Marrëveshja SHBA-Kosovë për energjinë dhe analogjia me Shqipërinë e Serbinë!

Marrëveshja SHBA-Kosovë për energjinë dhe analogjia me Shqipërinë e Serbinë!

Nga Enver Bytyçi - 29/07/2022

Kosova siguroi 236 milion dollarë grante nga SHBA-të për energjetikën. Pra grante, falas, jo kredi! Marrëveshja që u nënshkrua në Uashington me Shefen ekzekutive të Sfidave të Mijëvjeçarit, MÇ, Alice Albright (vajza e Madeleine Albright), parashikon që me këtë fond Kosova jo vetëm të vendosë në rrugën e zgjidhjes problemet energjetike në vend, por të sigurojë edhe pavarësinë energjitike, sidomos nga Serbia. Pra marrëveshja e 27 qershorit 2022 është historike nga çdo pikëpamje e sidomos në pikëpamjen e forcimit dhe konsolidimit të shtetësisë së Kosovës!

Pse ndodhi ky hap shumë i madh jo vetëm në marrëdhëniet SHBA-Kosovë, por edhe në rritjen e prezencës amerikane në rajon? Sepse Kosova ka një qeveri të përgjegjshme për vendin, një qeveri e cila është e angazhuar lufton korrupsionin, nuk grabit pasuritë kombëtare. Sepse Kosova ka besueshmërinë e partnerëve ndërkombëtarë për të marrë në dorë e menaxhuar jo vetëm kredi, por edhe grante, si ky për energjetikën. Sepse Kosova ka aftësinë menaxhuese të këtyre fondeve.

E kundërta ndodh në Shqipëri. Qeveria shqiptare nuk ka mundur asnjëherë të sigurojë një fond kaq të madh falas për zhvillimin e vendit. Nuk ka mundur madje të sigurojë kredi të buta. Dhe kjo është kosto shtesë që qytetarët shqiptarë paguajnë për keqqeverisjen e tyre. Shqipëria këto kohë po vuan kriza të shumta për shkak se aktorët evropianë dhe amerikanë nuk janë të gatshëm të shpenzojnë para për qeveritarë, të cilët i grabisin paratë në mënyrë të paskrupullt.

Kur kemi analizuar shkaqet pse Rusia nuk e dëshiron një Ukrainë fqinjë anëtare të NATO-s e BE-së, kemi përdorur logjikën se Kremlini ka frikë se më pas demokracia dhe liria ukrainase injektohen te qytetarët rusë. E njëjta gjë ndodh në raportet midis Shqipërisë dhe Serbisë nga njëra anë dhe Kosovës nga ana tjetër. Të dy këto vende, Shqipëria dhe Serbia, kanë frikë nga modeli i qeverisjes demokratike e funksionale në Kosovë. Sepse ky model injekton reagimin qytetar në Shqipëri dhe në Serbi për përmbysjen e regjimeve kleptokratike të këtyre dy vendeve.

Marrëveshja e Uashingtonit për zhvillimin energjetik të Kosovës dhe granti prej 236 milion dollarësh është shembulli se si bota e qytetëruar përkrahin dhe bashkëpunojnë me qeveritë e pakorruptuara dhe të demokracisë reale në një vend. Ndërsa për Shqipërinë e Serbinë, sado mbështetje politike të kenë Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq, nuk bëhet fjalë për një grant të tillë. As e mendon dikush në Perëndim se mund të sponsorizohen qeveritë që grabisin buxhetet e vendeve të tyre.

Serbia e sidomos Shqipëria kanë refuzuar funksionet themelore të shtetit, atë të rritjes së mirëqenies e të zhvillimit ekonomik, të sigurisë e mbrojtjes, të zhvillimit të arsimit e shkencës dhe atë të politikës së jashtme. Në fakt Serbia i ushtron këto funksione, edhe pse një shtet autoritar. Kosova i ushtron ato në kushtet e një demokracie reale. Ndërsa Shqipëria ato i ka zëvendësuar me një funksion të vetëm, atë të grabitjes së pasurisë kombëtare dhe taksave të qytetarëve!

Këto realitete komprometuese për shtetin e bëjnë Shqipërinë një republikë bananesh, një pjesë e të cilave "zhduken" nën kujdesin e shtetit ende pa mbërritur anija në bordin e portit të Durrësit. E një qeverisje e tillë që drejtohet nga piratët e detit e të tokës, nuk mund të thirret as nga MÇ e SHBA-ve, as nga ndonjë mekanizëm fondesh në Bruksel e kryeqytete të tjera të botës demokratike. Ndaj dhe Shqipëria e Serbia shohin alternativa të tjera në Lindje. Për këtë përdorin atë që Rama dhe Vuçiq e quajnë “Open Balkan”. Në fakt kjo iniciativë synon veç tjerash burime financiare alternative nga shtetet totalitare, sidomos në vendet arabe e gjetkë. Rama dhe Vuçiq e paraqesin Open Balkan si modelin e Organizatës së të Paangazhuarve të Titos dhe e përdorin si mjet për grabitjen e fondeve të sheikëve. Madje ata e thonë hapur se Ballkani i Hapur është alternativë e iniciativave evropiane si Procesi i Berlinit.

E gjitha ndodh, sepse autoritarizmi dhe sistemi kleptokratik i qeverisjes nuk i favorizon të realizojnë financime nga Perendimi. Prandaj dhe marrëveshja e nënshkruar në Uashington në prani të presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti duhet parë si shenjë vlerësimi për standardet e modelin demokratik në Kosovë. Kjo është arritja më e madhe e Kosovës pas rrëzimit nga pushteti të grabitqarëve të mëparshëm, të cilët për të mbajtur pushtetin hodhën në treg sovranitetin dhe territorin e vendit.

A ka probleme me demokracinë edhe Kosova? Për mendimin tim po. Problemet më të mëdha janë konceptuale. Pra tendenca për të kontrolluar çdo operator qeverisës në detaje me shqetësimin se "ku po gabon njëri ose tjetri"! Prirja për perfeksionizëm të çon në autoritarizëm. Prandaj dhe është e nevojshme që autoritetet e Kosovës të ushtrojnë një demokraci funksionale me zhvillimin e autonomisë së plotë dhe krijimin e mekanizmave të kontrollit për zbatimin e ligjit. Jo me metodën e "Big brother-it"!

Por sido që të jetë, Kosova është vendi më demokratik në rajon për shumë e shumë arsye. Mbi të gjitha atë e qeveris një qeveri që lufton korrupsionin e krimin e organizuar si asnjë qeveri tjetër në rajon. Prandaj qeveria dhe institucionet e Kosovës janë të besueshme. Ky besim i jep asaj kreditë politike, ekonomike, diplomatike e financiare në botë! Pikërisht këto kreditë i mungojnë qeverive të korruptuara të rajonit tonë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco