Forma e mirë, lojtarët e Kosovës nga më të kërkuarit në merkato

Forma e mirë, lojtarët e Kosovës nga më të kërkuarit në merkato

19:31, 24/04/2019
A+ Aa A-

Forma e mirë e shumë futbollistëve të Kosovës do të bëjë që vera e ardhshme të jetë shumë e nxehtë sa i përket transferimeve.

Më së paku 8 futbollistë do të ndryshojnë skuadrat dhe shumica prej tyre do të ngrihen në një nivel më të lartë të futbollit.

Duke nisur nga portierët, Samir Ujkani, Aro Muric dhe Visar Bekaj. Ky i fundit po numëron ditët e fundit të qëndrimit te Prishtina, pasi ka disa oferta nga skuadra të ndryshme në Evropë dhe dëshiron që të largohet nga Kosova.

Situata e Samir Ujkanit te Rizespori nuk është e mirë. Ai ka mbetur vetëm simbolikisht lojtar i skuadrës turke, sepse që nga janari nuk është përfshirë në asnjë ndeshje dhe në afatin e ardhshëm kalimtar do të largohet. Preferencë e tij mund të jetë liga e dytë italiane, Serie B.

Aro Muric i Manchester Cityt, është zgjedhja e dytë e trajnerit Pep Guardiola, por si 20-vjeçar, portieri kosovar dëshiron më tepër hapësirë dhe pritet që të huazohet tek ndonjë skuadër tjetër në Angli për të luajtur më tepër.

Për mbrojtësin Mërgim Vojvoda ky edicion ka qenë më i miri në karrierë, sidomos me Kosovën, ku ka pasur paraqitje të mira që u kanë rënë në sy agjentëve të futbollit.

Anëtari i skuadrës belge Mouscron ka pranuar që ka oferta nga skuadra të Bundesligës dhe Ligës franceze, dhe qershori pritet ta gjejë atë në një klub të ri.

Formë në ngritje ka pasur edhe mesfushori Benjamin Kollolli, që të Kosova është aktivizuar si mbrojtës i majtë.

26-vjeçari gjatë gjithë karrierës së tij ka qenë pjesë e futbollit zviceran. Vitin e kaluar ishte transferuar te Zurichu dhe padyshim ky ka qenë sezoni më produktiv për të, edhe te Kosova ku ishte vendimtar me disa gola të realizuar në Nations League.

Florent Hasani u grumbullua me Kosovën për herë të parë muajin e kaluar.

Mesfushori që aktualisht aktivizohet te skuadra hungareze Diosgyar, ka marrë oferta nga disa skuadra dhe në verë pritet të largohet nga Hungaria.

Edhe sulmuesit e Kosovës sivjet kanë qenë në formë të mirë. Sidomos Vedat Muriqi dhe Lirim Kastrati.

Agjenti i Vedat Muriqit e ka pranuar se përveç ofertave nga Fenerbahce dhe Beshiktash, 25-vjeçari kërkohet edhe në Gjermani e Itali. Sivjet Muriqi ka realizuar 13 gola dhe 7 asistime në Superligën e Turqisë.

Sipas të gjitha gjasave në merkaton e verës ai do të largohet nga Rizespori.

Për trajnerin Bernard Challandes gjithë këto lëvizje do të jenë shumë pozitive, sepse ky është tregues që shumica e futbollistëve kosovar po shënojnë ngritje të theksuar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco