Kosova, ndër vendet e para në botë që i kushton rëndësi vaksinimit

Kosova, ndër vendet e para në botë që i kushton rëndësi vaksinimit

08:09, 13/12/2018

Kosova njihet si vend me mbulueshmëri të mirë të imunizimit (vaksinimit). Sipas profesionistëve nga fusha e shëndetit publik, Kosova renditet në mesin e shteteve më të suksesshme në botë sa i përket imunizimit, me 95 për qind të popullatës së vaksinuar. Kurse sfidë më vete mbetet mbulueshmëria e vaksinimit të 5 për qind të popullatës, që i përkasin komuniteteve romë, ashkali e egjiptian.

Përkundër përpjekjeve të bëra nga zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, kjo kategori e shoqërisë vazhdon të mos jetë tërësisht e vaksinuar.

Afro 95 për qind e fëmijëve të vaksinuar, programi përfshin edhe komunitetet

Sipas ekspertëve të fushës së shëndetësisë, vaksinat mund të mbrojnë nga 23 viruse të ndryshme dhe dy lloje kanceri. Vitet e fundit janë duke u zhvilluar një numër më i madh vaksinash, përfshirë një për virusin HIV, që shkakton sëmundjen e AIDS-it apo SIDA-s. Por, me gjithë këto përparime, shumë njerëz në botë zgjedhin të mos bëjnë vaksina as për vete, as për fëmijët e tyre.

Ndërkaq, në Kosovë disa vite të fundit ishte përhapur lajmi se vaksina kundër fruthitshkakton autizmin. Si rrjedhojë, shumë prindër edhe në Kosovë menduan që fëmijët e tyre të mos i vaksinojnë, njofton REL.

Nisur nga lajmet e shumta për efektet anësore të vaksinave, Leonita Bajraktari, nënë e dy fëmijëve, tha për Radion Evropa e Lirë se edhe ajo i kishte rezervat e veta pse dyshonte në vaksinim.

“Jam nënë e dy vajzave. I kam vaksinuar me rregull fëmijët, por megjithatë vajzës së vogël disa muaj ia kam shtyrë vaksinën kundër fruthit, pasi lexoja vazhdimisht se pikërisht kjo vaksinë po e shkakton autizmin. Megjithatë, pas lajmit se në Evropë është rishfaqur fruthi, unë kam vendosur ta vaksinojë, duke e ditur se virusi i fruthit mund të shkaktojë edhe vdekje. Unë si nënë nuk munda ta marrë atë përgjegjësi dhe mos ta vaksinojë vajzën, pasi i gjithë stafi mjekësor ishin kategorik se fëmija duhet vaksinuar”, thotë Leonita.

Epidemiologia Isme Humolli, thotë se vaksina kundër fruthit nuk e shkakton autizmin, duke hedhur poshtë  informatat që jepen nga njerëz të ndryshëm në lidhje me vaksinimin.

“Vaksina kundër fruthit nuk e shkakton autizmin. Mendoj se çdo informatë që është kundër vaksinimit normal ka ndikuar negativisht. Por, paraqitja e rasteve të fruthit automatikisht e ngriti vetëdijen e popullatës dhe kërkesën për t’u vaksinuar dhe ata vetë u lajmëruan për vaksinim”, tha Humolli.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco