‘Ishim gati, por s’na pyetën fare’/ Ministri i Sportit të Kosovës reagon ashpër ndaj bashkëpunimit Shqipëri-Serbi

‘Ishim gati, por s’na pyetën fare’/ Ministri i Sportit të Kosovës reagon ashpër ndaj bashkëpunimit Shqipëri-Serbi

15:39, 15/05/2024
A+ Aa A-

Javën e kaluar, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) zyrtarisht shpalosi kandidaturën për organizimin e Kampionatit Evropian të Futbollit Euro 2027 për grupmoshat U21.

Por, ky kandidim u bë duke bashkuar forcat me Serbinë, lajm ky që ngjalli reagime të ashpra në Kosovë.

Një reagim po kaq të ashpër e ka bërë edhe ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku.

Duke folur për “KosovaPress” rreth kësaj teme, Çeku ka zbuluar se nuk ka pasur fare komunikim të Shqipërisë me Kosovës për këtë aplikim, derisa ka përmendur faktin se Shqipëria është parë si partner i padiskutueshëm kur Kosova fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare.

“Sa herë Kosova tenton të organizojë një ngjarje ndërkombëtare, adresa jonë e parë është Shqipëria, këtë e kemi treguar edhe në Lojërat Mesdhetare dhe jo vetëm dje të jemi shumë të hapur tani, për Lojërat Mesdhetare ne kishim nevojë për një shtet partner që kishte dalje në det dhe teknikisht kishte edhe opsione të tjera, por ne asnjëherë nuk kemi menduar për to, për ne Shqipëria ka qenë partner i natyrshëm, prandaj kemi shkuar vet dhe kemi insistuar që Shqipëria të jetë partneri i Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Të paktën i njëjti komunikim nuk ka ndodhur në rastin e aplikimit për U21 në futbollit e vitit 2027 nga ana e Shqipërisë”, theksoi Çeku.

I pari i MKRS-së bëri të ditur se nuk kanë pasur asnjë informatë për këtë aplikim të Shqipërisë, derisa ka hedhur poshtë pretendimet se Kosova është anashkaluar për shkak se nuk posedon infrastrukturën e nevojshme.

“Ne vetëm kuptuam lajmin kur u bë publike kandidatura formale dhe kishte një lloj konstatimi për mua pak të çuditshëm nga ana e Shqipërisë, një lloj konstatimi pa konsultim paraprak se ne nuk i plotësojmë kushtet.

Nëse flasim për vitin 2027 ne deri atëherë do t’i kemi disa stadiume të kategorive të larta që janë të gatshme për lojë dhe këtë po e them dhe këtë po e them me dinamikën e lojërave që po zhvillohen tani, është analizë e bazuar e nuk është premtim elektoral. Dinamika e punëve në teren si po zhvillohen dhe afatet e përmbylljes na tregojnë që brenda dy viteve ne do t’i kemi disa stadiume të kategorive të larta që janë të gatshme dhe besoj që me këtë, ne do ta kishim plotësuar edhe kushtin e nevojshëm minimal për të qenë bashkë-organizatore e këtyre lojërave”, shtoi i pari i MKRS-së.

Çeku theksoi se zhgënjimi ishte edhe më i madh ku u bë e ditur se Serbia nuk është e gatshme me infrastrukturën që kërkohet dhe se për këtë organizim dhe se atje sapo kanë nisur investimet në disa stadiume, andaj duke parë këtë situatë, sipas Çekut, Shqipëria është dashur të jetë më korrekte në këtë rast ndaj Kosovës.

“Reagime kishte shumë, natyrisht unë shpresoj që ato nuk prishin raportin shumë të mirë mes Kosovës dhe Shqipërisë në shumë fusha, përfshirë edhe në sport, mirëpo pak më shumë korrektësi do të ishte më mirë në këtë rast. Të paktën komunikimi të kishte ekzistuar me kohë, ne të ishim të informuar, ne ta kishim versionin tonë të transmetuar qartë në anën tjetër. Ajo çfarë ndodhi pas atij lajmi, ishin informatat se edhe Serbia në fakt nuk është ende e gatshme me infrastrukturë të futbollit për këtë organizim të vitit 2027 dhe ata tek tani janë duke investuar në disa stadiume për t’u bërë gati. Prandaj arsyetimi se Kosova nuk është e gatshme nuk qëndron sepse po del që as Serbia nuk qenka e gatshme për atë lloj organizimi”, tha Çeku në fund.

Kandidatura e Shqipërisë bashkë me Serbinë është në shqyrtim e sipër dhe se vendimi pritet të merret nga UEFA në javët e ardhshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco