Gjykimi, i akuzuari për terrorizëm e pranon fajësinë. Emri

Gjykimi, i akuzuari për terrorizëm e pranon fajësinë. Emri

08:33, 10/01/2019

Në një nga gjykimet e rralla të mbajtura dje, Murat Dernjani, i cili po akuzohet për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm, e ka pranuar fajësinë.

Pranimin e fajësisë gjatë seancës së mbajtur sot e ka konfirmuar mbrojtësi i tij, avokati Haxhi Millaku.

“I mbrojturi im e ka pranuar fajësinë dhe është penduar thellë për mënyrën se si është mashtruar. Ai ka kërkuar ndihmë prej organeve të Kosovës të cilat e kanë shpëtuar prej kidnapimit që i kanë bërë terroristët“, tha Millaku për kallxo.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Murat Dernjani,  akuzohet se gjatë vitit 2013 kishte udhëtuar me gruan dhe djalin e tij në Stamboll me qëllim që t’i bashkohej organizatës terroriste ISIS.

Gjithnjë sipas aktakuzës ai i ishte bashkuar organizatës ISIS dhe kishte qenë pjesë e saj deri në gusht të vitit 2017, derisa ishte tërhequr dhe ishte dorëzuar tek autoritetet turke, nga ku e kishte kërkuar kthimin për Kosovë.

Avokati Haxhi Millaku u përgjigj edhe në pyetjen se pse nuk i është bindur bojkotit të kërkuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës.

“Paraburgimi është çështje e lirisë së njeriut. Më është dukur jonjerëzore dhe joetike që unë të jem shkaktari i qëndrimit të tij në paraburgim, prandaj kam qenë në seancë”, tha Millaku.

Sipas tij kjo nuk e ka cenuar vendimin e Odës së Avokatëve të Kosovës.

“Ky veprim nuk e ka cenuar vendimin e Odës, pasi çdo rregull ka edhe përjashtim dhe sidomos rastet me paraburgim, e po ashtu edhe rrethanat familjare të cilat i ka i mbrojturi im. Kam vlerësuar se veprimi im nuk paraqet ndonjë shkelje te vendimit të Odës”, shtoi Millaku.

Oda e Avokatëve të Kosovës përmes një njoftimi për media ka njoftuar se nga sot të gjithë avokatët e Republikës së Kosovës hyjnë në bojkot duke mos përfaqësuar në rastet që i kanë apo duke refuzuar thirrjet e gjykatës dhe prokurorisë sipas detyrës zyrtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco