Serwer: Për vendin e Kosovës në OKB vendos Moska, jo Beogradi

Serwer: Për vendin e Kosovës në OKB vendos Moska, jo Beogradi

09:43, 13/06/2018

Analisti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka theksuar se për ulësen e Kosovës në OKB nuk vendos Beogradi, por Moska. Sipas tij, ky synim është vështirë të arrihet me negociata edhe nëse do të pajtohej Beogradi

Gjatë fazës përfundimtare të dialogut Prishtina dëshiron të vazhdojë me themelimin e ushtrisë, përderisa Beogradi me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Në anën tjetër për njohjen e Kosovës negociatat duhet të zhvillohen midis Beogradit dhe Bashkimit Evropian (BE).

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” analisti amerikan për Ballkanin Daniel Serwer, duke shtuar se gjatë këtyre negociatave  BE-ja do të këmbëngulë për një normalizim të plotë dhe të pakthyeshëm, që sipas tij nënkupton njohje të ndërsjellë dhe shkëmbim të përfaqësuesve në nivel ambasadorësh.

Serwer ka folur edhe për mundësinë që Kosova gjatë negociatave me Serbinë ta fitojë ulësen e vet në OKB.

“Sa i përket anëtarësimit në OKB është e rëndësishme të mbani mend se nuk është Beogradi që do të vendosë, por Moska. Unë mund të imagjinoj për fat të keq një situatë në të cilën Beogradi konkludon se anëtarësimi në OKB është një ide e mirë, por Moska refuzon”, ka shtuar Serwer me tej në intervistën për “Zërin”.

Analisti amerikan për Ballkanin ka folur edhe për formimin e ushtrisë së Kosovës, për liberalizimin e vizave me BE-në dhe për Gjykatën Speciale.

Zgjidhja, brenda Kushtetutës

Zëri: Z. Serwer, Kosova dhe Serbia së shpejti pritet t’ia nisin fazës finale të dialogut, të cilin me gjasë do ta udhëheqin presidentët Thaçi dhe Vuçiq. Sa mund të zgjasë deri tek arritja e marrëveshjes përfundimtare dhe a do të zgjidhen me këtë rast të gjitha çështjet mes dy shteteve?

Serwer: Ajo mund të zgjasë përgjithmonë ose një orë. Unë shpresoj se gjithçka do të zgjidhet, por nuk jam optimist për këtë.

Zëri: Në këtë fazë të dialogut po paralajmërohen edhe kompromise të mundshme. Sipas jush, cili mund të jetë kompromisi që mund ta ofrojë pala kosovare e cili do të ofrohet nga pala serbe?

Serwer: Kjo u takon negociatorëve të vendosin, por qartë Prishtina dëshiron të vazhdojë me ushtrinë dhe Beogradi dëshiron të vazhdojë me Asociacionin e Komunave Serbe. Për njohjen e ndërsjellë dhe vendosjen e ambasadave negociatat duhet të jenë vërtet midis Beogradit dhe BE-së, të cilat besoj se do të këmbëngulin në një normalizim të plotë dhe të pakthyeshëm. Kjo do të thotë njohje e ndërsjellë dhe shkëmbim i përfaqësuesve në nivel ambasadorësh.

Zëri: Gjatë këtyre negociatave a mund të tejkalohet Pakoja e presidentit Ahtisaari, pasi që po përmendet edhe një lloj autonomie për veriun e Kosovës, i cili është i banuar me shumicë serbe?

Serwer: Shpresoj që zgjidhja mund të gjendet brenda parametrave të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Bosnjëzimi i Kosovës, ide e keqe

Zëri: A është humbje për Kosovën nëse serbëve u ofrohet autonomi në këmbim të ulëses në OKB. Përkatësisht a është kjo një bosnjëzim i Kosovës, siç po pretendon partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje?

Serwer: Bosnjëzimi nuk do të ishte një ide e mirë, sepse e bën aq të vështirë qeverisjen funksionale. Serbët në komunitetet në jug të Ibrit më duket mua se janë shumë të kënaqur me qeverisjen e tyre lokale. Unë shpresoj se veriu do të jetë gjithashtu. Sa i përket anëtarësimit në OKB, është e rëndësishme të mbani mend se nuk është Beogradi që do të vendosë, por Moska. Unë mund të imagjinoj për fat të keq një situatë në të cilën Beogradi konkludon se anëtarësimi në OKB është një ide e mirë, por Moska refuzon.

Asociacioni, pa kompetenca ekzekutive

Zëri: A duhet pranuar si zgjidhje kompromisi Marrëveshjen që Asociacioni i Komunave Serbe të ketë kompetenca ekzekutive, siç ishte nënshkruar fillimisht Marrëveshja në Bruksel, ndonëse Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se kjo marrëveshje shkel Kushtetutën?

Serwer: Unë jam me Gjykatën Kushtetuese. Unë gjithashtu mendoj se do të jetë e vështirë për Asociacionin që të marrë vendime ekzekutive, pasi interesat e komunave të ndryshme serbe janë të ndryshme.

Virtyti i Thaçit, njohja e Vuçiçit

Zëri: Në Kosovë shumica e partive parlamentare nuk po e pranojnë që udhëheqës i dialogut të jetë presidenti Thaçi. A do të mundë të nisen negociatat pa arritur një konsensus të brendshëm politik?

Serwer: Ata mund të jenë, por do të ishte shumë më e preferueshme të shkonin në negociata të bashkuar. Presidenti Thaçi ka virtytin e madh të njohjes së Vuçiqit nga negociatat e mëparshme. Por u takon kosovarëve, jo mua, për të vendosur se kush mund t'i përfaqësojë ata më së miri.

Zëri: Këtë muaj Komisioni Evropian pritet të dalë me një propozim konkret në lidhje me liberalizimin e vizave me BE-në për Kosovën. A prisni që në fund të këtij viti edhe kosovarët të lëvizin lirshëm në BE?

Serwer: Do të jem i zhgënjyer nëse nuk dalin (me propozim konkret). Është shumë e rëndësishme.

Zëri: A mund të jenë pengesë në procesin e liberalizimit të vizave 5 shtetet mosnjohëse të pavarësisë, duke e përfshirë këtu edhe Spanjën?

Serwer: Ato mund të jenë, por do të ishte një gabim nga ana e tyre. BE-ja ka bërë një premtim. Duhet ta mbajë atë.

Ushtria e Kosovës s’e kërcënon Serbinë

Zëri: Procesi i formimit të ushtrisë së Kosovës ka vite që ka ngecur për shkak të kundërshtimit të deputetëve serbë në Kuvend dhe të Qeverisë së Serbisë. Si të arrihet kompromisi me serbët dhe a është opsion vazhdimi i formimit të ushtrisë në kundërshtim me rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë?

Serwer: Unë mendoj se Kosova ka nevojë për një ushtri, jo vetëm për mbrojtje, por edhe për pjesëmarrje në misionet ndërkombëtare dhe për kompletimin e sovranitetit. Unë nuk shoh se si ajo do të kërcënonte Serbinë, e cila gjithmonë do të mbetet shumë më e fortë në aspektin ushtarak sesa Kosova. Duhet të jetë absolutisht e qartë se nuk do t’i kërcënojë as serbët brenda Kosovës. Por unë mendoj se kjo (ushtria) është plotësisht e realizueshme.

Zëri: A prisni që këtë vit ta nisë punën Gjykata Speciale e Kosovës, e cila është funksionale gati qe një vit?

Serwer: Unë me të vërtetë nuk kam asnjë ide. I lë gjykatat të veprojnë sa herë që mendojnë se është e përshtatshme. Pavarësia e gjyqësorit nuk është vetëm një slogan. As nuk është supozim i pafajësisë: Shpresoj që sapo Gjykata të fillojë të veprojë ne të gjithë mund t’i pezullojmë vlerësimet derisa të arrijë një përfundim faktik mbi fajin ose pafajësinë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco