Kosova miraton platformën për dialogun/ Vuçiç thërret Këshillin e Sigurisë

Kosova miraton platformën për dialogun/ Vuçiç thërret Këshillin e Sigurisë

21:13, 07/03/2019

Pas miratimit të platformës për dialogun nga Kuvendi i Kosovës kanë mbërritur dhe reagimet e Beogradit.

Menjëherë pas kësaj, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka thirrur për nesër në mëngjes, në orën 8:30 një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, lidhur me “situatën e krijuar” pas miratimit në Kuvendin e Kosovës të Platformës për bisedime me Serbinë. Televizioni Beogradas Përva TV, i cili publikoi lajmin, komentoi se “analistët serbë miratimin e platformës e komentojnë si shpallje joformale të luftës” nga ana e Prishtinës.

Vuçiç para kësaj do të takohet me nënsekretarin për çështje politike të SHBA-ve, Dejvid Hejl, njoftoi televizioni. Pas miratimit të platformës, me deklaratë doli i ashtuquajturi drejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në qeverinë serbe, Marko Gjuriç, i cili tha se me këtë vendim Prishtina “e ka vënë Serbinë në pozitën më të rëndë që nga viti 2011”.

Me atë që në Platformë thuhet se i vetmi rezultat i bisedimeve mund të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës, sipas Gjuriçit, “Prishtina i tregoi tërë botës se nuk dëshiron dialog”.

Me 61 vota pro dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi sot platformën për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme të normalizimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.58 deputetë votuan me elektronikë ndërsa 3 të tjerë me ngritje dore.  Bëhet fjalë për tre deputetët e PSD-së; Dardan Molliqaj, Shqipe Pantina dhe Aida Dërguti.Platforma është hartuar nga ekipi negociator që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj. 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco