Rishikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, qeveria Haradinaj akoma pa grup pune

Rishikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, qeveria Haradinaj akoma pa grup pune

13:26, 23/05/2018

Qeveria e Kosovës ende nuk ka bërë asnjë hap lidhur me formimin e ekipit të  punës për rishikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, i cili parashikohet me marrëveshjen e arritur mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Flip Vujanoviç.

Kjo marrëveshje ishte arritur pasi Kosova për tre vjet kishte dështuar të ratifikonte demarkacionin, për shkak të dyshimeve se po  humb territor.

Por, edhe pse janë bërë dy muaj nga ratifikimi i demarkacionit, nuk ka ndonjë gjë konkrete sa i përket fillimit të korrigjimit.

Nga Zyra për Komunikim me Publikun e Qeverisë së Kosovës, kanë thënë se kjo çështje do të përfundojë në një të ardhme të afërt.

“Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri Haradinaj është në kontakte të rregullta me homologun e tij malazez Markoviç dhe në një të ardhme kjo çështje do të marrë epilogun meritor”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi  në shkurt kishte bërë të ditur se bashkë me homologun malazez kishin arritur marrëveshje e cila pas ratifikimit do të mundësonte rishikimin për çështjet e kontestuara.

Kjo marrëveshje kishte bërë që edhe dy ish-partitë opozitare  AAK-Nisma ta votojnë  demarkacionin, ndërsa që Vetëvendosje nuk kishte ndryshuar qëndrim , edhe pas kësaj marrëveshje.

Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, ka qenë njëri nga kushtet kryesore që Kosovës ti hiqet regjimi i vizave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco