Vedat Muriqi ka qenë i pandalshëm mbrëmë, ku me skuadrën e tij Mallorca ka ndalur në barazim 1-1 Real Madridin në ndeshjen e javës së parë në La Liga.
Ylli kosovar ishte i papërmbajtshëm në fushë duke arritur të realizojë edhe një gol shumë të bukur me kokë.
Përveç golit Muriqi ishte rreziku kryesor për “Los Blancos”, derisa në fund të ndeshjes e nxorri nga loja edhe Ferland Mendyn me karton të kuq.
Prizrenasit në fund i takoi çmimi lojtari i ndeshjes, edhe pse në fushë ishin edhe yjet më të mëdha botërorë si Kylian Mbappe, Vini Jr, Jude Bellingham apo Rodrygo.
Mediat e ndryshme në Spanjë i kanë bërë jehonë paraqitjes fantastike të Vedat Muriqit dhe Mallorcas ndaj Realit.
“Muriqi i vendos kufijtë Real Madridit” ishte titulli i të përditshmes spanjolle Marca që vazhdoi më poshtë.
“Mallorca shkatërroi algoritmet që i dhanë Madridit trofeun e ligës para se të fillonte sezoni i ri. Përballë fantazisë së Rodrygos dhe BMV-së (Bellingham, Mbappe dhe Vini Jr), mjaftuan qendrat anësore dhe Muriqi për të vënë kampionin në vend të tij”, ka shkruar ndër të tjera “Marca”.
“Mallorca e Muriqit hakon Real Madridin dhe i jep atyre tronditjen e parë”, ka shkruar gazeta “Sport.es”.
© SYRI.net