Albright e Clinton pritet të marrin pjesë në 20-Vjetorin e Çlirimit të Kosovës

Albright e Clinton pritet të marrin pjesë në 20-Vjetorin e Çlirimit të Kosovës

07:45, 05/04/2019

Më 12 qershor Kosova shënon përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s dhe çlirimit të vendit.

Qeveria e Kosovës e ka themeluar Këshillin Organizativ për shënimin e përvjetorit të ngjarjes më të rëndësishme historike për popullin e Kosovës. Ky këshill, në krye të të cilit është emëruar ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka filluar përgatitjet.

Më 12 qershor, në Prishtinë do të organizohet pritje madhështore për figurat dhe personalitetet më të rëndësishme ndërkombëtare që kontribuuan për çlirimin e Kosovës. Zyra e zonjës Jahjaga ka bërë të ditur se këshilli po merret me hartimin e listës së personaliteteve që do të ftohen në këto festime.

“Më 26 mars 2019, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së NATOs në Kosovë. Ky këshill udhëhiqet nga Presidentja Jahjaga. Këshilli Organizativ ka mbajtur takimin e parë dje, dhe është në proces të krijimit të listës së të ftuarve për ngjarjen. Detaje të tjera të ngjarjes do të publikohen me kohë”, ka thënë Zyra e ish-Presidentes Jahjaga, për Ballkani.info.

Në ceremoninë solemne të shënimit të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës pritet të marrin pjesë edhe dy prej personaliteteve më të respektuara nga qytetarët e Kosovës, ish-sekretaret e shtetit amerikan Madeleine Albright dhe Hillary Clinton, njofton gazeta Illyria.

Zonja Albright ishte një ndër mbështetësve më të mëdhenj të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, ndërsa zonja Clinton, asokohe Zonjë e Parë e Amerikës, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për forcimin e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare, në periudhën 2009 – 2013, kur ishte sekretare e shtetit.

Sigurisht, në manifestimet e shënimit të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës do të marrin pjesë edhe figura e personalitete të tjera ndërkombëtare që kanë dhënë kontribut për çlirimin e pastaj rindërtimin e Kosovës dhe në procesin e shtetndërtimit e zhvillimit. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment