Zgjedhje të jashtëzakonshme në 4 komuna në veri të Kosovës Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë, foto nga arkivi

Zgjedhje të jashtëzakonshme në 4 komuna në veri të Kosovës

07:23, 10/04/2019

Në katër komunat e veriut të Kosovës të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan më 19 maj do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se ka filluar menjëherë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Katër kryetarët e këtyre komunave, më 27 nëntor të vitit 2018, dhanë dorëheqje, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia.

Të katër komunat në veri të vendit janë udhëhequr nga Lista Serbe, e cila do të vendosë rreth pjesëmarrjes në këtë proces zgjedhor, pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha për Radion Evropa e Lirë se ka njoftuar subjektet politike dhe kandidatët e interesuar për kandidim se afati i aplikimit nis nga sot [9 prill] dhe do të zgjasë deri më 18 prill, 2019, ndërsa certifikimi i tyre do të bëhet me datën 22 prill.

Daka tha se nuk parashohin ndonjë vështirësi në mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

"Nuk besoj se do të kemi probleme sepse kjo është dëshmuar tashmë në zgjedhjet e fundit lokale dhe ato të përgjithshme, ku nuk ka pasur ndonjë problem të theksuar. Shpresoj që do të na ndalin në ndihmë edhe institucionet të cilat kujdesen për rregull dhe siguri në gjithë Kosovën dhe në veri. Nuk e di, por në ditët e ardhshme do të diskutohet edhe mundësia që të kërkojmë ndoshta ndihmë apo përkrahje teknike edhe nga ndonjë institucion ndërkombëtar", tha Daka.

KQZ-ja ka njoftuar se fushata zgjedhore, si dhe afatet për tubimet zgjedhore do të fillojnë me datën 13 maj dhe do të përfundojnë më 17 maj.

Daka tha se për këto zgjedhje, Komisioni Qendror Zgjedhor do të kërkojë buxhet shtesë nga Qeveria.

"Me siguri që gjatë ditës se nesërme, deri sa të përgatiten edhe parallogaritjet të para, do të kërkojmë buxhet shtesë nga Qeveria edhe me siguri Qeveri do të na dalë në ndihmë dhe do ta sigurojë buxhetin", tha Daka.

Vendimin për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve e ka marr president i Kosovës Hashim Thaçi./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco