Sa para, do të shpenzohen për zgjedhjet në veri?

Sa para, do të shpenzohen për zgjedhjet në veri?

10:00, 16/04/2019

Organizimi i zgjedhjeve në veri, buxhetit të shtetit pritet t’i kushtojë 471 mijë euro.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve,ka planifikuar që për raundin e parë të shpenzohen 315 mijë euro, ndërsa për raundin e dytë 156 mijë euro.

Zëdhënës i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se ky institucion tashmë ka miratuar planin e buxhetit  për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të vendit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tashmë ka miratuar planin e buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna, shuma e mjeteve të planifikuar është 471 mijë euro dhe në përputhje me obligimet ligjore KQZ-ja ka planifikuar buxhetin për dy raundet, në raundin e parë janë planifikuar 315 mijë euro, ndërsa në raundin e dytë janë 156 mijë euro”, tha Elezi për EO.

Ai ka sqaruar, se këto janë vetëm mjete të planifikuara, duke treguar se nëse ato nuk shpenzohen do t’i kthen buxhetit të shtetit.

“Këto janë vetëm planifikime duhet të presim përfundimin e gjithë procesit zgjedhor për të ditur koston e saktë të zgjedhjeve. Pas përfundimit mjetet e pashpenzuara do të kthehen në buxhetin e shtetit”, tha ai.

Zëdhënësi i KQZ-së tha se kërkesën për buxhet e kanë dorëzuar në Qeveri. Ai thotë se KQZ-ja nuk ka buxhet rezervë, prandaj edhe presin miratimin e Qeverisë.

“Duke ditë se ky nuk është vit zgjedhor dhe janë zgjedhje të jashtëzakonshme d.m.th këto zgjedhje nuk janë të planifikuara, KQZ-ja nuk ka buxhet për zgjedhje, prandaj kërkesën buxhetore e kemi përcjell për në Qeveri. Duke u mbështet në praktikat e kaluara kërkesat e tilla janë mbështet gjithnjë nga Qeveria e Kosovës”.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet për katër komunat veriore të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco