Pas goditjes se katër në Koshare, ne Tiranë erdhi Naim Maloku, i cili nga Rrafshi i Dukagjinit ishte tërhequr në Koshare, dhe mjaft i shqetësuar më njofton se për të katërtën herë forcat tona në Koshare ishin sulmuar nga avionët e NATO-s.

Nga lufta ishin nxjerrë mbi 60 ushtarë, në mesin e tyre kishte mjaft edhe të vdekur. Unë kisha dëgjuar edhe për sulme tjera të avionëve mbi Koshare në pozicionet tona, por ishin dhënë në ndonjë rast si sulme të forcës ajrore serbe Në fakt edhe unë po ndjehesha i shqetësuar, ç´ishte në pyetje? Mos ishte ndonjë gabim në dhënien e koordinatave?

Naimi shfaqte ndonjë dozë dyshimi, në dhënien e informatave për koordinata

Kisha një dozë dyshimi se shqiptaret nga anë të ndryshme mund të japin informata, por marrësi duhej të shërbehej vetëm nga një burim.

Dyshimet e mia nuk shkonin më tej. Dyshimet e Naimit shkonin më larg. Mua më thoshte mendja se diçka tjetër duhej të kishte këtu.

Në ndonjë bisedë me të huajt kisha arritur të nxjerr nga nënteksti i bisedës se kishte qarqe të caktuara në Evropë që nuk dëshironin që UÇK të dilte e fortë nga lufta. Animi i tyre edhe atëherë ishte për pacifizmin. Si duket hapja e korridorit për ndonjë anëtar të NATO-s nuk ishte e dëshiruar.

Unë kërkova kontakt me përfaqësuesin e Steit Departamentit të SHBA-ve dhe brenda një kohe të shkurtër rashë në kontakt me të dhe e njoftova për rastin e Koshares. Në mes të tjerash i thashë: se mund të konsiderohet gabim një herë, edhe dy herë, por tre dhe katër herë nuk mund të janë të rastësishme. I them se si ka ardhur deri të kjo nuk e di, por unë dyshoj se kjo është e qëllimshme. Gabimet nuk janë përsëritur më.

Sipas një njoftim në këtë kohë Gjeneral Klarku e merr komandën në duart e veta. Kjo si duket është njëri nga faktorët që e detyron Miloshevicin të nënshkruajë marrëveshjen, ndoshta për faktin se tani i mungonte burimi i informimit. Me gjeneral Klarkun dy here jam takuar gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë e të Parisit.

Që në takimin e parë në selinë e NATO-s në Bruksel, te ky personalitet kam parë jo vetëm ushtarakun, por mbi të gjitha, kam parë politikanin dhe humanistin e përgatitur gjithanshmërisht për të mbrojtur një frymë të re filozofike në dobi të njerëzimit dhe të ardhmërisë se tij. Gjeneral Klarku, duke qenë në krye të NATO-s, në 50 - vjetorin e themelimit të saj, nuk qe vetëm shpëtimtar i shqiptarëve të Kosovës, por edhe mbrojtësi më i madh moral i NATO-s dhe i vlerave të qytetërimit perëndimor. Sigurisht që këtu kishte edhe interesa gjeo-strategjike. Klarku ishte luftëtari më i vendosur kundër Holokaustit të organizuar milosheviqian. Këtë do të mund ta bënte vetëm njeriu që ka përvetësuar në qenien e tij vlerat kulmore të humanizmit, të filozofisë se shekujve dhe artit modern ushtarak, që e njihte tepër mirë.

?Në rrethana tepër të vështira të krijuara pas bombardimeve, lidhjet me SHP të UÇK-së dhe „Kosovapressin“ nuk i ndërpremë kurrë. Kosova brenda natës mbeti pa gazetat dhe agjencitë e „demokracisë“. Në Kosovë vazhdoi të dëgjohej zëri i pushkëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i Radios „ Kosova e Lirë“ dhe i Agjencisë së lajmeve „Kosovapress“. Këto ishin institucionet e popullit shqiptar, institucionet e luftës e të pavarësisë, që edhe gjatë holokaustit, vazhduan ta njoftonin popullin shqiptar, ta njoftonin botën me atë që po ndodhte në Kosovë. Në botë ato ditë agjencia më e kërkuar ishte „Kosovapressi“.

Asnjë gazetë ne Kosovë s´mund të zëvendësonte Agjencinë „Kosovapress“, ndoshta për faktin se imixhi i saj është arritur në ditët e luftës, në ditët më të vështira për Kosovën dhe popullin e saj. „Pandan“ i saj ishte edhe Radio Kosova e Lirë, e cila po vazhdon punën në rrethana të reja, por me vështirësi të shumta.

?Barbaria serbe e cila pas bombardimeve të NATO-s, mori një fushatë të gjerë dhe të egër për pastrim e fshirje etnike të Kosovës. SHP i UÇK-së e më vonë edhe të QPK-ja, shpallin një mobilizim të përgjithshëm (31 mars 1999), fillimisht për shqiptarët që gjendeshin në botën e jashtme. Për këtë ishim marr vesh edhe me SHP të UÇK-së si dhe me mekanizma të caktuar të Shqipërisë, të cilët duhet t´na jepnin ndihmën konkrete. Fillimisht u morëm vesh që t´i kemi së paku dy qendra të mëdha stërvitore, ku ata që do të rekrutoheshin si ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të ushtronin 10-15 ditë.

Gjatë këtyre 10-15 dite do të kishin ushtrime të vazhdueshme taktiko-ushtarake, ku do t´i merrnin njohuritë e para e të nevojshme për përdorimin e armëve. Kështu ne kishim planifikuar, por kështu nuk na ndodhi.

Qendrat stërvitore vërtet u bën, por në to u grumbullua një numër i madh i ushtarëve. Numri i ushtarëve në dy qendrat stërvitore kalonte numrin 5000-6000, ndoshta kishte edhe më shumë. Këta ushtarë në kohë të duhur nuk arritëm t´i armatosim. Kështu koha stërvitore u zgjat nga 15 në 45-50 ditë. Ishte shqetësues fakti se edhe në rrethana të tilla, kur toka e Kosovës digjej flakë, gjendeshin njerëz që dinin të fusnin në mesin e ushtarëve në forma të ndryshme pakënaqësinë dhe format tjera të luftës speciale. Urdhri për mobilizim u lëshua më 31 mars 1999.

Opinioni publik u njoh përmes TVSH – programit satelitor. Përgjigjja ishte mjaft masive, sidomos nga vendet e Evropës Perëndimore dhe SHBA. Me gjithë ndonjë pengesë që hasëm aty - këtu, e që faji ishte i njerëzve tanë se mobilizimin e bënin me pompim më të madh se sa e kërkonte momenti. Nga të gjitha vendet e Evropës kishim një ndihmë e përkrahje të dëshirueshme nga mërgimtarët. Në Durrës ekzistonte qendra për pritjen e rekrutëve që vinin nga perëndimi, prej nga dërgoheshin në qendrat stërvitore.

?Për këtë formë të organizimit nuk kishim bërë ndonjë përgatitje serioze. Sigurisht që kishte të meta dhe dobësi, por edhe ishim të vetëdijshëm se për bashkëkombësit tanë, (që ishin mësuar me standardin jetësor të perëndimit, nëse ata nuk do të ishin paraprakisht të ndërgjegjshëm se ku po shkonin dhe pse) ndonjë kusht jetësor për të qenë në qendrat stërvitore nuk do t´ua krijonim. Nga shteti dhe ushtria shqiptare kemi pasur shumë ndihma, por për punët tona ne nuk kemi qenë sa duhet të përgatitur. Këtu na kanë munguar përvoja, gjegjësisht njerëzit me përvojë. Madje ne fare nuk kishim bërë përgatitje paraprake për një masë të tillë. Ne nuk kishim kohë për të pritur, që t´i merrnim të gjitha masat përgatitore. Veprimet tona duhet të ishin të shpejta dhe të vendosura. Efektet e tilla nuk mbetën pa u vërejtur nga faktori relevant ndërkombëtar.

?Në kohën kur Kosova po boshatisej nën trysninë e bandave serbe, kur partitë politike dhe liderët e tyre ose ishin ikur me popullin duarthatë ose ndonjëri ishte bërë lodër e politikës se Millosheviqit, SHP i UÇK-së i jep kompetenca Kryeministrit që kishte dalë nga Marrëveshja e Rambujesë, z. Hashim Thaçi, që ta formojë Qeverinë e Unitetit Kombëtar të Kosovës, që u quajt QPK, për t´u bërë zëdhënëse e interesave të popullit shqiptar të Kosovës. Qeveria e Përkohshme e Kosovës e dalë nga Marrëveshja e Rambujesë dhe lufta, e krijuar në Malet e Berishës, sigurisht që nuk ishte zgjidhja më e mirë, e as në qeveri u zgjodhën më të mirët, por në ato çaste tepër të vështira për kombin – ishte zgjidhja e vetme. Qeveria e Përkohshme e Kosovës nuk ishte qeveri e ndonjë partie, para se gjithash ishte qeveri e dal nga lufta, nga gjaku dhe mbi bazën e një Marrëveshjeje që edhe ajo kishte aromën e gjakut.

Lufta e gjaku ishin faktorët kryesor që dërguan deri në Rambuje e Paris Delegacionin e Kosovës. Ata që vazhdonin të jetonin e të luftonin në Kosovë, në emër të popullit dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po i përshëndesnin dhe përkrahnin aksionet luftarake të Aleancës Veriatlantike mbi objektivat e infrastrukturën armike. Në këto përshëndetje të sinqerta me nderim të veçantë falënderoheshin: Presidenti i SHBA – Bill Klintoni, Kryeministri i Britanisë së Madhe - Toni Bler, Kryetari i Francës – Shiraku dhe udhëheqësit e Lartë të NATO-s – Solana dhe Klark.
?Në këto rrethana, mjaft të vështira për popullin dhe vendin tonë, u shkrova letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s z. Solana dhe Komandantit të NATO-s për Evropë, z. V. Klark dhe gjithë shteteve të NATO-s.

Në letër thuhej: "Lufta në Kosovë ka marrë përmasa të gjëra.

Populli i Kosovës përmes përfaqësuesve të vet politikë me kërkesën dhe përkrahjen e BN, BE e SHBA, pranoi dhe përkrahu Marrëveshjen Kalimtare të Rambujesë dhe e dha firmën në dokumentin përfundimtar, për paqe e vetëqeverisje demokratike në Kosovë. Regjimi kriminel i Beogradit jo vetëm që nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen, por ka ndërmarrë një fushatë shfarosëse të popullit të Kosovës. Populli i Kosovës dhe Ushtria e tij Çlirimtare ka përshëndetur dhe përkrahur aksionet e organizuara të NATO-s në caqet dhe objektet ushtarake serbe, por, edhe përkundër kësaj, terrori dhe masakrat serbe kanë marrë përmasa të paparashikueshme. Andaj në emër të popullsisë civile, grave, fëmijëve e pleqve, të dërgoni në Kosovën e djegur e të përgjakur, forcat tokësore të NATO-s ose të armatosni UÇK-në, të dërgoni ndihma humanitare, të jepni ndihmën tuaj të çmuar e vendimtare. Shpresojmë dhe besojmë se komanda e lartë e NATO-s, personalitetet udhëheqëse me ndikim siç jeni JU, kanë njohuri të mjaftueshme për krimet e shkatërrimet që po kryen makineria vrastare e Millosheviqit, e cila meriton ndëshkim meritor dhe të vendosur.

Besojmë se ndihma dhe përkrahja Juaj do të vendosë paqen dhe do të krijojë kushte për rikthimin e jetës normale në Kosovë. Shpresojmë se ndihma e juaj do të jetë vendimtare për shpëtimin e popullit të Kosovës nga dhuna, terrori dhe masakrat serbe. Ju përshëndesim dhe Ju falënderojmë për ndihmën dhe përkrahjen që po i jepni popullit të Kosovës“.

Kur e shkrova këtë letër, pra më 30 mars 1999 ende isha zëdhënës i SHP të UÇK-së. Nga bashkëkombësit tanë në botën Perëndimore kërkohej një mobilizim i përgjithshëm ushtarak e financiar. Bashkëkombësit njoftoheshin se tani në Kosovë po funksiononin: QPK-ja me kryetar Hashim Thaçin dhe SHP i UÇK-së. Kurse të tjerët kudo ku paraqiteshin thuhej në këtë deklaratë politike të SHP të UÇK-së, janë matrapaz e kriminel që kanë minuar e sabotuar luftën për liri, që kanë ndihmuar armikun në tragjedinë kombëtare. Po në këtë kohë në një konferencë për gazetarë, të organizuar në Tiranë, kisha sqaruar se: Fushata e spastrimeve etnike në Kosovë nuk është e nxitur nga sulmet e NATO-s, por kjo bëhet sipas planeve e memorandumeve serbe.

Liderët serbë, shumë kohë para lufte edhe para viteve ´90 kanë deklaruar se 200.000 shqiptarë do t´i përzënë përtej Bjeshkëve të Nemuna. Opinioni politik është i njohur me këto gjëra. E sqaroja këtë për opinionin e gjerë, se ne disa qarqe të caktuara evropiane, kishte filluar të flitej se spastrimi etnik që po bënte Serbia ishte pasojë e bombardimeve të NATO-s. Me këtë qëndrim qarqe të caktuara, që edhe tani janë avokatë të regjimit kriminel të Milosheviqit, mundohen ta maskojnë qëllimin e vërtetë të luftës gjenocidale serbe - spastrimin etnik të Kosovës. Gjatë kësaj kohe i kam pasur edhe dy-tri takime me „ministrin“ e mbrojtjes Halil Bicin, selia e të cilit ishte në Laprakë. Dhe po të ishte njeriu formalist, ka pasur rrezik të bindet se aty paska njëfarë „ministrie“ të mbrojtjes. Shkoja, edhe pse nuk kisha shpresë se do të arrija diçka, pasi edhe shumë herë para meje ishte biseduar për ta arritur ndonjë marrëveshje. Në ndonjë rast edhe është arritur ndonjë marrëveshje, por çdo gjë ka mbetur në letër, asgjë nuk është jetësuar. Megjithatë edhe unë kam shkuar.

Herën e parë kur kam shkuar në Laprakë, me veti kam pasur Burim Marmullakun (Dervishin), gjersa aty ishin një mori njerëzish të zyrave. Formova bindjen se në mesin e atyre njerëzve kishte djem të mirë që dëshironin bashkimin, por jo aq shumë për të luftuar sa për t´i ruajtur postet që kishin në hierarkinë ushtarake të Bicajt. Ndonjëri aty po rrinte, sigurisht edhe për shkak të ardhurave që po merrte, por kishte që ishin të bindur në „ndershmërinë“ e punës që po kryenin. Të ata njerëz asnjëherë nuk pashë gatishmërinë për luftë çlirimtare, sikur nuk pashë as shqetësim për situatën e krijuar në Kosovë. Ata ëndërronin vetëm postet që do t’i merrnin në Kosovën e lirë.

Pas dy tri dite në një restorant të Tiranës jemi takuar sërish me Halil Bicin. Kemi biseduar për mundësitë e bashkimit dhe të inkuadrimit me të gjitha mjetet që kishin në dispozicion në luftën çlirimtare. Ai, duke dashur të më lëvdoj mua e të m‘i shajë shokët, e ngriti çështjen e një Deklarate politike të SHP të UÇK-së, ku Bukoshi e stafi i tij shpalleshin kriminelë. Për t´i treguar se as unë s´mund të jem më i mirë se shokët e mi të luftës, i them se atë deklaratë e kam shkruar unë. Së bashku me Halil Bicin ishte dhe një Ramë Maraj, „shef“ i sigurimit të Kosovës në Shqipëri?! Megjithatë e lamë që të nesërmen të shihemi në Laprakë. Kur u ndamë vërejta se ai me vete kishte marrë një suitë të tërë, ndërsa unë kisha shkuar vetëm me Burim Murmullakun.

Në orën e caktuar, përsëri unë vet i dyti shkoj të nesërmen në Laprakë. Në bisedime ishte mjaft i pasigurt. E pyeta, nëse ishte i gatshëm të hynte në Kosovë me njerëzit e tij, se qëndrimi në Tiranë ishte bërë i pakuptimtë. Kosova ishte në flakë të luftës. Sikur nuk shihja ndonjë dëshirë për luftë, ndoshta i mjaftonte posti i „ministrit“ në Laprakë. Në fund ia kam parashtruar disa kërkesa, dhe më ka thënë se do t´i shqyrtojë me Bukoshin.
Ishin këto kërkesa:

Të pranonin programin e UÇK-së,
të njihej QPK, t‘i nënshtrohej komandës së SHP të UÇK-së,
t’i respektonin Rregulloret e UÇK-së,
me njerëzit e tij të hynin në Kosovë dhe
selia e tij në Tiranë t´i dorëzohej Ministrisë së Mbrojtjes së QPK-së.

Jemi përshëndetur, sigurisht duke pasur pak shpresë se do të realizohej ajo për çka biseduam. Ka pasur edhe ndonjë përpjekje me ndërmjetësim të Shqipërisë, por kanë përfunduar kështu pa sukses.

Gjatë qëndrimit në Tiranë jam takuar me kryeministrin e Britanisë se Madhe, Toni Blerin, me kryeministrin e Holandës, me MJ të Norvegjisë z. Volebek, me të ngarkuarin e OSBE-së në Shqipëri z. D. Everts.

Po ashtu kam pasur disa takime në ambasadën amerikane në Shqipëri. Në të gjitha takimet, kudo që kam mbajtur, kam falënderuar për përkrahjen që na është dhënë, për bombardimet e NATO-së dhe kam kërkuar intensifikimin e tyre. Kudo kam kërkuar ndërhyrjen tokësore të trupave të NATO-s ose heqjen e embargos për UÇK-në, kam kërkuar një përkrahje më të madhe politike për QPK-në si dhe një zgjidhje politike për Kosovën, që do të mbështetej në vullnetin e popullit – me referendum.

Ne të gjitha takimet të huajt kanë kërkuar që faktori shqiptar të jetë i bashkuar. U kam thënë të gjithëve se ne ka kohë që kemi treguar gatishmëri dhe kemi dhënë shembuj konkretë se jemi të gatshëm për bisedime dhe për bashkim. Dhe këtë e bëjmë për interes të popullit dhe të ardhmërisë së tij. Luftën as s‘e kishim nisur dhe as po e bënim për vete, por e bënim për çlirimin e Kosovës, për pavarësinë e saj. Me Dan Evertsin jemi takuar më shpesh, dhe një takim apo dy, i kemi pasur së bashku me prof. Rexhep Qosjen. Në këto takime është biseduar dhe mundësia e afrimit me LDK-në. Ne kemi treguar gatishmëri dhe për këtë janë ngarkuar Sabri Godo dhe D. Everts, që të bisedojnë me përfaqësues të LDK-së, që kryesisht gjendeshin në Maqedoni dhe priteshin të vijnë në Shqipëri.

Unë kam kërkuar që bisedimet të jenë publike për opinion, në mënyrë që opinioni i gjerë të njihet se kush vërtet po e pengon bashkimin. Edhe Sabri Godo edhe miku nga Evropa kanë bërë përpjekje të mëdha për të arritur një bashkim të faktorit shqiptar. Dhe më në fund janë bindur se ku qëndron pengesa e bashkimit të faktorit shqiptar. Më në fund ka ardhur një delegacion i LDK-së në Tiranë. Me kujdesin e Meriman Brahës me delegacionin e LDK-së të përbërë nga nënkryetari: Naim Jerliu, Milazim Krasniqi, Fadil Hysaj, Fatmir Sejdiu etj., në banesën e Merimanit kemi bërë një bisedë mjaft konstruktive. Por kush dhe pse ndikoi që këto bisedime mos të zhvilloheshin më tej nuk më është e qartë.

Një gjë dihet, pas takimit që do të kenë me PD-në, gjërat marrin kahen e padëshirueshme. Veç të tjerave në atë bisedë anëtarët e LDK-së kanë treguar pakënaqësi të dukshme me kryetarin e tyre I. Rugovën dhe me ndonjë zotëri apo zonjë që ua kishte rrëmbyer kompetencat e partisë, siç shpreheshin ata. Këtu aludohej para se gjithash në znj. Edita Tahiri. Gjithashtu është biseduar edhe për mundësinë e dërgimit të kandidatëve të tyre për në QPK. Ata patën kërkuar që mos t´i nënshtrohen seleksionimit. Iu thash se për këtë çështje mund të merremi vesh, në fund të fundit për kandidatët tuaj përgjegjësinë e merr LDK-ja.

U ndamë duke shpresuar se më në fund anëtarët e kryesisë së LDK-së do të vendosnin me kokën e tyre. Fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu, por ndonjëri nga ata më vonë u larguan nga radhët e saj. LDK-ja vazhdoi rrugën e bojkotit e të dëmtimit të faktorit shqiptar. Avokat i vijës së fortë të LDK-së në këtë takim është paraqitur Fatmir Sejdiu. Edhe Shaban Braha është angazhuar shumë për bashkimin e faktorit shqiptar. Dikush sikur kishte marrë kushedi nga kush për obligim për të penguar, bojkotuar e sabotuar bashkimin e faktorit shqiptar. Dhe shqiptarëve iu kushtoi kjo si gjatë luftës ashtu dhe pas saj. Sigurisht, grushtin më të rëndë këtyre bisedimeve mjaft konstruktive do t‘ua japë dalja e Rugovës ne Itali. Ndoshta ishte e rastit kjo lojë e Milosheviqit, por shqiptarëve të Kosovës kjo u kushtoi shumë.

Gjatë kësaj kohe kam pasur takime të ndryshme. Mjaft të përhershme i kam pasur takimet me përfaqësuesit e ndryshëm të SHBA, me atë të ambasadës së SHBA në Shqipëri, të KDOM-it dhe me diplomatin L. Rosin (dy herë në Tiranë). Ky i fundit në një rast na pat siguruar se SHBA-të nuk heqin dorë nga pesë kërkesat e NATO-s për Kosovën dhe se SHBA-të nuk prejudikojnë statusin politik të Kosovës. Pra, SHBA-të do të respektojnë vullnetin e popullit të Kosovës. Në të gjitha takimet kemi parë vendosmërinë e SHBA për të vazhduar sulmet e NATO-s deri në tërheqjen e plotë të forcave serbe nga Kosova. Krejt këto premtime patëm mundësi t´i shohim të realizuara.

Në Tiranë dy herë kemi biseduar me përfaqësuesit e MVK-së. Herën e dytë jemi takuar me udhëheqësin e tyre V. Vokerin, mikun e madh të shqiptarëve, i cili i pari me guximin intelektual e njerëzor tha: „Në Reçak është bërë masakër mbi popullsinë civile!“ Ishte vlerësim ky, që bëri kthesën e madhe në bashkësinë ndërkombëtare. Bota e perëndimit fillon të merr hapa konkret për të dënuar krimin e organizuar shtetëror serb që po ushtrohej në Kosovë. Vokeri përjetë do të mbetet mik i madh i popullit shqiptar. QPK, pas luftës e shpalli Qytetar Nderi të Kosovës. Mobilizimi Ushtarak po shkonte mirë, madje shumë më mirë se që kishim menduar.

Nga Shqipëria e kishim një mbështetje morale dhe profesionale mjaft të madhe. Kuadro të Shqipërisë kishin treguar gatishmëri të madhe për t´na ndihmuar në aspektin profesional. Në Shqipëri vëreja se sa të papërgjegjshëm kishim qenë ne kosovarët gjatë viteve të „demokracisë“, dhe s´kishim arritur t´i nxjerrim disa gjenerata të oficerëve të shkolluar, qoftë edhe me kurse të ndryshme. Kështu gjatë muajit prill 1999 në Shqipëri u krijuan dy qendra stërvitore, ku ushtronin nga 3000 e më shumë ushtarë.

Të gjithë ushtarët, pak me vonesë, por ata u armatosën. Pedagogët ishin të Shqipërisë, kurse stërvitjet qenë shumë të suksesshme. Ato edhe nga të huajt u vlerësuan lart. Në një ushtrim taktik, me armë zjarri, ku ushtarët tanë treguan sukses shumë të mirë, një oficer i huaj do të thotë: „ nuk do të doja të isha ushtar serb para shenjëtarëve të tillë“. Ishte vlerësim për djemtë tanë që kishin ardhur nga vendet e ndryshme të Evropës, dhe aty kishte edhe nga SHBA-të, të cilët formuan Batalionin “Atlantiku”.

Në radhët e këtij batalioni kishte shqiptarë të gjitha viseve shqiptare. Batalioni Atlantiku ishte Shqipëri në miniaturë. Nga këta ushtarë përbëheshin dy Brigadat e Pashtrikut, që do të organizohen e komandohen nga Fatmir Lima e Bislim Zyrapi, kurse një pjesë tjetër vazhdimisht ka shkuar në luftimet e Koshares. Këto brigada nuk do ta arrijnë qëllimin edhe për faktin se UJ do të nënshkruante Marrëveshjen e Kumanovës.

?Pra, shikuar realisht, lufta që është zhvilluar në bazë të operacionit „Shigjeta“, që është shtrirë nga Koshara në Pashtrik, i ka pasur të gjitha mundësitë që në këtë fazë të luftës të bartë barrën kryesore të luftës. Koha qe e shkurtër për ndonjë sukses të dëshirueshëm, por edhe armiku pati aty forca të koncentruar. Si duket nga drejtime të ndryshme armiku ishte i njoftuar për planin tonë të luftës. Ndoshta jo të gjithë ata që vinin ishin miq të çështjes sonë, por edhe në radhët tona sigurisht që kishte mjaft të infiltruar nga radhët e armikut.

Operacioni „Shigjeta“ është aksion i përmasave të mëdha, më të mëdha që ka marrë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ky operacion është ndihmuar dhe nuk ka mundur të realizohet pa ndihmën e shtetit e ushtrisë shqiptare. Pa marrë parasysh përmasat e suksesit të këtij operacioni, i rëndësishëm është fakti se ushtarët tanë hynë në tokën e Kosovës dhe filluan aksionin e spastrimit të terrenit nga minat dhe bandat serbe dhe i shkaktuan humbje të mëdha njerëzore e materiale. Në Shqipëri vazhdohej me përgatitjen e forcave të reja. Bota po e shihte këtë vendosmëri dhe po bindej se shqiptarët ishin të vendosur për rrugën që kishin zgjedhur dhe kishte qarqe që po frikësoheshin nga forcimi ushtarak i shqiptarëve. Në këtë aspekt ndihmoheshin edhe nga klane të caktuara shqiptare, të Kosovës e të Shqipërisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

emigranti17/04/2019 15:08

Respekt per ty Jakup dhe per te gjith patriotet qe sherbyen ne kuader te clirimit te Dardanis (me falni vellezer por prerdor fjalen Dardani pasi kjo i perket krahines ton Ilire, kosov eshte fjala e pushtuesit) Tung

Shto koment

Denonco