Takimi me Putin, opozita sulmon Thaçin, Vuçiç ironizon: Le të vrapojë sa të dojë pas Presidentit rus

Takimi me Putin, opozita sulmon Thaçin, Vuçiç ironizon: Le të vrapojë sa të dojë pas Presidentit rus

14:21, 13/11/2018

Në Prishtinë partitë politike opozitare nuk e kanë pritur mirë takimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me presidentin e Rusisë Vlladimir Putin. Të dy presidentët Thaçi dhe Putin u takuan në ceremoninë qendrore në Paris, në shënimin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Për këtë takim, pas disa takimeve që presidenti i Kosovës zhvilloi me disa liderë shtetesh, e bëri publik vet Thaçi, shkruan DW.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha në një konferencë për media se "kemi një president të cilit nuk mund t'i zëmë besë se as çka ka folur atje, as çka nuk ka folur në Paris, pasi ndryshe deklarohet këtu e ndryshe atje. Është mirë që presidenti Putin është deklaruar në mënyrë të tillë, në qoftë se është deklaruar. Por, unë jam i bindur se nuk mund të arrijmë marrëveshjen me Serbinë për normalizim marrëdhëniesh e as për njohje reciproke pa angazhim të fuqishëm të SHBA-së”, u shpreh Isa Mustafa.

"Nuk është (presidenti i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq ai që të vë kushte për dialogun dhe për atë që duhet të ndryshojë Kosova në qëndrimet e saj, por është Kosova, e cila duhet të kërkojë të mos vazhdojë dialogu përderisa Serbia nuk e ndërprenë fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës", tha Isa Mustafa.

I ashpër në reagimin e tij lidhur me takimin e Thaçit me Putin, ishte lideri i lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, i cili thotë se "presidenti Thaçi nuk mund të bëjë marrëveshje për Kosovën”. "Pas shumë lëshimeve që i ka bërë Vuçiqit, Thaçi është fotografuar me Putinin. Ai mund të bëjë marrëveshje me të vetëm për kërkesën personale për azil politik në Rusi”, shkroi Albin Kurti.

Reagon edhe Beogradi

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka komentuar me tone cinike takimin dhe fotografimin e Thaçit me Putinin. Vuçiq tha se presidenti i Kosovës "mund të vrapojë sa të dojë pas Putinit dhe të fotografohet me te", por Rusia nuk do ta ndërrojë mendimin dhe nuk do ta njohë Kosovën si shtet. Ngjashëm është shprehur edhe ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco