SHBA dhe Britania e Madhe kundër shndërrimit të Kosovës në vilajet të Erdoganit

SHBA dhe Britania e Madhe kundër shndërrimit të Kosovës në vilajet të Erdoganit

23:18, 11/03/2019

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përmes një deklarate, ka shprehur pakënaqësinë e saj rreth dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova.

Nga ambasada amerikane thonë se, gjetjet e Komisionit Hetimor Parlamentar, që janë 31 shkelje nga institucionet e Kosovës lidhur me këtë rast, ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana, në këtë rast të AKI-së, dhe manipulimit politik.

Pas saj ka reaguar edhe Ambasada e Britanisë së Madhe: "Ne e mbështesim plotësisht deklaratën e ambasadës së SHBA'së në Prishtinë, për dëbimet e shtetasve turq, marsin e kaluar. Institucionet e Kosovës duhet të japin përgjegjësi dhe duhet t'i nënshtrohen sundimit të ligjit"...

Lidhur me këto zhvillime ka reaguar edhe gazetari Enver Robelli, i cili përmes një shkrimi,  i quan deklaratat e mësipërme si thirrje që Kosova mos të bëhet vilajeti i Erdoganit.

Nga Enver Robelli

Presidenti në hije i Kosovës Rexhep Taip Erdoani para një viti i kërkoi guvernatorit të tij në Prishtinë që të organizojë rrëmbimin e gjashtë shtetasve turq. Guvernatori e kreu punën si nxënës shembullor: u dha urdhër argatëve të tij në shërbimin sekret të Kosovës që të përcjellin lëvizjet e turqve (të akuzuar si gylenistë) dhe t’i kapnin papritmas, shumicën para syve të grave dhe familjeve të tyre. Në prapavijë qëndronin agjentë turq, ndërsa në aeroportin e Prishtinës po priste një avion i tipit Challenger, i cili kishte aterruar në mëngjesin e datës 29 mars 2018. Policët e Kosovës në stilin e kusarëve arrestuan gjashtë turqit dhe ua dorëzuan autoriteteve të Ankarasë, të cilat në Kosovë po silleshin si instanca më të larta të vilajetit neosoman kosovar.

Në një video mund të shihet se si policët kosovarë ndalojnë veturën e familjes turke Karabina dhe kidnapojnë kryefamiljarin Jusuf Karabina. Jasemin Karabina, gruaja e të kidnapuarit, ishte përpjekur të pengojë policët e Kosovës gjatë aksionit të tyre ilegal. Por, ajo nuk pati sukses. Burri i saj dhe pesë turq të tjerë ishin të angazhuar në shkollat e Lëvizjes Gülen (Gylen) në Kosovë. Ndërsa familjarët kërkonin të afërmit e tyre, ata u sollën në aeroport dhe u futën në avionin Challenger. Në orën 10:00 avioni u ngjit në qiell nga pista e aeroportit të Prishtinës. Caku i fluturimit: aeroporti ushtarak në Ankara. Këtë, sipas televizionit gjerman, e dëshmojnë dokumentet. Turqit e kidnapuar në Kosovë u sollën në Turqi me avionin Challenger TC-KLE, i regjistruar në emër të një firme turistike në Ankara. Adresa e firmës: fare afër ndërtesës ku banojnë pjesëtarët e shërbimit sekret turk MIT në Ankara.

Ky aksion, sipas të gjitha gjasave i kryer me dijen, në mos me urdhrin e guvernatorit osman të Kosovës (në fakt: kryetarit të Kosovës të njohur me emrin Hashim Thaçi), ngjalli reagime të ashpra në Kosovë. Kryeministri Ramush Haradinaj tha se nuk kishte qenë i informuar dhe largoi nga postet ministrin e Brendshëm dhe shefin e shërbimit sekret (AKI). Në media u kritikua fakti se ky aksion ilegal e shndërronte Kosovën jo vetëm në shtet joserioz, por edhe në provincë osmane, ku sovraniteti i saj nuk është më shumë se arenë për aksione ilegale të shërbimeve sekrete turke.

Gjatë 12 muajve të fundit një komision parlamentar ka hetuar këtë skandal – ndonëse pengesat që iu bënë këtij komisioni nuk qenë të vogla, sidomos nga e ashtuquajtura Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe bandat e saj nëntokësore. Tani, në prag të njëvjetorit të kidnapimit të turqve, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë, kanë reaguar ashpër Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ajo e Britanisë së Madhe, dy shtete që e kanë bërë Kosovën të pavarur. Deklaratat e këtyre dy përfaqësive të rëndësishme diplomatike nuk lënë hapur asnjë dilemë: agjencitë kryesore kosovare të sigurisë janë shndërruar në degë të shërbimit sekret turk MIT, thua se janë zyra të MIT-it në Konia, Gaziantep, Diarbakir Kajzeri apo Trabzon.

Kidnapimi i gjashtë shtetasve turq dhe dorëzimi i tyre në kthetrat e regjimit të Rexhep Taip Erdoanit është një njollë e zezë që i mbetet Kosovës për aq kohë sa nuk ndëshkohen përgjegjësit. Dhe përgjegjësit janë në postet më të larta shtetërore. Reagimi i ambasadave të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe është thirrje për rezistencë që Kosova të mos shndërrohet në vilajet turk. Ambasada amerikane përmend 31 shkelje ligjore që janë kryer me rastin e rrëmbimit të turqve. Në reagim thuhet: «Kaloi afro një vit që kur Kosova pa një proces të rregullt dëboi gjashtë shtetas turq nga Kosova, nën dyshimin se ata paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës. Ne ishim të kënaqur të shihnim themelimin e një komisioni hetimor parlamentar i cili zbuloi shkelje ligjore lidhur me incidentin, pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij. Gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë në 31 shkelje ligjore ose procedurale nga ana e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera, ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik. Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin dhe rikujtojmë liderët e Kosovës që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit». Më tutje në deklaratë nënvizohet: «Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike. Ne nxisim për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet e pavenda nga politikanët kosovarë në të ardhmen».

Duhet pasur parasysh: ambasadori i tanishëm amerikan në Prishtinë më parë ka shërbyer në Ankara. Ai e njeh mirë këtë shtet, sidomos e njeh mirë regjimin e Erdoanit që e ka shndërruar Turqinë në shtet autokratik, ku është suspenduar drejtësia e pavarur, ku nuk vlejnë ligjet, ku çdo kritik ndiqet me akuza të rreme, ku gazetarët vendorë futen në burg, ndërsa korrespondentët e mediave perëndimore dëbohen pa arsyetim. Ambasadori amerikan në Prishtinë ashiqare nuk dëshiron që Kosova të shndërrohet në vilajet turk të sunduar nga Erdoani.

Çfarë ka thënë sot Ambasada amerikane është përkrahur edhe nga Londra. Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë e ka përkrahur deklarimin e sotëm të Ambasadës së Amerikës lidhur me mungesën e përgjegjësisë institucionale një vit pasi që Kosova dëboi gjashtë shtetas turq.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco