Mësimet e Rambujesë janë aktuale

Mësimet e Rambujesë janë aktuale

12:28, 06/02/2019 Nga Enver Bytyçi

Si sot 20 vite më parë u mblodh Konferenca e Rambujesë, në të cilën morën pjesë gjashtë ministrat e vendeve të Grupit të Kontaktit për Ballkanin si dhe delegacionet nga Kosova e Serbia. Ministrat që morën pjesë ishin Olbrigt e SHBA-ve, Cuck i Britanisë së Madhe, Vedrin i Francës Fischer i Gjermanisë, Dini (pa imam) i Italisë dhe Ivanov i Rusisë.

Delegacionin e Kosovës e udhëhoqi një djalë i ri, Hashim Thaçi, ndërsa atë të Serbisë, ministri i Jashtëm, Milutinoviç. Konferencën e hapi mikpritësi, presidenti i Francës, Zhak Shirak.

Ndërsa drejtimin e konferencës e mori dyshja Cuck – Vedrin. Qëllimi i konferencës ishte t’i jepte fund krizës në Kosovë dhe ta zgjidhte statusin e saj. Për këtë qëllim ministrant e Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse punuan veçmas me delegacionet e dy vendeve në konflikt, me qëllim që të gjendej një zgjidhje. Me shqiptarët punuan Olbrigt, Fischer, Wesli Clarc, ambasadori Hill etj.

Me serbët punuan kryesisht rusët, por edhe Dini e Vedrin. Rusët u angazhuan për një plan paqeje pa përfshirjen e NATO-s në implementimin e tij. Ky plan rus u bë publik. Atë e kundërshtuan jo vetëm shqiptarët, por edhe Fuqitë Perëndimore.

Asokohe kundër këtij plani reagoi në një konferencë shtypi lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha, i cili bëri thirrje që të hidhet poshtë ai. Ndërkohë më vonë kundërshtarët e tij politikë e kanë interpretuar këtë qëndrim si kundërshti të Berishës ndaj marrëveshjes përfundimtare të Rambujesë. Këtë diversion bëri para tri ditësh gjithashtu Edi Rama, duke marrë në mbrojtje këshilltarin e tij Baton Haxhiu.

Gjithsesi Konferenca e Rambujesë përfundoi me hartimin e një marrëveshje në dy pjesë, pjesa politike dhe ajo ushtarake. Këtë marrëveshje nuk pranoi ta nënshkruante delegacioni i Serbisë.

Ndërsa delegacioni i Kosovës e nënshkroi në mesin e muajit mars 1999, tri javë me vonesë. Kjo ndodhi, sepse kreu i delegacionit, Thaçi, kërkoi konsultime me komandantët e UÇK-së dhe shefin e tij politik, Adem Demaçin, i cili ishte kategorikisht kundër asaj marrëveshjeje. Madje ai u soll me ashpërsi edhe ndaj miqve të shqiptarëve, përkatësisht senatorit Bob Doll dhe sekretares së Shtetit, Olbrigt.

Ibrahim Rugova, megjithëse presidenti i vendit, pranoi të ishte thjesht anëtar i delegacionit të Kosovës duke ia lëshuar detyrën e shefit të këtij delegacioni Hashim Thaçit. Ai e kishte këshilluar Thaçin që ta firmoste marrëveshjen që ditën e parë të paraqitjes së saj.

Ai ishte i vetmi që kuptonte domethënien e firmosje nga shqiptarët e mosfirmosjes nga serbët të asaj marrëveshjeje. Kjo i hapte rrugë bombardimeve të NATO-s. Kjo ishte ëndrra e tij dhe e shqiptarëve.

Filozofia, sipas së cilës “ka rëndësi arritja e qëllimit, por jo edhe mjetet pët këtë” bëri që të lëshojë nga autoriteti i tij politik. Kosova ishte për presidentin e vendit shumë herë më e rëndësishme se sa autoriteti i tij i cënuar padrejtësisht. Ndërsa sot fati i presidentit konsiderohet më i rëndësishëm sesa fati i Kosovës!

Një përmbysje konceptesh e filozofish, pasojat e së cilës do të jenë tragjike, nëse shqiptarët nuk bëhen bashkë për ta mbrojtur territorin e tyre. Megjithaë Thaçi e firmosi marrëveshjen e Rambujesë, ndonëse me vonesë, duke i hap rrugë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Më 23 mars 1999 tanë bombat e para në repartet e ushtrisë dhe stacionet e policisë serbe. Për 78 ditë me radhë qielli ruajti kthejlltësinë e tij, sepse edhe zoti u bë mbështetje e NATO-s dhe e shqiptarëve të Kosovës. Por Milosheviçi nga mosfirmosja në ditën e parë fitoi tri javë kohë për të përgatitur aksionin e tij ushtarako-policor të spastrimit etnik në Kosovë.

Në ato 78 ditë hakmarrja serbe ra mbi shqiptarët, sepse kjo hakmarrje nuk mund të kapte qiejt e pushtuar nga avionët e NATO-s. Milosheviçi masakroi 13 mijë shqiptarë, zhduku kufomat e 3000 shqiptarëve të tjerë, përdhunoi 20 mijë gra e vajza, dëboi me dhunë gati një milion banorë të Kosovës, vrau e asgjësoi akademikë e emra të njohur të kulturës e politikës paqësore të shqiptarëve, si Fehmi Aganin, Bajram Kelmdendin e të tjerë, si dhe dogji e shkatërroi 130 mijë objekte e shtëpi banimi në të gjithë Kosovën.

Shkatërroi të gjitha objektet e kultit musliman e katolik, dogji bibliotekat, rrafshoi njësh me tokën kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pra Serbia bëri genocid fizik, kulturor e etnik kundër shqiptarëve në Kosovë.

Megjithatë Hashim Thaçi nuk guxon t’i kërkojë Beogradit së paku një ndjesë zyrtare për këto krime. Nuk e kërkon këtë as kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sepse nuk dëshiron ta vejë në vështirësi mikun e tij të çmuar, Aleksandër Vuçiq. Ndërsa papagallët e Beogradit, të Ramës e Thaçit, si Baton Haxhiu të thonë “Akoma merreni ju me ato që kanë ndodhur para 20 vitesh?! Ju keni ngel mbrapa?!”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment