Mirënjohje për organizatorët e referendumit në Luginën e Preshevës

Mirënjohje për organizatorët e referendumit në Luginën e Preshevës

07:36, 08/03/2019

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, ditë më parë ka ndarë mirënjohje për organizatorët e referendumit të vitit 1992 në Luginën e Preshevës. Në këtë referendum, që Serbia e konsideron jolegjitim, banorët e atjeshëm ishin përgjigjur me një shumicë dërrmuese se duan autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Mirëpo, kjo ndarje e mirënjohjeve nga ana e Ragmi Mustafës, 27 vjet pas këtij referendumi, ka ngjallur reagimin e zyrtarëve serbë, të cilët kanë thënë se ky veprim nuk ka asnjë lidhje me qëllimet e Këshillit Kombëtar të shqiptarëve.

Në anën tjetër, kreu i këtij Këshilli, Ragmi Mustafa, pohon se kjo është vetëm një mirënjohje për njerëzit që sollën demokracinë në komunitetin shqiptar dhe se ai kundërshton pretendimet se ky është një veprim i politik.

“Këshilli Kombëtar Shqiptar ka ndarë mirënjohje për organizatorët e referendumit të vitit 1992 pasi kjo është trashëgimia jonë politike, kulturore dhe e identitetit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.

“Mendojnë se atëherë në Jugosllavi, kur u bë braktisja e sistemit monist,dhe kur organizimi i shoqërive pluraliste ka qenë shumë i vështirë, njerëzit kanë punuar në atë drejtim që të sjellin demokraci në komunitetin shqiptar, dhe kështu krijuan orientimin politik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Këshilli Kombëtar Shqiptar ka dashur vetëm të njohë punën e tyre dhe angazhimin, si dhe të shprehë respekt për trashëgiminë tonë”, shton ai.

Mirënjohje për organizimin e këtij referendumi kanë marrë, kryetari shumëvjeçar i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, si dhe anëtarët e Partisë Demokratike Shqiptare, Ali Ahmeti, Ibrahim Kadriu dhe Shaip Duraku.

Në anën tjetër, zyrtarë të lartë të Serbisë thonë se ky ka qenë një referendum që Serbia e njeh si jolegjitim dhe se i njëjti nuk është pranuar as nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo ndarje e mirënjohjeve, sipas tyre, nuk përfshihet në qëllimet e Këshillit Kombëtar të pakicës kombëtare shqiptare në Serbi.

I pyetur nëse dhënia e këtyre mirënjohjeve mund të shihet si veprim politik duke pasur parasysh faktin se kjo ndodh gati tre dekada pas referendumit, dhe saktësisht në kohën kur po dalin opsione për ndryshimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë apo shkëmbimin e territoreve mes dy vendeve, Ragmi Mustafa thotë se ndarja e mirënjohjeve nuk ka të bëjë me ndonjë politizim.

“Për përcaktimin e kufirit flet edhe ministri i Punëve të Jashtme, (Ivica Daçiq) si dhe presidenti (Aleksandar Vuçiq). Mendoj se kjo nuk ka asnjë lidhje me këtë kontekst. Ne kemi dashur të respektojmë trashëgiminë tonë kulturore, politike dhe shoqërore”, thotë Mustafa.

Përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës nga tri komunat në jug të Serbisë, mes të cilëve edhe Ragmi Mustafa, kanë përpiluar disa platforma të përbashkëta politike. Platformën e fundit e kanë bërë në korrik të vitit 2018 duke i autorizuar përfaqësuesit e Kosovës që t’i përfaqësojnë ata në bisedimet me Serbinë në Bruksel.

Ndryshe, përfaqësuesit e këtyre komunave, që shpesh përkufizohen edhe si Luginë e Preshevës, thonë se vullneti i tyre politik është që t’i bashkohen Kosovës dhe rikujtojnë se këtë vullnet e kishin shprehur edhe përmes referendumit të mbajtur në vitin 1992.

Në atë referendum, të cilin autoritetet serbe nuk e njohin, rreth 97 për qind e votuesve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të shpërndarë në 71 vendbanimeve, ishin deklaruar për “autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën”.

Në këtë referendum është thirrur disa herë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kur ka folur për mundësinë e, siç e quan ai, “korrigjimit të kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë, si pjesë e një marrëveshje paqeje mes dy vendeve./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco