'Tradhtia te shqiptarët falet shpejt...', një përballje me Fallmerayer

'Tradhtia te shqiptarët falet shpejt...', një përballje me Fallmerayer

11:39, 11/04/2019

Nga Jakup Krasniqi.

“Tradhtia të shqiptarët falet shpejt e lehtësisht si një nga mëkatet më të natyrshme e që rendojnë pak” /Fallmerayer

Trajtimi i problemeve shoqërore ka një histori goxha të lashtë, por nuk ka numër të pafund të njerëzve që merren me to, ashtu siç kërkohet në ambiente e mbushura me analfabet funksional.

Problemet shoqërore i hasim të trajtuara që në Greqinë e lashtë nga filozofet mendjendritur si: Platoni, Aristoteli etj., e, mbase edhe më herët në Lindjen e lashtë, të afërt e të largët.

Një formë të re në përmbajtje, problemet shoqërore e kanë marr në pjesën e dytë të shekullit XV dhe fillimin e shekullit XVI nga Nikolla Makiaveli (Niccolò Machiavelli; 3 maj 1469 – 21 apo 22 qershor 1527).

Tek ne shqiptarët, kjo ishte koha e Skënderbeut të Marin Bardhecit.

Këto probleme janë thelluar më pas nga Zhan Zhak Rusoi (Jean-Jacques Rousseau Gjenevë, 28 qershor 1712 - Ermenonville, 2 korrik 1778), ky merrej me letërsi, filozofi dhe muzikë, ishte zviceran nga origjina.

I kësaj kohe ishte edhe Adam Smith (1723-1790 ekonomist e filozof i njohur skocez.

Epoka e këtyre kolosëve (nuk po flas për kolosët e shek. XIX të cilët kërkojnë dije të nivelit më të lartë arsimor), të mendimit politik, shoqëror e filozofik që vinte pas një rilindje të dijeve shoqërore, politike, iluministe e filozofike (dije që për disa shekuj ishin ngulfatur nga shekujt e errësirës mesjetare të katolicizmit ).

Nuk ka asnjë dyshim këta ishin majat e mendimit intelektual të kohës se tyre.

Koha e tyre i kishte vështirësitë e saja të të gjitha natyrave, por e kishin një përparësi, debatin për të gjitha problemet shoqërore e trajtonin në ambiente të larta të dijeve, të kulturës e të edukimit. Për Rusoin, jo ikja, por vetëm deklarimi se ç’me hynë mua në punë çështjet e shtetit?

Duhet llogaritur, thoshte ai, se shtetit është i humbur. (Zh. Zh. Rusoi:Mbi kontratën shoqërore, Pema, Prishtinë 2018, faqe 164.) Apo theksimi i A. Smithit se pasuria e kombeve është puna.

Pra nuk mund të ketë popull të pasur me dembelë të Stambollit apo me sundimtarë mendje pak, sedërmëdhenj e të gjithëdijshëm siç mund t’i hasim gjithandej në mesin tonë.

Nuk ka asnjë dyshim, problemet shoqërore as në atë kohë nuk zhvilloheshin krejt jashtë ambienteve të injorancës, të mashtrimit e vetëmashtrimit, të tiranisë e të despotizmit të individit apo individëve satrap e sahanlëpirës.

Po gjithsesi ai ambient nuk ishte si sot i mbushur me analfabet funksional të cilët na i sollën tranzicioni demokratik me universitetet e votave e të bizneseve?!

Injorantëve kurdo e kudo që u është dhënë rasti, nuk kanë lënë mjet e metodë pa përdorur për të mbytur mendimin e lirë e avangardë, mendimin e avancuar e humanist apo iluminist.

Për dallim nga ne, sot popujt e mençur atyre, injorantëve nuk ua kanë dhënë shtagën të meshojnë ku mundin e nga të sillen.

Tek e fundit edhe ne shqiptarët e vonuar në Rilindje Kombëtare e dimë se si na janë burgosur, helmuar e eliminuar bartësit e ideve të Rilindjes Kombëtare për shkronjat e gjuhën shqipe, për shkollën, për kombin shqiptar e shtetin.

E sidomos na janë të njohura të gjitha format që i kanë përdorur serbo-jugosllavet gjatë gjithë shekullit XX për t’i penguar e burgosur idetë e lirisë për çlirim e bashkim kombëtar.

Këto metoda që i përdoren armiqtë e shumtë bënë që njëri nga popujt (kombet) më të vjetra në të gjitha dherat e Mesdheut, të jetë më i vonuari në çdo gjë, në alfabet, në shkollë, në kulturë, në kombformim e në shtetndërtim.

Këtyre politikave të huaja jo pak herë ua dhanë një mbështetje njerëzit kokëgdhe që siç thotë Flamerajeri në gjysmën e shekullit XIX ,se: “Ky popull fanatik i lirisë, duke e ndjerë forcën e tij, ashtu si bleta në kohën e shumëzimit, shpërthen jashtë kufijve të atdheut të vet, ai nuk niset nga asnjë mendim politik për vendin e huaj, por kërkon vetëm pasuri materiale ...” (faqe 115).

Për ketë autori në fjalë thoshte se kjo vinte nga mungesa e emocioneve për shtetin. (Shih: J. Ph. Fallmerayer: Elementi shqiptar në Greqi, botim i “Saraçi”, Tiranë 2003)

Kur i lexoja këto konstatime në librin e Flamerajerit “Elementi shqiptar në Greqi”, dihej që shqiptarët një kohë e patën mbajtur gjallë edhe Perandorinë Bizantine e pastaj atë Osmane, me vinte inat, por nuk mund ta mohoja e as ta kundërshtoja Flamerajerin.

Sot, me vije më shumë se inat, pse nuk mund t’ia argumentoj të kundërtën, ashtu siç ia bëra Oliver Shmitit në librin tim: “Një histori e kontestuar 
...”. Ku ia shkatërrova shtyllat kryesore të mohimit të origjinës sonë ilire, karakterin kombëtar të Rilindjes sonë Kombëtare dhe luftën tonë të drejtë nga Pranvera Shqiptare dhe Luftën e fundit për çlirimin e Kosovës.

Nuk mundja t’ia bëja ketë Flamerajerit, se ky kishte të drejtë.

Të vërtetën kurrë nuk duhet marrë mundin për të kundërshtuar, por për t’i ndryshuar veset e këqija është domosdoshmëri.

Përpjekja për të kundërshtuar të vërtetën është bash si puna e kot e sizifit me gurin e tij për ta ngritur në majën e kodrës, të cilën gjë nuk e arriti kurrë.

Unë e doja dhe e dua shumë kombin tim, por ato konstatime, se vrapojmë pas pasurisë, se nuk kemi ide e as emocione për shtetin dhe se tradhtinë e trajtojmë si diçka të natyrshme, nuk munda as dje e nuk mundëm as sot t’ia kundërshtoj me argumente.

Ky autor e ka edhe një konstatim interesant për popullin shqiptar. Ai thotë: “ky popull nuk e ka ndjerë kurrë nevojën për të krijuar një unitet kombëtar kompakt përballë të huajve”. (faqe 115)  A nuk e konfirmon ketë realiteti i sotëm në të dy shtetet tona, Shqipëri dhe Kosovë?

Këto dobësi, mbase më shumë se kaq, i shoh përditë tek njerëzit që jo vetëm si mundojnë dhe as i njohin problemet shoqërore, por bëhen cerberë të ferreve (xhehnemeve) shoqërore. (Të interesuarit në fjalorin e mitologjisë mund ta gjejnë kuptimin e fjalës cerberë).

Pa marr parasysh rolin e detyrat mjerane të cerberëve modern, nga kombi as duhet hequr dorë e as duhet mohuar atë shenjtëri. Mohës të asgjëje njerëzit me dije e kulturë nuk duhet të behën kurrë.

Një gjë është e ditur, e kanë thënë edhe mendje të ditura në shekullin e shkuar, se ecjet e asnjë populli në histori nuk janë gjithherë progresiste (në vi të drejtë), ata, popujt edhe në momente regresi apo kthesash prapa, dinë të gjejnë forca rigjenerimi për të ecur përpara.

*Titulli origjinal: Problemet shoqërore kërkojnë ide, dije, emocione dhe integritet

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco