Si Hashimi, si Albini

Si Hashimi, si Albini

12:53, 06/01/2019 Nga Syri Kosova

Nga Syri Kosova

Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, kundërshtar i ashpër i ekipit negociator të Kosovës në bisedimet me Serbinë, ka kërkuar përfshirjen e përfaqësuesve politikë të Luginës së Preshevës pikërisht në këtë ekip.

Edhe pse Albin Kurti konsiderohet ndër politikanët inteligjentë, bën një gabim të rëndë, duke rënë kështu në kundërshtim me veten e tij dhe subjektin që e drejton. Nëse ti je kundër një mekanizmi, përse duhet t’u propozosh të tjerëve që të bëhen pjesë e tij?!

Gjithsesi, ka një logjikë edhe kjo gafë e Kurtit. Veprimet e liderit opzitar, dikur i ashpër në aksionet e tij kundër dialogut Kosovë-Serbi dhe udhëheqësit të këtij procesi, presidentit aktual, janë shpesh në përputhje me dëshirat dhe planin e Hashim Thaçit.

Luginën nuk e do vetëm Albini në dialog, por edhe Hashimi. Aspak e çuditshme, sepse duket se ka një koordinim mes të dyve.

Kërkesa për përfshirjen e politikanëve të Luginës, mund të nxisë paqartësi të reja, por mbi të gjitha, e zvarrit procesin. Ujku mjegull do. Me gjasë, nuk është vetëm një ujk, por edhe një tjetër që bën servis nga pozita e opozitarit të flaktë në dukje, e të zbehtë në veprim.

Kreu i VV-së, prej se e ka vënë kravatën, është I butë e i urtë, nuk kacafytet e nuk hedh gaz lotsjellës, nuk proteston e nuk bërtet. E tash është koha, kur zëri i vërtetë opozitar, do të duhej të ishte më i fortë se kurrë, kundër ndarjes së Kosovës.

Implikimi me çdo kusht i shqiptarëve të Luginës, është tentim për ta dështuar punën e ekipit negociator, që shihet nga presidenti kosovar, si rrezik për t’i shkuar deri në fund aventurës së tij. Dihet si do të përfundojë ajo. Me shkëputjen e veriut.

Kjo është e pafalshme për Albin Kurtin, që me veprimet dhe mosveprimet e tij, çon ujë në mullirin e Thaçit. Aty, ku si duket, të dy konsumojnë bukën e njëjtë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment