Kosova, SHBA-të dhe taksa për mallrat e Serbisë në Kosovë

Kosova, SHBA-të dhe taksa për mallrat e Serbisë në Kosovë

22:46, 15/01/2019 Nga Esat Brajshori

Dje rrodhi një informatë në media se SHBA i kërkon Kosovës PEZULLIMIN e taksës në lartësinë e saj prej 100 % ndaj mallrave të Serbisë ...

Pa e gjykuar burimin dhe vërtetësinë e kësaj kërkese, në parim, një kërkesë e tillë nga ana e SHBA-ve për Kosovën, do ishte brenda kornizave diplomatike dhe njëkohësisht, do ishte një mesazh i fortë për udhëheqjen trup e trup e fyta fyt të Kosovës, se Projekti për një Kosovë të Lirë dhe të Pavarur është edhe Projekt Amerikan, dhe së këndejmi, vendimet që kanë të bëjnë me (ç)ekuilibrat rajonal dhe më gjerë, duhet të jenë në sinkron me politikën amerikane.

Aq më tepër kur Kosova, edhe për shumë kohë do të ketë nevojë për mbështetjen amerikane, karshi yryshit serb, ngathtësisë evropiane, dhe ujërave të turbullta të Ballkanit.

Kjo është ABC-ja e të kuptuarit të marrdhënjeve të Kosovës me SHBA-të.

Në të kundërtën, i ke rënë grusht vetvetes.

Do ta lëpish pasdite, atë që ke pështyrë paradite.

Kjo sa u përket raporteve me Amerikën.

Në planin e brendshëm, taksa e 100% ishte kthim në dinjitet ,fuqizim i shtetit dhe stopim, infuzion ekonomik - tregtar i Serbisë në Kosovë, jashtë çdo marrëveshje dypalëshe apo normativave të CEFT-ës etj.

Dhe tani jemi përballë dy qëndrimeve krejt të kundërta të dy vendeve miqësore dhe partner strategjikë,(SHBA - Kosovë) në lidhje me taksën...

Mendoj se sa i përket Kryeministrit Haradinaj, ai personalisht rrafsh edhe 200 vjet nuk do ja hiqte taksën Serbisë, edhe sikur ta njihte Kosovën, siç pat deklaruar më herët, por Kryeministri duhet ta kuptoj se tani nuk është në plan të parë Serbia si palë kundërshtuese, por është partneri ynë,Amerika!

Së këndejmi, kjo betejë ndaj Serbisë është e fituar plotësisht nga qeveria Haradinaj 2,dhe mund të përsëritet në çdo kohë, nëse nuk respektohen marrëveshjet dypalëshe, siç bëjnë me dije SHBA-të.

Deri këtu lojtar i taksës ishte qeveria Haradinaj 2.

Tani në "lojë", duhet të hynë individualisht çdo qytetar i Kosovës dhe kolektivisht çdo familje dhe çdo biznes në Kosovë, duke mos tregtuar dhe duke mos i blerë produktet e Serbisë për asnjë çmim deri në reciprocitet të plotë.

Hajde popull,

E duam këtë vend apo bëhemi se e duam?

Kush mundet me zor të na shtinë me ble mallra të Serbisë?

Askush,ama bash hiq askush.

Andaj, edhe sikur të ri-vërshojnë mallrat e Serbisë në Kosovë,ti bëji të kalben e qelben derisa t'i ulësh tregtarët dhe Serbinë në gjunjë nga humbjet e të mos kenë asnjë llogari të eksportojnë në Kosovë.

Kështu, tugjarët dhe Serbia do detyrohen t'i vejnë taksë vetvetes, edhe atë mbi 100%.

Bëje, po e deshe njëmend shtetin tënd!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco