Eksperti i sigurise lslami: Forcat e Armatosura të formohen në bashkëpunim me aleatët

Eksperti i sigurise lslami: Forcat e Armatosura të formohen në bashkëpunim me aleatët

11:16, 23/05/2018

Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës duhet të bëhet në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, duke kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Kështu ka thënë njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami duke shtuar se mënyra më e mirë e formimit të Forca të Armatosura është ajo përmes ndryshimeve kushtetuese, duke kaluar me votim nëpër Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, sipas tij, tani për tani kjo çështje duket të jetë e pamundur për shkak të Listës Serbe, e cila është deklaruar hapur se nuk do ta votojë një gjë të tillë.

“Do të ishte e rrugës që formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës të bëhet në bashkëpunim dhe bashkërendim me faktorin ndërkombëtar. E në anën tjetër, nëse nuk ka efekte juridike, Qeveria e Kosovës do të duhej që ta çojë në Kuvendin e Kosovës, ta miratojë formimin e ushtrisë së Kosovës edhe përmes ligjit”, tha ai për RTK.

Madje Islami thotë se formimi i Ushtrisë së Kosovës do të ndikonte edhe në sigurinë rajonale.

“Kjo është njëfarë mënyre presion ndaj bashkësisë ndërkombëtare që sa më parë të formohet Ushtria e Kosovës, për shkak se unë nuk kam dëgjuar që një shtet që është me sovranitet dhe integritet territorial dhe të mos ketë ushtri të vetën!”, tha ai.

Kurse, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, tha se ndryshimet ligjore për themelimin e ushtrisë janë bërë dhe se tashmë ato pritet të kalojnë në Kuvend.

“Para se t’i dorëzojmë në Qeveri ne e kemi marrë deklaratën nga Ministria e Financave për ndikimin buxhetor dhe nga Ministria e Integrimeve për përputhshmërinë e ligjeve me ato të BE-së, dhe tashmë po e presim punën e Qeverisë se kur do t’i procedojë më tutje”, tha ai.

Se Ushtria e Kosovës do të themelohet në një periudhë shumë të shpejtë, është shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ditë më parë në një konferencë për medie, ku kishte thënë se në një formë ose një tjetër Forcat e Armatosura të Kosovës do të formohen.

Ai planin për transferim të FSK-së në ushtri ua kishte paraqitur edhe ambasadorëve të akredituar si dhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë që shërbejnë në Kosovë.

FSK është themeluar në vitin 2009, kurse misioni i kësaj force është që të kryejë operacione të reagimit ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj, operacione të mbrojtjes civile brenda Kosovës si dhe t’u ndihmojë autoriteteve civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco