Kërcënimi i Erdogan, vjen reagimi i parë nga Kosova, Veseli: Të befasuar...

Kërcënimi i Erdogan, vjen reagimi i parë nga Kosova, Veseli: Të befasuar...

14:33, 01/04/2018

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Veseli ka thënë se është i befasuar me deklarimet e presidentit turk.

“Jemi të befasuar me deklarimet e Presidentit te Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan, të drejtuara ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, në një kohë kur institucionet e Republikës së Kosovës po trajtojnë në hollësi veprimet që çuan në arrestimin dhe deportimin nga Kosova në Turqi të gjashtë shtetasve turq. Këto deklarata janë shqetësuese, sepse vijnë nga lideri i një vendi mik, mbështetja e të cilit shtet është dëshmuar në vazhdimësi para dhe gjatë gjithë ekzistencës së shtetit tonë. Andaj, deklarimet e tilla nuk i kontribuojnë forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit te ndërsjellë, për çka vendi ynë ka qenë dhe është i përkushtuar”, ka shkruar Veseli.

Më tej, në një shkrim në llogarinë e tij në “Facebook”, ai ka shtuar se Kosova do të vazhdojë rrugën e saj evropiane, duke ofruar bashkëpunim për shtet mike si Turqia.

‘Veprimet e institucioneve të Republikës se Kosovës janë sovrane dhe si të tilla nuk mund t'u nënshtrohen presioneve të jashtme. Në këtë drejtim, edhe marrja në përgjegjësi e bartësve të institucioneve të sigurisë është çështje e brendshme dhe në diskrecion të lidershipit të Kosovës. Republika e Kosovës do të vazhdojë pa kompromis rrugën e vet evropiane, të forcimit te vlerave perëndimore dhe demokratike, duke ofruar bashkëpunimin e vet me të gjitha ato shtete mike që duan raporte të respektit të ndërsjellë, duke përfshirë edhe Republikën e Turqisë”, ka shkruar Veseli.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, pas shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe shefit të AKI-së, ka kritikuar kryeministrin Ramush Haradinaj duke thënë se populli i Kosovës nuk ia jap më tutje mbështetje për të qeverisur më vendin.

Ministri Flamur Sefaj dhe shefi i AKI-së, Driton Gashi janë shkarkuar pasi nuk kanë njoftuar paraprakisht kryeministrin për arrestimin dhe depërtimin e gjashtë turqve nga Kosova të cilët kërkohen nga shteti i Turqisë, nën dyshimet se janë mbështetës të Fetullah Gylenit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco