Të përçarë për taksën, timonin e dialogut e mban Thaçi

Të përçarë për taksën, timonin e dialogut e mban Thaçi

14:12, 07/01/2019

Një deklaratë e dhënë nga Presidenti Hashim Thaçi, dhënë për Washington Post, në lidhje me mundësin e largimit të taksës kundër Serbisë, ka ngjallur jo pak reagime në anën e Qeverisë dhe të shoqërisë civile.  Këta të fundit kanë thënë se Presidenca dhe Qeveria duhet të koordinohen për veprimet e tyre dhe të jenë njëzëri në lidhje me taksën ndaj Serbisë dhe dialogun.

Profesori universitar dhe analisti politik, Bekim Baliqi, në një prononcim për Syri Kosova ka thënë se Presidenti më këtë deklaratë vetëm mund të bëjë presion ndaj Qeverisë Haradinaj, sepse nuk ka kompetenca për ta larguar atë.

Taksa është vendosur nga Qeveria dhe mund të largohet vetëm pasi të plotësohen kushtet që janë vendosur, kjo më shumë është një taktik politike që të dyja palët po e luajnë për interesat e veta politike se sa për interesin e qytetarëve, krejt çka po mundohet të bëjë Thaçi është presioni ndaj Qeverisë”, tha Baliqi.

Sipas profesorit Baliqit, në dialog Presidenca dhe Qeveria, duhet të jenë njëzëri dhe të kenë qëndrime të njëjta.

Institucionet e vendit duhen të jenë njëzëri në arritjen e një marrëveshje vendimtare dhe në të mirë të vendit, por që tash e sa muaj kjo Qeveri dhe Presidenca nuk kanë qëndrim të përbashkët karshi Serbisë”, ka thënë Baliqi.

Ndërsa analisti Ramush Tahiraj, i kontaktuar nga Syri Kosova ka deklaruar se është brenda autorizimeve të presidentit që të diskutojë temat për dialogun, pasi është edhe udhëheqës i këtij procesi.

Por sipas tij, Presidenti në njërën anë, dhe Qeveria në anën tjetër duhet të bashkëpunojnë për hapat e radhës në lidhje me taksën, dhe marrëveshjen finale me Serbinë.

Nuk është i vetmi Presidenti Thaçi që ka thënë se taksa do të hiqet dhe marrëdhëniet do të normalizohen, po njësoj ka thënë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, por ky i fundit ka vendosur kushte për të ndodhur një gjë e tillë. Kjo taksë nuk ka të bëjë me përfitime ekonomike por politike, taksa është vendosur për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe të ndërkombëtarëve.”

Më tutje, Tahiri ka kërkuar koordinim dhe konsensus ndërmjet institucioneve të Kosovës në dialog.

 “Serbia ka deklaruar që nuk do të shkojë në bisedime në Bruksel pa heqjen e taksës, kurse Thaçi nuk ka sqaruar se kur ka menduar që të largohet taksa, para apo pas bisedimeve në korpusin e arritje së marrëveshjes e që po thuhet që do të arrihet këtë vit. E në anën tjetër Ekipi Negociator nesër pritet ta ketë takimin njoftues me Mogherinin, por në gjithë këtë, shihet që ky ekip nuk është ekipi politikë, pasi negociatat politike do t’i drejtojë presidenti. Si Qeveria ashtu edhe Presidenca, nuk janë një zëri dhe nuk kanë bashkëpunim mes vete tash e disa muaj, e kjo po vjen në mungesë të një kodi të mirësjelljes pasi gjithsecili po vepron si do vet. E politika e jashtme nuk e do këtë, për interesa kombëtare duhet të kemi qëndrime të njëjta”, tha Tahiri raporton Syri Kosova.

Rikujtojmë se pas deklaratës së Thaçit për Washington Post, reagoi menjëherë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Ai gjatë ditës deklaroi se presidenti nuk është ai që vendos nëse taksa do të hiqet apo jo.

Qeveria e Kosovës që nga 21 nëntori ka vendosur taksë 100% për të gjitha produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco