Dialogu Kosovë - Serbi hyn në qorrsokak

Dialogu Kosovë - Serbi hyn në qorrsokak

09:13, 13/06/2018

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është futur në qorsokak dhe nuk dihet se kur do të vazhdojë. Palët flasin për një fazë të re të dialogut, e madje edhe për një "Rambuje 2".

Nga Deutsche Welle

Krerët e Serbisë po japin deklarata kontradiktore. Brenda një dite u dëgjuan dy pohime kundërthënëse. Gjatë ditës disa autoritete thanë se nuk dihet kur do të vazhdojë dialogu. Ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiq doli në mbrëmje dhe tha se dialogu do të vazhdojë deri në fund të muajit qershor.

Në Beograd thonë se gjërat nuk mund të parashikohen për shkak të qëndrimit të paparashikueshëm të Prishtinës dhe se tani nuk dihet nëse dialogu do të vazhdojë, sepse nuk dihet çfarë marrëveshje mund të arrihet. Nëse nuk ka lëvizje në dialog, atëherë dialogu nuk ka kuptim thotë Milovan Drecun, kryetar i Komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë.

Tre skenarë

Serbia mendon se dialogu është në udhëkryq. Me këtë pohim është dakord edhe analisti Dragomir Angjelkoviq, i cili për DW thotë: „Prishtina nuk e ka plotësuar asnjë kusht të parashikuar në Marrëveshjen e Brukselit. Serbia po bën gjithnjë e më shumë lëshime, ndaj nuk shoh personalisht se në ç'mënyrë duhet të vazhdojë dialogu, nëse nuk realizohet Marrëveshja e Brukselit, e këtu mendoj në radhë të parë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe".

Deri tani kemi pasur një lloj simulimi të dialogut, ku Serbia ka bërë lëshime, para hapjes së secilit kapitull të negociatave me BE, thotë Angjelkoviq. Por ai mendon se Beogradi ka ardhur deri tek momenti kur nuk mund të bëjë lëshime të tjera, nëse pala shqiptare nuk i realizon detyrimet e veta.

Dialogu në Bruksel është në udhëkryq. Këshu mendon edhe Dushan Janjiq, kryetar i Forumit për raporte etnike në Beograd, Sipas tij, ekzistojnë dy rrugëdalje nga situata e tanishme: Vazhdimi i dialogut dhe nënshkrimi i marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe mundësia e dytë, konfliktet lokale etnike dhe vazhdimi i tensioneve, mendon Janjiq. „Por ekziston edhe skenari i tretë, e ai është dështimi i formatit të Brukselit dhe të gjitha atyre që janë arritur deri tani. Kjo do të nënkuptonte marrjen e vendimeve të njëanshme dhe largimin për një kohë të gjatë të Serbisë nga rruga e integrimeve në BE, e ndoshta edhe ndonjë masë tjetër edhe më drastike", pohon Janjiq.

(Pa)mundësia për një Rambuje 2

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka folur për një mundësi të një dialogu të ri mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst ka përmendur edhe inkuadrimin në këtë dialog të Rusisë dhe SHBA. Dragomir Angjelkoviq thotë, se në këtë dialog duhet të përfshihen forcat që mund të garantojnë se Prishtina do t'i plotësojë detyrimet nga marrëveshja e Brukselit. "Serbia nuk ka punë vetëm me Prishtinën por edhe me forcat perëndimore që mund të ushtrojnë presion ndaj Kosovës. Ato nuk e kanë bërë këtë deri më tani. Në këtë mënyrë do të hiqej perdja dhe Prishtina do të detyrohej që t'i kryejë detyrat e veta", thotë ai.

Një vëmendje e posaçme në Beograd po i kushtohet së fundi edhe spekulimeve për një konferencë të ngjashme me atë të Rambujesë. Por Dushan Janjiq thotë, se ka dallime mes Rambujesë dhe një konference tjetër për Kosovën. Ajo për të cilën flitet tani është mundësia e riaktivizimit të një Grupi të Kontaktit, ku do të ishte edhe Rusia, që do të forconte edhe rolin e Serbisë. "Konferencat e Rambujesë dhe Dejtonit janë mbajtur në kohën e luftërave. Tani nuk kemi luftë. Përveç kësaj, asokohe Rusia ka pasur një bashkëpunim të plotë me Perëndimin, që tani nuk e ka. Rusisë i përgjigjet tani më shumë hapja e krizave të reja, ashpërsimi i situatave, për të shitur pak teknologji", thotë Janjiq.

Ndërsa Angjelkoviq mendon se çfarëdo marrëveshje mes forcave të mëdha do të sillte lëvizje pozitive. "Mendoj se modeli i ngjashëm si Rambuje është i pamundur. Kjo mundësi ekziston vetëm nëse dakordohen Rusia dhe Perëndimi, të cilat do të bënin presion ndaj palës serbe dhe shqiptare. Kjo nuk më duket reale në këtë moment", pohon ai.

Situata e keqe e sigurisë

Përveç ngecjeve në dialog, edhe situata e sigurisë në rajon është keqësuar. Presidenti Vuçiq flet për sulme ndaj serbëve dhe pasurive të tyre në Kosovë. Ai mendon se sulmet nuk janë të rastësishme. Dushan Janjiq thotë se këtu kemi të bëjmë me disa zhvillime: "Së pari kemi konflitket mes bandave. Autoritetet serbe duhet të shpjegojnë pse bandat nga Leskovci shkojnë dhe plaçkisin në Graçanicë, e këto gjëra llogariten më pas si incidente etnike? A synon ajo që pas destabilizimit të veriut, me vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe arrestimin e Marko Gjuriqit, të destabilizohet edhe Graçanica? Situata e sigurisë është katastrofale, por kjo nuk i pengon autoritetet ndërkombëtare të jenë të gatshme dhe të reagojnë kur duhet", thotë Janjiq.

Ndërsa Angjelkoviq mendon se këto incidente nuk paraqesin ndonjë rrezik serioz, por vetëm një masë e presionit psikologjik ndaj Beogradit. "Mendoj se Kosova nuk është e interesuar që gjendja të përshkallëzojë, sepse kjo do t'i kthehej si bumerang", pohon Angjelkoviq.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco