Kosova 1999 dhe Kosova 2019, një udhëtim me foto Një vajzë po i thotë lamtumirë babait të saj, të cilin mund të mos e ketë parë më kurrë

Kosova 1999 dhe Kosova 2019, një udhëtim me foto

07:46, 19/03/2019

Nëse hasni në këtë fotografi në internet, përshkrimi është ky: “Një vajzë po i thotë lamtumirë babait të saj, të cilin mund të mos e ketë parë më kurrë”. Familja e saj, sikur edhe shumë të tjera janë ndarë në mënyrë të detyrueshme gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë. Fotografia është bërë në Prishtinë, teksa një autobus me shqiptarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre ishte nisur drejt Turqisë. Megjithatë, fati i familjes së kësaj vogëlusheje nuk dihet.

Nga Ibrahim Berisha, Krenare Cubolli, Lendi Susuri. Realizimi teknik: Wojtek Grojec

Fotografi të ngjashme të situatës së krijuar 20 vjet më parë në Kosovë kanë alarmuar ata, që sot njihen si aleatë të Kosovës, për të nisur fushatën 78-ditore të bombardimit nga NATO-ja kundër caqeve serbe.

Disa prej vendeve, që kanë qenë të identifikueshme, ekipi i Radios Evropa e Lirë i ka vizituar sërish, dhe dallimi duket të jetë i qartë.

ImageImage

Sulmet e NATO-s, kanë filluar më 24 mars 1999, pas dështimit të bisedimeve paqësore në Rambuje, me urdhër të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës veri-atlantike, Havier Solana në orën 20:00.

ImageImage

Pas 78 ditëve të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor të vitit 1999, me miratimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërprerja e bombardimeve ka qenë rezultat i nënshkrimit të Marrëveshjes Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

Image

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të NATO-s, në kuadër të forcave paqeruajtëse për Kosovën, KFOR.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili ka administruar këtë vend për një periudhë të caktuar kohore.

Në kuadër të KFOR-it janë vendosur rreth 50, 000 ushtarë nga 36 vende, nga të cilët 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.

Image

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.

ImageImage

Si pasojë e luftës në Kosovë kanë vdekur 13,518 persona, përkatësisht 10,794 shqiptarë, 2,197 serbë dhe të tjerët u përkasin etnive tjera.

Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ende mbesin 1,647 persona të pagjetur, shumica prej tyre shqiptarë.

Komuna me numrin më të madh të viktimave është Gjakova me 1,214 persona të vrarë.

Image

Hyrja e forcave të NATO-s në Kosovë ka rezultuar edhe me shpërbërjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Ato kanë ekzistuar deri në janar të vitit 2009, kur edhe është formuar Forca e Sigurisë së Kosovës. Kjo e fundit, më 2018 është transformuar në Forcë me kapacitete ushtarake.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës./Marrë nga Radio Evropa e Lirë

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment