I kërkoi shokut të kryente sulm vetëvrasës me bombë, dënohet me burg kosovari

I kërkoi shokut të kryente sulm vetëvrasës me bombë, dënohet me burg kosovari

10:17, 11/10/2018

I akuzuari për nxitje terrorizmi, Rakip Avdyli dhe Kushtrim Podvorica për moskallëzimin e krimit, të mërkurën janë dënuar me burgim nga Gjykata Themelore në Pejë. Në aktgjykim e shpallur nga Lumturie Muhaxheri -kryetarja e trupit gjykues, Rakip Avdyli u shpall fajtor dhe u dënua me një vit e gjashtë muaj burgim. Mirëpo, duke qenë se Avdyli ishte në vuajtje të dënimit për të njëjtën vepër penale, gjykatësja bëri unifikimin e dënimit, dhe i dha  dënim me burg prej dy vjetësh e gjashtë muaj. Kurse, ndaj të akuzuarit Kushtrim Podvorica, për moskallëzim krimi, u dha një dënim prej gjashtë muajsh.

Si Avdyli, i akuzuari Podvorica ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në janar të këtij viti për vepra terroriste, ku kishte propaganduar në facebook në përkrahjen e organizatës terroristë “ISIS”, mirëpo ndaj tij, nuk u bë unifikimi i dënimit. Kjo, ngaqë sipas gjykatëses Muhaxheri, avokatja e të pandehurit Podvorica, Sabrije Krasniqi nuk ia kishte siguruar aktgjykimin me të cilin ishte dënuar Podvorica, përkundër faktit se i kishte premtuar se do t’ia sillte dhe për këtë arsye nuk kishte mundur të bëjë unifikimin e dënimit.

Në seancën e 14 shtatorit 2018, i akuzuari për shtytje në kryerjen e veprave penale, Rakip Avdyli ishte deklaruar fajtor. Ai kishte thënë se pendohet dhe se i vjen keq, që në rrjete sociale ka postuar video dhe fotografi, duke shprehur simpati ndaj organizatës terroriste ISIS. “Ndjej keqardhje për rastin e ndodhur dhe pendohem për veprimet e mija”, kishte thënë Avdyli.

Kurse, i akuzuari Kushtrim Podvorica kishte deklaruar para trupit gjykues se ndihet i penduar për veprën penale duke premtuar se asnjëherë nuk do t’i përsërite veprat e tilla. “Jam penduar, nuk do të përsërisë veprimet e tilla”, tha i akuzuari Podvorica.

I akuzuari Rakip Avdyli ishte shpallur fajtor dhe dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë, në vitin 2017, me dhjetë muaj burg për të njëjtën vepër penale. Kurse, dënimi ndaj tij ishte rritur nga Gjykata e Apelit, me 18 muaj burgim. Edhe Kushtrim Podvorica ishte dënuar në janar të këtij viti për vepra terroriste, ku kishte propaganduar në facebook në përkrahjen e organizatës terroristë “ISIS”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 14 shkurt 2018, Prokuroria Speciale e Kosovës, ngarkon Rakip Avdylin se nga muajit të verës së viti 2017, në vazhdimësi, ka postuar mesazhe për publikun, me qëllim që të shtyjë kryerjen e aktit terrorist. Në dispozitiv të aktakuzës përshkruhet veprimet inkriminuese të akuzuarit Avdyli, ashtu që në profilin e tij në facebook me emrin Rakip Abdyli, ka postuar video incizime, fotografi duke shprehur haptazi përkrahjen dhe simpatinë ndaj organizatës terroriste, Shtetit Islamik-ISIS. Në bazë të aktakuzës, përmes këtyre postimeve shpreh urrejtje ndaj pjesëtarëve tjerë të komunitetit dhe propagandon islamizmin, ashtu që fotografitë e publikuara që paraqesin “Xhihadistë” dhe “sulmues vetëvrasës”, ku ka komentuar “për njo qësi lazem, po spo ka ksajde”, dhe komente tjera, me qëllim që të shtyjë kryerjen e aktit terrorist. Kurse, të pandehurin Kreshnik Podvorica, aktakuza e ngarkon se në periudhë të pacaktuar të vitit 2017, nuk e ka lajmëruar veprën penale dhe kryesin e saj.

Përshkrimi i veprimeve inkriminuese të pandehurit Kreshnik shpjegohet me atë se ai ka pasur kontakte me persona që kanë marrë pjesë në Siri dhe të cilët janë marrë me aktivitete terroriste, ashtu si i i pandehuri Rakip Avdyli, për të cilin ka qenë në dijeni se merret me aktivitete të tilla dhe ka kërkuar nga ai që të kryejë një sulm vetëvrasës në territorin e Republikës së Kosovës, duke i thënë “se i duheshin të holla për financim dhe disa vëllezër mysliman, për të organizuar një sulm vetëvrasës kundër shtetit, kundër qeverisë. Edhe pse nuk ka pranuar, i pandehuri Kreshnik nuk e ka lajmëruar rastin në polici./Betimi për Drejtësi

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco