Rama do propozojë me çmimin ‘Nobel për Paqe’ treshen Mogherini-Thaçi-Vuçiç

Rama do propozojë me çmimin ‘Nobel për Paqe’ treshen Mogherini-Thaçi-Vuçiç

13:33, 12/08/2018

Nga Nikoll Lesi

Në Ballkan po forcohet influenca ruse e kineze.

Katër janë aktorët ballkanikë, të cilët në një unitet ideshë, interesash private dhe pazare rajonale për të mbretëruar gjatë, bashkërendojnë djallëzisht, ndërkohë që BE dhe SHBA janë në një sherr dhe në kuotat më të ulëta historike.

Ata të katër janë: Presidenti turk Erdogan, Presidentët Thaçi e Vuçiç dhe i kudondodhuri kryeministri Edi Rama.

Presidenti turk Erdogan tashmë njihet si një ‘sulltan’ i ri. Së fundmi ka ashpërsuar tonet ndaj Presidentit Trump dhe vetë SHBA. Luan me portën ruse, e cila hapet sipas interesave të Moskës.

Por presidenti turk ka miqësi të madhe dhe autoritare (natyrisht në interesa financiare) mbi presidentin kosovar Thaçi dhe kryeministrin shqiptar Rama. Ky i fundit, përveç interesave ekonomike, e ka Erdogan edhe si idhull, pra si një model drejtimi.

Kjo e bën të rrezikshëm kryeministrin shqiptar, pasi duke qenë lojtar-aktor i madh në shërbim të pushtetit të tij kryeministror, luan rolin e njeriut përbashkues mes Erdogan-Vuçiç-Thaçi.

Edhe për mënyrën hokatare të takimeve, ku bëhet kryeaktor, në raste të tilla.

Këtë mjeshtri, dreqi, e ka!

Pra duke shfrytëzuar indiferencën e administratës Trump kohët e fundit ndaj Ballkanit Perëndimor, këta të katër, po realizojnë planet e tyre pushtetmbajtëse dhe thes-eurofituese. Dhe pothuaj ia kanë arritur. Por tani për tu bërë edhe heronj, po luajnë kartën e ‘ndryshimit të kufinjve’.

Problemi kryesor i BE në Ballkan janë marrëdhëniet e brishta Serbi-Kosovë. Boll kanë hallet e tyre si BE, dhe nuk duan më që të lodhen me tensionet Beograd-Prishtinë. Ndërkohë që Kosova është në anën e fituesit të luftës, pra me NATO dhe BE, dhe si rregull fituesi pothuaj dikton, por po i afrohet një skenar djallëzor e tinëzar, popullit të Kosovës.

Po kërkojnë të ndryshojnë kufinjtë e Kosovës, e ku në këmbim Beogradi patjetër që do fitojë, pasi diplomacia serbe njihet si ekspansioniste ndër shekuj. Plani i sajuar përbukuri nga Rama-Vuçiç, mundet edhe nga komisionerja e BE, Mogherini është që të arrihet një pakt Kosovë-Serbi për ndryshimin e kufijve dhe më pas Serbia e njeh zyrtarisht shtetin e ri të Kosovës. Fiton BE-ja e cila heq qafe një shqetësim të madh, të cilin e mban me zor në zverk.

Serbia zgjerohet realisht në një Serbi të madhe me dorën e Presidentit Thaçi, Kosova duket sikur fiton Luginën e Preshevës, por që realisht humbet 2/3 e saj, pa harruar se ikën përfundimisht Trepça e Liqeni Ujmanit, jetik për energjinë kosovare. Humb edhe Mitrovicën veriore, bile arrihet deri aty sa edhe kulla e Isa Boletinit kalon në varësi të ministrisë së kulturës serbe.

Imagjinoni Isa Boletinin, heroin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe legjendarin e Kosovës, duke u shpjeguar në serbisht turistëve të huaj!

Ndërkohë Turqia rrit influencën politike dhe ekonomike në Ballkanin  Perëndimor. Edhe Rusia nuk ka e shqetësim, pasi linja Ankara-Moskë po rrit fluturimet muajt e fundit. Serbia merr republikën Serbska të Bosnjës.

 

Dhe plani, me bashkëskenarist Edi Ramën dhe një Fondacion të huaj, zgjidh një shqetësim europian të paqes mes Kosovës dhe Serbisë, por zhduk demokracinë reale, forcon pushtetin despotik, copëton Kosovën në jetë të jetëve dhe duke luajtur shkëlqyer në fushën e artit publik e mediatik do ta shpallin veten si triumfator të zgjidhjes së një konflikti të madh ballkanik, europian, bile botëror.

Komisionerja europiane Mogherini si negociatorja e bisedimëve Vuçiç-Thaçi do të marrë meritat. Por duhet dhe një njeri që ti bëjë heronjë me kurorë. Ai është Edi Rama. Do ti propozojë ai për çmimin ‘NOBEL PËR PAQEN’ treshen: Mogherini, Vuçiç dhe Thaçi.

Europa lehtësohet, SHBA indiferente, ndërsa Kosova gëzon e copëtuar përjetë të jetëve.

Dhe këta të katërt; Erdogan, Thaçi, Vuçiç dhe Rama mbretërojnë duke ndihmuar njeri-tjetrin.

Botuar në gazetën Koha Jonë

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco