Komandanti i UÇK, 'Molla e kuqe' refuzon: Nuk e njoh Gjykatën Speciale, nuk shkoj në Hagë!

Komandanti i UÇK, 'Molla e kuqe' refuzon: Nuk e njoh Gjykatën Speciale, nuk shkoj në Hagë!

07:21, 12/12/2018

Remzi Shala nga Suhareka, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur me pseudonimin “Molla e kuqe”, është i ftuari i radhës për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovë në Hagë.

Këtë e ka konfirmuar vetë Shala. Ai ka thënë se ka marrë thirrje dhe urdhër që më 17 janar të vitit 2019 të paraqitet në Hagë.

Gazeta Express e ka parë edhe thirrjen që e ka marrë Shala për të shkuar në Hagë.

Shalës, ish-komandant i njësisë speciale të Shtabit të Përgjitshëm të UÇK-së, nuk i është thënë se në çfarë cilësie do të intervistohet.

Shala ka thënë se nuk do t’i përgjigjet thirrjes së Gjykatës Speciale, ndonëse në thirrje paralajmërohet se do të gjobitet apo edhe do të dënohet me burgim.

“Unë, Komandant ‘Molla e Kuqe’, i togut të njësisë speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kam pranuar ftesë nga Gjykata Speciale për t’u dorëzuar në Hagë. Deklaroj para gjithë popullit se nuk do të dorëzohem dhe nuk do t’i përgjigjem kësaj ftese”, ka thënë Shala, në një prononcim për Gazetën Express.

“Ata që ma sollën këtë ftesë u deklaruan se janë policë të EULEX-it, ndërsa unë iu kundërpërgjigja se nuk e njoh këtë gjykatë, se unë jam shqiptar, dhe jam krenar për luftën që kam bërë”, është shprehur ai.

Ai u ka bërë thirrje edhe të ftuarve të tjerë të Prokurorisë Speciale që të mos i përgigjen ftesës.

“U bëj thirrje të gjithë shokëve të mi, si kur kemi dhënë besën për atdhe dhe për flamur, ashtu të jemi të një bese, mos ta njohim këtë gjykatë dhe mos të dorëzohemi në Hagë”, ka thënë Shala.

Sipas një aktakuze të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e përfaqësuar nga prokurori Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të vitit 1998, bashkë me disa persona të tjerë, pjesëtarë të UÇK-së, e kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Remzi Shala, në një paraqitje televizive, kishte mohuar se ai ishte i përfshirë në privimin nga liria të Haxhi Përteshit.

Përveç Shalës, deri më tani, nga Prokuroria Speciale janë ftuar për intervistim edhe Rrustem Mustafa, ish komandant i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Nazif Mehmeti, ish-komandant i policisë ushtarake në Zonën Operative të Llapit, Sokol Dobruna, ish-kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, dhe Sami Lushtaku ish-komandant i UÇK-së në Zonë Operative e Drenicës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

pooo drejte e ki15/12/2018 21:31

Vendim me se i aresyeshem.

Shto koment

Denonco