Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Prezantohet trajneri i ri i Kosovës në festën e Pavarësisë, deklarata e parë si ‘Dardan’ e Franko Foda

Prezantohet trajneri i ri i Kosovës në festën e Pavarësisë, deklarata e parë si ‘Dardan’ e Franko Foda

16:03, 17/02/2024
A+ Aa A-

Franko Foda është trajneri i ri i përfaqësueses së Kosovës, me teknikun gjerman që u prezantua në krye të “Dardanëve”, duke firmosur dhe një kontratë 2-vjeçare.

57-vjeçari u shpreh i lumtur për këtë aventurë të re në krye të Kosovës dhe se objektivat janë një kualifikim historik në një kompeticion madhor.

“Është ditë speciale për njerëzit këtu në Kosovë, edhe për mua. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Po shikoj përpara për sfidën e re dhe jam optimist se do të jemi të suksesshëm bashkërisht. Jam i bindur se bashkë me njerëzit, bashkë me Federatën do t’ia dalë. Qëllimi im është të hy sa më shpejt në rrjedhje të ekipit. Po përgatitemi për ndeshjet e marsit. Pas këtyre ndeshjeve, do të kërkojmë kundërshtar më të përshtatshëm.

E kam parë stadiumin, objektin e Federatës dhe e kam pasur shumë të lehtë të vendos për Kosovën. Skuadra më duket shumë interesante, shumë atraktive dhe me pak detaje që do t’i ndërrojmë, do të kemi sukses.

Njoh disa lojtarë që luajnë në kampionatin gjerman. Njoh Rrahmanin, Muriqin, Rashican, Paqaradan. Kam parë disa ndeshje të Kosovës, kam vërejtur që luajnë me variante të ndryshme dhe do të përgatitem maksimalisht. Gjëja e parë që dua është të krijoj një raport me lojtarët dhe më pas do të vazhdojmë.

Zhegrova? Nuk jam njeri që e shoh të kaluarën. E shoh të tashmen. Zhegrova është lojtar shumë i mirë dhe do të kaloj shumë mirë me të. Kushdo që është i gatshëm të japë 100 për qind për Përfaqësuesen, është i mirëseardhur. Kushdo që performon mirë ka vend te Kosova”, ishin fjalët e Fodës.

Gjithashtu për prezantimin e gjermanit në krye të stolit “Dardan” foli dhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili u shpreh se shpreson që Foda të hyjë në historinë e Kosovës.

“Urime për trajnerin e ri. Uroj që siç është përputhur programi i tij me projektin tonë, të ketë edhe rezultate. Foda është trajneri i rezultateve. Ne këtë pjesë, duam rezultate sepse e kemi bërë zhvillimin tonë. Shpresojmë që Foda të jetë trajneri që do të ngelë në historinë e Kosovës, për ta kualifikuar në garat evropiane. Foda ka qenë në Kosovë para dy javësh. I ka parë kushtet dhe ka vendosur. Ka kontratë dy-vjeçare.

Në këto dy vjet, në këto garat e radhës, do të realizojmë programin e tij dhe kërkesat tona. Në futboll s’ka asgjë të sigurt, por ne po përpiqemi ta bëjmë punën sa më të mirë. Foda i ka duart e lira për të vendosur, po vjen me ekipin e tij, nuk do të ketë asnjë ndërhyrje, por do ta ketë mbështetjen e Federatës”, ka thënë Ademi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco