Kosova, gati të hapë ambasada në 4 shtete të tjera

Kosova, gati të hapë ambasada në 4 shtete të tjera

08:24, 20/02/2019

Brenda këtij viti, Kosova do të bëhet me ambasada të reja në katër shtete. Sipas një njoftimi zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, gjatë 2019-s, do të hapen ambasadat në Mbretërinë e Tajlandës, në Republikën Popullore të Bangaldeshit, në Republikën e Kolumbisë dhe Republikën e Ganës.

“Në vitin e njëmbëdhjetë të ekzistencës së saj si shtet i pavarur, sovran dhe i mirë integruar në komunitetin ndërkombëtarë të shteteve, Republika e Kosovës do të vazhdojë të shtrijë dhe përforcojë edhe më shumë rrjetin e saj diplomatik në disa kontinente”, thuhet në njoftimin e MPJ-së, sipas REL.

Sipas këtij njoftimi, nëpërmjet këtyre misioneve të reja diplomatike, MPJ-ja synon të mbulojë edhe disa shtete të tjera nëpërmjet akreditimeve jo-rezidente, me qëllimin e zgjerimit të bashkëpunimit dhe vendosjes së partneriteteve sipas interesave të përbashkëta.

“Ministria e Punëve të Jashtme tashmë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet për procedurat respektive, që ndërlidhen me hapjen dhe funksionalizimin e plotë të këtyre Ambasadave”, thuhet në njoftim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment