Kosova nderon nga Bullgaria figurën e Fadil Vokrrit në 1-vjetorin e vdekjes

Kosova nderon nga Bullgaria figurën e Fadil Vokrrit në 1-vjetorin e vdekjes

16:31, 09/06/2019
A+ Aa A-

Nga Sofia, ku janë të grumbulluar për sfidën eliminatore të Euro 2020-ës përballë Bullgarisë, futbollistët e përfaqësueses së Kosovës kanë nderuar kujtimin e Fadil Vokrrit, në 1-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Ish-presidenti i Federatës së Futbollit në Kosovë u nda nga jeta një vit më parë, pas një sulmi kardiak.

Zëvendëspresidenti i FFK-së, Bakir Burri, ishte i pranishëm sot në hotelin ku është grumbulluar përfaqësuesja e Kosovës, teksa mbajti edhe fjalën e rastit dhe kërkoi një minutë heshtje në nderim të figurës së Vokrrit.

I lindur në 1960-ën në Podujevë, Fadil Vokrri shënoi një karrierë sportive të shkëlqyer, si sulmues me skuadra si Prishtina, Partizani i Beogradit, Fenerbahce, etj., ndërsa veshi për 3 vite edhe fanellën e përfaqësueses së Jugosllavisë.

Më 16 shkurt të 2008-ës, Fadil Vokrri u zgjodh president i Federatës Kosovare të Futbollit, post të cilin e mbajti deri në 9 qershorin e vitit të kaluar, kur edhe u nda nga jeta.

Gjatë kësaj kohe, Vokrri punoi për ngritjen e skuadrës Përfaqësuese të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizmat më të lartë të futbollit, si UEFA e FIFA.

Edhe stadiumi i Prishtinës, i cili u inaugurua pak muaj pas ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit kosovar, mori emrin Fadil Vokrri, në nderim të kontributit të paçmuar të këtij të fundit, në rritjen dhe zhvillimin e futbollit në vend.

“Këtë vit Fadil Vokrri na ka munguar shumë, por jemi munduar të ecim në të njëjtën rrugë që na diktoi ai. Fizikisht nuk ka qenë me ne, por amanetin e tij po mundohemi ta çojmë deri në fund, pasi Fadili donte kualifikimin në kompeticione të rëndësishme dhe duam t’ia plotësojmë këtë dëshirë”, tha ndihmës trajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti.

“Është një ditë shumë emocionuese për ne, pasi ka një vit që na mungon presidenti jonë, ai që na ka sjellë te kjo ëndërr, ku mund të përfaqësojmë shtetin tonë. Të gjithë e kemi ëndërruar këtë moment dhe tani e kemi për detyrë që të vazhdojmë ëndrrën e tij dhe të bëjmë këtë mrekulli, të gjithë së bashku, të kualifikohemi sa më shpejt”, tha Samir Ujkani.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco