Mediat nën ‘Diktaturën e Albinit’

Mediat nën ‘Diktaturën e Albinit’

Nga Andi Bushati - 15/07/2022

Në Prishtinë ka shpërthyer debati i radhës për atë që kundërshtarët e Albin Kurtit e konsiderojnë si zgjerim të tentakulave të shtetit të tij Çavist. Këtë herë shkak është bërë ndërhyrja në kuvend e një deputeteje të shumicës qeverisëse, që kërkoi një kontroll më të fortë të mediave nga parlamenti dhe qeveria.

Të nxituara, të pavenda dhe të gabuara, fjalët e Fitore Pacollit shërbyen edhe njëherë si shkas për ti hedhur benzinë flakës së akuzave për një mazhorancë me mendësi totalitare, që nuk e duron dot kritikën dhe mendimin alternativ.

Sikur ato të përbënin thjeshtë një gafë të dikujt që nuk e ka të qartë ndarjen e pushteteve në një rend demokratik dhe faktin se qeveritë janë të dënuara të dëgjojnë edhe atë që u duket e padrejtë, apo me të cilën nuk janë dakord, këto deklarata nuk do të kishin interes publik dhe do të shërbenin vetëm si municion për kundërshtarët e zakonshëm të Vetëvendosjes.

Por, situata nuk është kaq e thjeshtë. Ato që Pacolli tha me zë të lartë, i mendojnë shumë ministra dhe zyrtarë të kësaj partie. Frustrimi me mediat, shumica e të cilave kanë bashkëjetuar me regjimin e kaluar, duket qartë në mllefin që derdhin kundër tyre, në rrjetet sociale, idhtarët e Albin Kurtit. Ata nuk pajtohen dot me faktin që të njëjtët gazetarë që i kanë thurur lavde pushteteve të mëparshme përdorin dy standarde duke kërkuar gjilpërën në kashtë për qeverinë aktuale. Atyre u duket e papranueshme që pjesa më e madhe e pushtetit të katërt ka veshur prazmoren e militantit dhe qëndron prej kohësh në pozicion luftimi.

Por, e gjithë kjo situatë e ka një shpjegim. Që kur erdhi në pushtet, Albin Kurti i dha fund praktikës së instaluar nga PDK-ja në Kosovë dhe të përhapur gjerësisht në rajonin tonë, për të joshur, blerë dhe bërë për vete sistemin mediatik. Ai nuk ndoqi inercinë e pronarëve të TV që fitonin tendera publikë në këmbim të mbështetjes me kronika televizive dhe vendosi të mbajë një distancë higjenike, kundrejt tyre.

Kjo vijë sjelljeje i dha menjëherë frytet e veta. Vetëm në klasifikimin e 2022-shit për lirinë e mediave, ‘Reporters sans Frontieres’, e ngritën Kosovën me 17 vende, ndërkohë që për shembull, Shqipëria e Ramës, vazhdoi rokullisjen me 20 shkallë më poshtë.

Por, nga ana tjetër, ky qëndrim politik ka dhe kostot e veta të pashmangshme. Të gjithë ata që e kanë bërë zakon të rrëmbejnë pasuri publike në emër të fuqisë mediatike, shndërrohen automatikisht në armiq. Gazetarët dhe analistët të mësuar më zarfa poshtë banakut, nuk e pranojnë dot statusin e ri të atij që paguhet vetëm për punën që bën.

Është i gjithë ky koalicion i natyrshëm, që sot mban ndezur valën kritike kundër qeverisë Kurti.

Po pyetja është, sado i pa drejtë dhe i pa moralshëm ti duket ai njerëzve të pushtetit, cila duhet të jetë sjellja e tyre: ajo që sugjeron Pacolli dhe e mendojnë shumë si ajo? Regullimi nga lart? Kapërcimi i kufijve fraxhil mes forcës së qeverisë për të ndërhyrë dhe nevojës së shtypit për të pasur liri, qoftë dhe në gabim?

Personalisht, ndonëse e mbështes aksionin e qeverisë së Vetëvendosjes dhe ende kam bindjen se ajo po ndihmon që Kosova të ketë një shoqëri shumë më të lirë, më të pa korruptuar dhe më demokratike se më parë, unë jam pro atyre gazetarëve, që qoftë edhe me qëllim dashakeq, nuk lënë rast pa i përmendur Albin Kurtit qëndrimet e dikurshme për dialogun me serbët, veriun, manastirin e Deçanit, Zajdenicën dhe marrëveshjen për energjinë. Edhe në rast se me lirinë abuzohet, kjo sërisht është ku e ku më e shëndetshme sesa asfiksia dhe nënshtrimi që mbretërojnë në mediat e Beogradit apo Tiranës.

Prandaj, dilemës për rregullimin e medive nga pushteti politik i duhet dhënë fund. Ajo duhet denoncuar dhe dënuar me forcë pasi kjo është i vetmi qorrsokak që e çon qeverinë Kurti fare pranë karikaturës që i skicojnë kundërshtarët e saj.

Po atëherë çfarë duhet të ndodhë që raportimi mediatik të jetë korrekt, kritika e drejtë dhe denoncimi në interes të publikut?

Fatkeqësisht për disa, në një sistem demokratik qeveria ka shumë pak në dorë për këtë. Para saj ekziston vetëm një mundësi. As mos tentojë kontrollin më forcë të mediave, as mos përpiqet ti joshë ato. Vetëm duke qëndruar në distancë, pa u shantazhuar, por dhe pa ndërtuar marrëdhënie okulte, një shumicë politike mund të ndikojë në lirinë shtypit. Në një skenar të tillë, shumë media që janë krijuar me plan biznesi për të thithur diçka nga eurot e korrupsionit, dalëngadalë do të shuhen, ata gazetarë që e përdorin opinionin si mall do të bëhen të pavlerë, ato TV-të mëdha që janë projektuar si ndërmarje tenderuese do i kthehen luftës për audiencë për të mbijetuar në treg.

Vetëm kaq mund të bëhet nga lart, me forcën e shembullit dhe jo me shembullin e forcës.

Kjo është mënyra më e gjatë, por më e sigurtë, për të arritur tek një sistem i shëndetshëm dhe ajo kalon detyrimisht përmes durimit me nerva çeliku të atyre që skicojnë, nga mëngjesi në mbrëmje, portretin e ‘Albinit diktator’.

/Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco