Ndeshja kundër Irlandës së Veriut, Ujkani: Nuk kemi kohë të mendojmë për humbjen...

Ndeshja kundër Irlandës së Veriut, Ujkani: Nuk kemi kohë të mendojmë për humbjen...

19:13, 07/06/2022
A+ Aa A-

Kombëtarja e Kosovës i është rikthyer stërvitjeve në stadiumin “Fadil Vokrri” në prag të ndeshjes së radhës në kuadër të Ligës së Kombeve kundër Irlandës së Veriut.

Në stërvitjen e sotme ekipi ka punuar me intensitet jo aq të lartë, teksa trajneri Alain Giresse ka punuar edhe në aspektin mental, në mënyrë që futbollistët të përqendrohen plotësisht te sfida e radhës dhe ta lënë prapa shpinës zhgënjimin e humbjes së pësuar ndaj Greqisë.

E pas stërvitjes portieri Samir Ujkani ka falënderuar tifozët që e mbështetën në ndeshjen  e kaluar, dhe u shpreh se në ndeshjen e radhës pret një rezultat pozitiv.

“Falënderoj shikuesit e pranishëm dhe ‘Dardanët’ për përkrahjen e madhe në ndeshjen kundër Greqisë. Stadiumi ishte i mbushur, por rezultati nuk ishte pozitiv, por nuk kemi kohë të mendojmë më për atë rezultat, duhet të mendojmë për ndeshjen që e kemi të enjten dhe duhet të jemi të bashkuar për të pasur rezultat pozitiv”, ka thënë Ujkani, duke shtuar: “Pas çdo humbje, sigurisht se atmosfera nuk është e mirë, por nuk kemi kohë për të menduar se çka ka ndodhur, por të jemi të gatshëm për ndeshjen që e luajmë të enjten”.

Më tej ai ka theksuar se te Kosova nuk ka çfarë të ndryshohet, thjesht duhet hyrë në ndeshje me vetëbesim dhe të jepet maksimumi. “Në lojën tonë nuk duhet të ndryshoj diçka, duhet vetëm të japim maksimumin të gjithë, ashtu siç e japim në çdo ndeshje. Meritat i marrim pas lojës, sepse rezultati gjithmonë të bën të ndihesh pozitiv. Ne duhet të luajmë për rezultat dhe shpresojmë se mund ta arrijmë të enjten një gjë të tillë. Për neve është krenari të jesh pjesë e Kosovës, sepse gjithmonë tifozët kanë qenë pas nesh. Vetëm të gjithë së bashku mund t’ia dalim të shënojmë fitore, pasi shpresat tona janë gjithnjë për ta fituar grupin”, është shprehur Ujkani.

Kosova nesër e zhvillon stërvitjen e fundit para duelit të radhës, në orën 17:30 në stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa paraprakisht në orën 17:00 do të mbahet konferenca për media.

 

 

 

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco