Fajtori për barrikadat ka emër: Aleksandër Vuçiç! Qëllimi është ndarja e Kosovës!

Fajtori për barrikadat ka emër: Aleksandër Vuçiç! Qëllimi është ndarja e Kosovës!

Nga Enver Bytyçi - 29/12/2022

“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, tha presidenti Vuçiç pas një takimi me përfaqësuesit e serbëve në Rashkë vetëm 10 km larg kufirit me Kosovën. Shefi i barrikadave, ai që i ngriti ato në stilin e viteve 1990 në Kroaci e në Bosnjë, urdhëroi edhe që të hiqen brenda 24 orëve ose 48 orëve. Shkurt, para vitit të Ri 2023. Vuçiç u takua në Rashkë jo me serbët e veriut të Mitrovicës, as të enklavave serbe në jug të Ibrit. U takua me kriminelë, me banditë, kontrabandistë, me shkelësit e ligjeve dhe të rendit kushtetues në Kosovë. I garantoi këta banditë se “Asnjë prej jush nuk do të dënohet për veprën kriminale që keni bërë’, sepse krimi, ashtu si rrena, për presidentin e Serbisë është “detyrë patriotike”! Të shohim se çfarë detyre është ndëshkimi i krimit për institucionet e Kosovës!

Por pas urdhrit për heqjen e barrikadave erdhi edhe kërcënimi i radhës. Presidenti serb artikuloi sërishmi idenë e ndarjes së Kosovës. “E di se njerëzit tanë nuk do të jenë kurrë të kënaqur derisa nuk e kanë të qartë se jetojnë në Serbi dhe jo në një shtet tjetër”, tha ai. Autoritetet e Kosovës dhe diplomacia shqiptare në Shqipëri (nëse ka një të tillë) duhet ta marrin këtë fjali, ta përkthejnë në të gjitha gjuhët e botës dhe ta adresojnë në të gjitha qendrat ndërkombëtare, te Fuqitë e Mëdha, te shtetet mike dhe partnere, madje dhe te shtetet mos-njohëse të Kosovës, si dhe te organizatat ndërkombëtare. Ferit Hoxha në KS të OKB-së duhet ta bëjë këtë deklaratë objekt të diskutimit në këtë Këshill. Këto vende, sidomos ato mosnjohëset, janë më të shqetësuara nga përpjekjet e Beogradit për ndarjen e Kosovës, sesa nga shpallja e pavarësisë së saj. Ndarja e Kosovës u krijon atyre precedentin e ndarjes së rajoneve të ndryshme. Prandaj njoftojeni në të gjitha kanalet dhe me të gjitha mjetet fjalinë e mësipërme të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç!

I duhet thënë botës mbarë, edhe kinezëve, se me ndarjen e Kosovës legjitimohet ndarja kudo në rruzullin tokësor. U duhet dërguar mesazhi i Aleksandër Vuçiçit për këtë. Ndryshe kriza do të përsëritet dhe barrikadat do të ringrihen. Presidentja Osmani e tha se Serbia ka për qëllim ndarjen e Kosovës. Madje ajo tha se sa më afër zgjidhjes së konfliktit shkojmë, aq më e dhunshme bëhet Serbia përmes grupeve të saj kriminale, me qëllim ndarjen e veriut të Mitrovicës.

Por ta thuash këtë është thjesht një konstatim. Fajtori për barrikadat dhe politikat e ndarjes së Kosovës ka një emër. Ai është Aleksandër Vuçiç. Ai, ndërkohë, ka dhe ndihmësit e tij në Prishtinë e në Tiranë. Fatkeqësisht ka gjithashtu ndihmës që ndoshta pa vetëdije e ndihmojnë presidentin e Serbisë në aventurën e tij anti-Kosovë. Thjesht se “urrejnë” Albin Kurtin. Thjesht se duan të jenë vetë ose trashëgimtarët e tyre në pushtet! Madje Skënder Hyseni e quante fitore më të madhe rrëzimin e qeverisë, sesa unitarizmin e shtetit të Kosovës. Nëse dikush beson se me Skënder Hysenin në pushtet Kosova i sfidon barrikadat më mirë se me qeverinë e sotme, le ta mbështesë atë dhe sojin e tij. Por, ai është provuar si politikan luajal edhe ndaj ndryshimit të kufijve.

Megjithatë të kthehemi te thelbi i problemit. Barrikadat po hiqen nga autori që i ngriti ato. Ai që urdhëroi ngritjen e tyre, po ai urdhëroi heqjen dhe paralajmëroi ringritjen në një kohë të përshtatshme. Kjo ka një të mirë, sepse parandaloi një konflikt të nxehtë në Kosovë. Por ka të keqen e madhe, të cilën e paralajmëron Vuçiç, se ai nesër ose pasnesër do të urdhërojë sërishmi ngritjen e tyre. A është e përgatitur Kosova që kjo të mos ndodhi më?! Nëse duam t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje, atëherë duhet të jemi të sinqertë. Nuk mendoj se Kosova është e përgatitur për një gjë të tillë. Nuk besoj se qeveria Kurti është e aftë të parandalojë akte si këto. Ndoshta mund t’i largojë ato me forca e mjete të caktuara e përmes forcës. Por kjo do të kishte kosto.

Në këto kushte kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani duhet të zhvillojnë një diskutim të gjerë. Me shoqërinë civile. Me strukturat e sigurisë. Me opozitën, duke e respektuar si opozitë dhe duke i ofruar diskutim të sinqertë. Me deputetët dhe të gjithë aktorët e faktorët relevantë në Kosovë. Me politikën shqiptare në Tiranë, në Shkup, Preshevë e Bujanovc dhe Ulqin. Pse jo, edhe me miqtë e Kosovës në Perëndim, SHBA, Europë e madje dhe në rajon. Duhet një intervenim gjithëpërfshirës, me të cilin t’i jepet përgjigje pyetjes se çdo të bëhet nëse barrikadat ngrihen përsëri?!

Dhe ngritja e barrikadave mund të ndodhë shumë shpejt. Pas dy javësh ose pas një muaji. Sepse Serbia është në presion për nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare dhe para kësaj dëshiron ndarjen faktike të Kosovës. Prandaj dhe dy janë e duhet të jenë detyrat imediate: Si të përcillet njëmijë herë kërcënimi i Vuçiçit për ndarjen e Kosovës te të gjithë aktorët dhe faktorët ndërkombëtarë, te shtetet dhe organizatat ndërkombëtare! Dhe si do të përballohet një situatë e tillë e ngjashme, të cilën Vuçiçi e paralajmëroi në Rashkë!

Këto dy detyra duhen kryer sot, nesër është vonë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco