Vaji i kanabisit kuron kancerin?! Mjekët kosovarë dyshojnë

Vaji i kanabisit kuron kancerin?! Mjekët kosovarë dyshojnë

14:01, 13/06/2018

Pacientët kosovarë, të cilët vuajnë kryesisht nga sëmundja e kancerit dhe sëmundje të tjera që lidhen me sistemin nervor, kohëve të fundit kanë filluar që ta përdorin një vaj të quajtur "vaji i kanabisit". Ky vaj po përdoret për menaxhimin e dhimbjeve, nervozes, depresionit. Por në Kosovë ky vaj nuk shitet në barnatore. Ndërkohë që në vendet fqinje ai mund të blihet pa recetë të mjekut

Mjekët kosovarë deklarojnë se këtë lloj ilaçi nuk ia kanë dhënë asnjëherë pacientëve kosovarë në recetë. Por, në QKUK thonë se janë në dijeni që pacientët e përdorin këtë lloj të vajit. Kështu ka deklaruar për Express, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ekrem Hyseni.

“Vaji i kanabisit më shumë përdoret kryesisht për menaxhimin e dhimbjeve. Përdoret nëpër vende të ndryshme. Nuk është produkt bazë për përdorim, është i dorës së tretë. Ne nuk e përshkruajmë këtë terapi. Pacientët në disa raste e blejnë vetë. Nuk e di se ku e marrin atë bar”, thotë Hyseni.

Më tej ai thotë se nuk ka ndonjë të dhënë shkencore që ky ilaç ka ndonjë efekt. Thotë se pacientët kosovarë furnizohen me të jashtë Kosovës.

“Shkencërisht ky ilaç nuk ka ndonjë efekt. Ata që e marrin jashtë e marrin në doza të vogla të kanabisit 5 deri në 7%. Nuk ka efekt tjetër, e rregullon pak humorin. Dëshmi të tjera për këtë punë nuk ka. Zakonisht merret në formë të ampulave”, thotë tutje Hyseni.

E ka disa vite që nëpër barnatoret e Maqedonisë mund të gjendet vaji prej kanabisit, i cili jepet pa recetë të mjekut, dhe që përmban sasi të THC (ekstrakt nga kanabisi) më pak se 0.2% me dy përqendrime të CBD – prej 5% dhe 7%. Nga aty pacientët tanë po furnizohen.

Por, krahas Kosovës e cila e ndalon shitjen e këtij vaji, njësoj vepron edhe Britania e Madhe. Para disa ditëve në këtë shtet është bërë temë diskutimi sekuestrimi i këtij vaji që disa doganierë ia kanë bërë një zonje. Një nëne nga Britania e Madhe oficerët doganorë gjatë javës së kaluar i kishin konfiskuar një sasi të vajit të kanabisit që po e sillte nga Kanadaja.

Kjo grua kishte kohë që e importonte këtë lloj të vajit nga jashtë, ngase në Britani të Madhe ishte e ndaluar shitja e tij. Këtë vaj, zonja e siguronte për djalin e saj, i cili ishte i sëmurë nga epilepsia. Me përdorimin e tij, ajo thotë se sulmet epileptike tek djali i saj janë ndalur. Por shpresat për këtë grua thuajse janë shuar.   

Qeveria britanike po akuzohet se me këtë veprim po rrezikohet jeta e 12-vjeçarit, Billy Caldwell, pasi që autoritetet doganore e konfiskuan vajin të cilin ai e përdorte për t’i mënjanuar sulmet epileptike.

Nëna e Billit, u ka thënë mediave se në doganë ajo ka deklaruar se ky ilaç po i duhet për shpëtimin e jetës së djalit të saj. Madje thotë se në “sytë e doganierëve kishte lot”, kur e konfiskuan medikamentin. Tutje, Qeveria është akuzuar për rrezikimin e jetës së 12-vjeçarit Billy Caldwell pasi zyrtarët e doganave të Heathrow konfiskuan një medikament të bazuar në kanabis që përdoret për të trajtuar epilepsinë e tij të rëndë. Nëna e Billy tha se receta ishte lëshuar në Toronto, Kanada.

 “Pa atë ilaç, sulmet e epilepsisë së Billyt do të kthehen dhe ai me siguri do të vdesë. Unë u shkatërrova absolutisht që e morën, duke marrë parasysh se unë ua paraqita atyre një analizë dhe një raport të plotë mbi provat klinike që janë bërë për fëmijët si Billy në Kanada”, tha nëna e Billyt.

Ajo ka shpjeguar se Billy pësoi deri në 100 sulme të epilepsisë deri në momentin kur kishte filluar që ta përdor vajin e kanabisit në SHBA gjatë vitit 2016. Ndërsa me përdorimin e këtij vaji, ai ka kaluar 300 ditë pa pasur asnjë sulm.

Billy u bë personi i parë në Britani të Madhe që mori marihuanë mjekësore nëpërmjet një recetë NHS, me mbështetjen e mjekut të përgjithshëm në Tyrone, të Irlandës së Veriut.

Megjithatë, muajin e kaluar, Zyra e Shtëpisë, urdhëroi mjekun ta ndalonte recetën ose do ta humbiste licencën e tij mjekësore.

Në pamundësi për të marrë recetën e tyre të rregullt, familja është duke llogaritur derisa mjekimi i tyre të mbarojë, dhe kanë lobuar në Zyrën e Shtëpisë për të ndryshuar ligjet për të mbështetur njerëzit si Billy. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco