DW: Parlamenti i Kosovës, me bekimin e SHBA, voton formimin e ushtrisë

DW: Parlamenti i Kosovës, me bekimin e SHBA, voton formimin e ushtrisë

08:36, 14/12/2018

Megjithë rekomandimin e disa vendeve anëtare të NATO-s për mosformimin e ushtrisë, parlamenti i Kosovës, me bekimin e SHBA-së të premten voton për transformimin e FSK-së në ushtri.

Nga Deutsche Welle

Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka caktuar seancën plenare për miratimin e tre ligjeve që e mundësojnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, pa iu ndërruar emri. Të premten (14.12) paradite parashihet miratimi i ligjeve, megjithë kundërshtimet e serbëve të Kosovës, pjesë e parlamentit dhe Beogradit zyrtar. Një ceremoni festive pas miratimit të ligjeve mbahet në shtabin qendror të FSK-së.

"Kontribues modest i paqes2

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se "ushtria e Kosovës do të jetë një kontribues modest i paqes në botë”."Transformimi i FSK-së, e bën Kosovën një ofruese të paqes, jo vetëm një përfituese të saj. Nuk mund të jeni të sigurt, nuk mund të ndihmoni paqen dhe stabilitetin në botë, pa qenë në paqe me vetveten, duke pasur ushtrinë tuaj”, tha Haradinaj për Associated Pres. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka disa ditë që po qëndron në SHBA dhe ku vizitoi disa baza ushtarake amerikane.

Image

Ai nga atje komentoi edhe deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-os, Jens Stoltenberg, i cili tha se "një hap i tillë është në një kohë të gabuar dhe është në kundërshtim me këshillat e shumë aleatëve nga NATO dhe mund të ketë pasoja serioze për të ardhmen e integrimit euroatlantik të Kosovës”.

Por kryetari i kuvendit thotë se megjithë këto deklarime, ushtria e Kosovës do të jetë partnere e NATO-s. "Ne do ta votojmë me datën 14 dhjetor dhe drejtimi ynë si shtet është shumë i qartë, Perëndimi, Bashkimi Evropian, NATO, partneriteti shumë i veçantë me SHBA. Po besoj shumë që zoti Stoltenberg do të ketë qëllime të mira dhe do ta kuptojë si një e drejtë legjitime e jona. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran, përndryshe atëherë cila është logjika e funksionalitetit të shtetit tonë?", tha Veseli për mediat.

Foggo: "Forcat e NATO-së janë të përgatitura për çdo vendim”

Nga ana tjetër, është Komandanti i Forcave të përbashkëta të NATO-s në Napoli, James Foggo, i cili tha se Transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës, është një vendim sovran, që duhet ta sjellin deputetët e Kosovës dhe forcat e NATO-së janë të përgatitura për çdo vendim”.

"Kosova është shtet demokratik, siç jeni ju dhe siç është Serbia. Në demokraci ju zgjidhni njerëz që do të marrin vendime në emrin tuaj. Transformimi i forcave të sigurisë së Kosovës është një vendim sovran që duhet ta sjellin deputetët e Kosovës. Ne jemi të përgatitur për cilin do vendim që do ta sjellë Parlamenti këtë javë. Ne jemi atje për të garantuar sigurinë e shtetit të Kosovës”, deklaroi të mërkurën në Shkup, admirali James Foggo, duke u përgjigjur në pyetjen mbi qëndrimin e NATO-os, rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës për formimin e ushtrisë përmes ligjeve.

Beogradi zyrtar i shqetësuar

Të shqetësuar dhe kundër transformimit të FSK-së në ushtri janë shprehur deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës dhe Beogradi zyrtar. Sllavko Simiq, kryetar i Listës Srpska, ka thënë se deputetët serbë do të marrin pjesë në seancë për të kundërshtuar formimin e ushtrisë. "Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë në disponim mekanizma politik, institucional dhe juridik dhe se do t'i përdorim. Nëse ndodh votimi në parlament, ne vendimin e kuvendit do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, citon Tanjug Sllavko Simiqin.

Në veri të Kosovës pjesë kjo e banuar me shumicë serbe, situata tani për tani paraqitet e qetë, ndonëse tensionet janë të dukshme. Një karvan me rreth 50 automjete të rënda të KFOR-it, paraditen e së enjtes u nis drejt veriut të Kosovës. Një zëdhënës i KFOR-it, Vincenzo Grasso, deklaroi se "karvan i automjeteve të KFOR-it drejt veriut të Kosovës, është pjesë e ushtrimeve të rregullta që ky trup i bën në përputhje me mandatin e vet dhe se nuk ka arsye për shqetësim”, transmeton AFP, zëdhënësin Grasso, i cili shton se ushtrimet e KFOR-it, nuk kanë lidhje me votimin e ligjeve në parlament për ushtrinë.

Sipas ligjeve që do të miratohen të premten në Kuvendin e Kosovës dhe që FSK-në e shndërrojnë në ushtri por pa iu ndërruar emri (FSK), me mandatin e ri do të ketë 5.000 trupa dhe 3.000 rezervistë me një buxhet vjetor prej 98 milionë eurosh. FSK, do të jetë në thelb një forcë sigurie që merret me reagimin ndaj krizave dhe operacionet e mbrojtjes civile.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco