Media franceze: Takimi Thaçi - Putin dhe roli i Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi

Media franceze: Takimi Thaçi - Putin dhe roli i Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi

11:29, 06/02/2019

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë të martën se përkrahësi tradicional i Serbisë, Rusia kishte premtuar të mbështeste pajtimin përfundimtar midis Beogradit dhe Prishtinës, duke hequr një pengesë të mundshme në bisedimet e zvarritura.

Sipas mediumit francez “France24”, përcjell Telegrafi, presidenti Hashim Thaçi tha se ai foli me homologun e tij rus Vladimir Putin në nëntor, në takimin e parë ndonjëherë midis të dy palëve, derisa merrnin pjesë në përkujtimet e njëqindvjeçarit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

“E pyeta shumë drejtpërdrejt – cili do të ishte reagimi i Rusisë nëse Kosova dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje? Përgjigja e tij ishte se ai do ta mbështesë atë”, tha Thaçi në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë në Uashington.

“Përgjigja e tij ishte se ne nuk mund të jemi më serbë sesa serbët. Nuk mund të them se jam impresionuar, por do të mirëprisja nëse do ta mbajë fjalën e tij”, tha ai.

Mediumi në fjalë rikujton se Rusia gëzon veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe ka lidhje të forta kulturore dhe politike me Serbinë, e cila ka bërë fushatë për ta mbajtur Kosovën jashtë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Gjithashtu shkruan ky medium, Kosova, popullata e së cilës është kryesisht shqiptare etnike, shpalli pavarësinë pas një lufte të përgjakshme dhe bombardimeve nga NATO, e cila vazhdon të jetë një forcë paqeruajtëse në Kosovë.

“Bisedimet e drejtuara nga BE për pajtimin kanë bërë pak përparim. Presidenti i SHBA Donald Trump kohët e fundit shkroi një letër që ofronte ndihmë amerikane për të ndërmjetësuar një marrëveshje”.

“Por Thaçi gjithashtu përballet me opozitën në shtëpi, me kryeministrin Ramush Haradinaj duke hedhur poshtë idenë e presidentit për shkëmbimet e territorit me Serbinë”, shkruan tutje France24.

Mediumi francez thekson edhe se në Uashington, Thaçi tha se këmbimet e tokës do të ishin “pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë paqeje” dhe këmbënguli se: “Nuk do të ketë kufij të bazuar në linjat etnike”.

“Jam i bindur se kjo do të mbyllë njëherë e përgjithmonë luftën midis Kosovës dhe Serbisë dhe do të hapë një rrugë të sigurt për anëtarësim në NATO dhe BE”, për të dy vendet, tha ai.

Ai vuri në dukje zgjidhjen e fundit të mosmarrëveshjes së vjetër të emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë, që ranë dakord të riemërtonin Republikën e Maqedonisë së Veriut, si një shenjë se grindjet e thella mund të përfundojnë. /Telegrafi/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco