Delegacioni kosovar në Bruksel: Ka pasur komunikim edhe me Uashingtonin dhe Moskën

Delegacioni kosovar në Bruksel: Ka pasur komunikim edhe me Uashingtonin dhe Moskën

06:56, 09/01/2019

Delegacioni i Kosovës, të martën (08.01) u takua në Bruksel me Përfaqëuesen e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme Federica Mogherini. Ekipi paraqiti mesazhet e Parlamentit, shkruan Deutsche Welle.

Mesazhet kryesore ishin se negociatat tani duhet të bëhen përmes këtij ekipi. Taksa prej 100 përqind nuk mund të hiqet "në të thatë” dhe qëllimi i negociatave duhet të jetë njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Udhëheqësit e delegacionit bën të ditur se gjatë pjesës së parë të këtij viti do të punohet me orarë të ngjeshur për të shfrytëzuar ate që Bashkimi Evropian e quan një "dritare e mundësisë”.

Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i ekipit, theksoi pas takimit me Mogherinin se gjatë muajve të parë të këtij viti do të punohet me një orar të ngjeshur. "Sipas zonjës Mogerini edhe sipas asaj që e kemi dëgjuar nga përfaqësues të Departamentit të Shtetit (SHBA), ideja është që të punohet me një orar pak më të ngjeshur në gjysmën e parë të këtij viti, për të parë se a mund të arrijmë një marrëveshje me Serbinë. Këtu puna po koordinohet shumë afër me shtetet anëtare të BE-së, me shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së… Është e qartë se ka pasur komunikim edhe me Uashingtonin edhe Moskën, se mund të ketë një marrëveshje”, tha Ahmeti.

Taksat nuk hiqen

Mirëpo përderisa bashkësia ndërkombëtare ka bërë angazhim shtesë për arritjen e një marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe presioni është shtuar nga Uashingtoni dhe Brukseli, delegacioni kosovar nuk solli diçka të re nga zhvillimet e fundit. Delegacioni bëri të qartë se taksa prej 100 % nuk duhet të hiqet. Delegacioni e konsideron këtë si mjet të vetëm të Kosovës në politikën e jashtme. Në anën tjetër Serbia ka kushtëzuar pjesëmarrjen e vet në dialog me heqjen e kësaj takse.

"Taksa nuk hiqet në të thatë”, tha Ahmeti. Ai tutje shtoi se nuk bënë të vendosen kushte për zhvillimin e dialogut: "Nuk bënë të thuhet nuk diskutojmë pa e hequr taksën. Çka nëse Kosova thotë nuk diskutojmë derisa Serbia të mos zbatojë marrëveshjen e energjetikës… cili është kuptimi i dialogut?” pyeti Ahmeti.

BE insiston në heqjen e taksave

Nga ana tjetër BE-ja në një deklaratë për media të lëshuar pas takimit ka theksuar "urgjencën e heqjes së taksës” duke theksuar se "marrëveshja gjithpërfshirëse ligjërisht e obligueshme mund të arrihet në një klimë që nuk ndihmon marrëdhëniet e mira fqinjësore, ku marrëveshjet e mëhershme nuk respektohen dhe nuk zbatohen”, thuhet në deklaratën e Mogherinit.

Bashkëkryesuesi i ekipit kosovar Fatmir Limaj tha e nuk do të ketë më "dialog me tema te veçanta”. "Epilogu i dialogut duhet të jetë njohja reciproke, anëtarësimi në OKB, dhe njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën”, tha ai.

Ndërsa Ahmeti theksoi se delegacioni është i gatshëm për dialog. "Mirëpo kjo të mos konsiderohet si një gatishmëri për të bërë kompromise për të cilat nuk ia vlenë. Pra për një njohje nga Serbia duhet ta masim e ta diskutojmë edhe si shoqëri se çka jemi të gatshëm të kemi si pjesë të marrëveshjes, se çka fiton Kosova. Një marrëveshje ku fiton vetëm njëra palë nuk është e pranueshme”, theksoi ai.

Ndarja e Kosovës (nuk) do të lejohet

Sa i përket mundësisë së ndarjes së Kosovës nuk u tha asgjë e re duke u përsëritur porosia e BE-së se zgjidhjet e pranueshme për palët do të jenë të pranueshme edhe për BE-në. Mirëpo këto duhet të jenë në kuadër të vlerave evropiane, pra kundër krijimit të shteteve etnike.

Ky ishte takimi i parë i ekipit të mandatuar nga Kuvendi i Kosovës, por i kontestuar nga dy partitë kryesore opozitare - Vetëvendosje dhe LDK. Porosia ishte se gjashtë mujori i parë i këtij viti do të jetë i ngjeshur me aktivitete dhe negociata. Por pas futjes së taksës nga Kosova, analistët thonë se situata ka shkallëzuar dhe se nuk pritet një rezultat i shpejtë drejt marrëveshjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco