Raportuesi për Kosovën në PE: Disa shtete, skeptike për heqjen e vizave

Raportuesi për Kosovën në PE: Disa shtete, skeptike për heqjen e vizave

11:08, 12/11/2018

Igor Sholtes, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka deklaruar se te disa shtete anëtare të BE-së kanë mëdyshje sa i përket heqjes së vizave për Kosovën. Megjithatë, ai shpreson se liberalizimi i vizave do të ndodhë në fund të mandatit aktual të Parlamentit Evropian. Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të mbahen në maj të vitit 2019.

I pyetur se a pret që në fillim të dhjetorit të këtij viti të votohet pro liberalizimit të vizave në Këshillin e Ministrave, Sholtes ka thënë që shpreson që edhe Këshilli Evropian sikurse Komisioni e Parlamenti do të votojnë pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

”Po dhe me të vërtetë Komisioni Evropian e Parlamenti Evropian theksuan qartë se ata e mbështesin Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe gjithashtu bënë të ditur se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për të pasur një regjim pa viza të dhënë nga BE-ja. Ndërsa lidhur me Këshillin, unë nuk mund të flas në emër të tyre e as në emër të shteteve anëtare. Sinqerisht shpresoj se ata janë të vetëdijshëm për rëndësinë e çështjes dhe se do të votojnë përpara fundit të këtij vitit, me qëllim që negociatat midis Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian mund të fillojnë atëherë”-ka thënë Sholtes në një intervistë për  gazetën Zëri.

Sholtes ka konfirmuar që lidhur me qëndrimin skeptik të disa vendeve për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën ka biseduar edhe me ministren Dhurata Hoxha.

”Unë kam biseduar me ministren Dhurata Hoxha rreth kësaj çështjeje kur u takuam në Strasburg, dy javë më parë. Disa shtete anëtare me të vërtetë janë në mëdyshje për këtë proces, por nuk ka nevojë që çështja e vizave të kalojë në Këshill me shumicë absolute të votave. Unë kam sugjeruar gjithashtu te ministrja që të takohet në mënyrë bilaterale me ministrat e vendeve që hezitojnë të votojnë në favor të regjimit pa viza për Kosovën për t’i bindur ata se Kosova e meriton regjimin pa viza nga BE”, ka deklaruar ai. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco