Merkel dhe Macron thërrasin liderët e Ballkanit në Berlin në 29 prill

Merkel dhe Macron thërrasin liderët e Ballkanit në Berlin në 29 prill

08:12, 11/04/2019

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë ftuar liderët e Ballkanit të marrin pjesë në Berlin në një konferencë. Në takimin e datës 29 prill do të priten të vijnë "përfaqësues të nivelit të lartë" të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kroacisë, Sllovenisë dhe Komisionit të BE-së, siç bëri të ditur një zëdhënës i qeverisë gjermane për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa. 

Nga Deutsche Welle

Sipas zëdhënësit, kancelarja gjermane dhe presidenti Macron, i japin një rëndësi të madhe stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit. Në qendër të bisedës do të jenë sfidat e veçanta të rajonit, e sidomos në lidhje me marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, citon zëdhënësin, agjencia e lajmeve, dpa.

Ndërkohë edhe ministri gjerman i punëve të Jashtme, Heiko Maas, viziton të enjten Varshavën për të diskutuar për Ballkanin Perëndimor, bëhet e ditur nga Ministria gjermane e Punëve të Jashtme. 

Polonia do të jetë organizatore e takimit të ardhshëm në kuadër të procesit të Berlinit, që do të mbahet më 5 korrik. Procesi i Berlinit synon me nisma në sektorin e Ekonomisë, Transportit dhe Rinisë që të luajë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment