Valon Berisha: Në verë do rikthehem te Lazio

Valon Berisha: Në verë do rikthehem te Lazio

20:08, 18/05/2020
A+ Aa A-

Pas një kohe jo shumë të mirë te Lazio, ku e kanë shoqëruar vazhdimisht dëmtimet, Valon Berisha është transferuar në huazim te Fortuna Dusseldorf, ku zbriti në fushë në fundjavë.

Sot mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës ishte në një lidhje direkte me emisionin “FanZone”, ku foli për eksperiencën në Gjermani dhe për futbollin në kohë pandemie.

Këtë herë gjetët dy herë shtyllën, por për golin u duhet të prisni akoma?

Fillimisht ishte e rëndësishme që të riktheheshim në fushën e lojës dhe të vijonim me ndeshjet zyrtare, që na kishin munguar shumë. Ishte një ndeshje e mirë, por nuk patëm shumë fat dhe morëm vetëm një barazim.

Si ishte përballja me Klaus Gjasulën?

Ai luajti vetëm në pjesën e parë, por kemi shkëmbyer mesazhe edhe para ndeshjes, ku edhe i kam uruar fat e suksese. Ka qenë një ndeshje e mirë, ku ne ishim pak pa fat dhe ndamë nga një pikë.

Berishën më të mirë e kemi parë në Austri. Ku e shikoni veten në të ardhmen?

Dëshira është që fillimisht të rikthehem në formën më të mirë dhe mundësisht të përforcohem edhe më shumë. Kam ardhur këtu të luaj më shumë dhe të rigjej formën, ndërsa në verë pres të rikthehem te Lazio, ku ka shumë konkurrencë, por jam gati të luaj shanset e mia. Të ardhmes nuk i dihet, por kam ende edhe 3 sezone kontratë me Lazion.

Ju jeni momentalisht lojtari më në formë i Kosovës?

Unë dhe Rashica që do të luajë sonte, por edhe dy futbollistë që luajnë në Bundesligën e dytë, Halimi e Paqarada, besoj se jemi në formën më të mirë, pasi kemi disa javë që stërvitemi rregullisht dhe tani po luajmë edhe ndeshje zyrtare.

Besoni se te Lazio ju ndjekin rregullisht tani?

Besoj se po. Kam shumë mik Strakoshën, që është një djalë i shkëlqyer dhe më ka treguar se atje kanë nisur stërvitjen, por me grupe të vogla akoma.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco