Ballkani i Hapur nuk është vetëm i pamatur, është i rrezikshëm

Ballkani i Hapur nuk është vetëm i pamatur, është i rrezikshëm

Nga Edward P. Joseph - 18/06/2022

Është gjithmonë ide e mirë të vish në ajrin e pastër dhe ujërat kristal të liqenit të Ohrit, një nga vendet më të bukura në Evropë. Për fat të keq, shkaku i takimit të liderëve të rajonit javën e kaluar, Ballkani i Hapur, nuk është ide e mirë. Në fakt, nuk është as ndonjë emër i mirë. Edhe vetë zyrtarët janë konfuzë nëse emri është (në anglisht) Open Balkan (që tingëllon si urdhër, Hapu Ballkan) apo Open Balkans (që tingëllon si përshkrim, Ballkani i Hapur).

Në fakt, Open Balkan është një formë manipulimi me pjesëmarrje, ku të gjithë bashkëpunëtorët entuziastë – përveç liderit – e paaftësojnë gradualisht veten, derisa bëhen të pafuqishëm për t’i rezistuar rendit të ri. Si me çdo kult apo modë, mospërputhjet e dukshme janë lënë mënjanë.

E para është pabarazia ekonomike. Dy nga tre pjesëmarrësit, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë GDP që së bashku nuk janë as sa gjysma e pjesëmarrësit kryesor, Serbisë. Kjo do të thotë se ndërsa të tre vendet do të përfitojnë nga një treg i përbashkët (ose zonë tregtare), Serbia do të përfitojë gjithmonë më shumë.

Tregu serb është më i madh dhe gjithmonë do të jetë në gjendje të tërheqë më shumë investime të huaja (një nga synimet e tregut të përbashkët në radhë të parë) dhe të prodhojë mallra me vlerë më të lartë (për eksport brenda dhe jashtë tregut rajonal). Diferencat e pagave nuk janë të larta mjaftueshëm për të kompensuar avantazhet e investimit në ekonominë më të madhe e më të përparuar të Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor.

Me fjalë të tjera, batica i ngre të gjitha barkat, por njëra prej tyre, Serbia, do të bëhet anije.

Përkrahësit entuziastë të Ballkanit të Hapur me sa duket nuk i kanë menduar efektet e rritjes dhe produktivitetit të çekuilibruar. Kjo është befasuese sepse çekuilibrime të tilla ishin ndër nxitësit e tensionit në ish-Jugosllavi, e përmbledhur në frazën e hidhur të shqiptuar në zonat më të varfra si Kosova: Kosovo radi, Beograd gradi (Kosova punon – nxjerr lëndë të parë – ndërsa Beogradi ndërton, duke përfituar e prodhuar mallra me vlerë më të lartë).

Ekonomia politike e rajonit të sotëm të Ballkanit – e ndarë në shtatë vende të pavarura (një prej të cilëve, Kosova, nuk njihet nga Serbia apo nga Bosnja dhe Hercegovina) – është e ndryshme. Në vend të lidhjes fizike, ekonomike dhe politike, shtetet e vogla të rajonit janë shkatërruar. Unifikimi i tyre në një treg do të krijonte efikasitet, do të tërhiqte investime dhe do të rriste rritjen.

Detyra e lidhjes rajonale duhet të ishte një element themelor i strategjisë së Bashkimit Evropian për rajonin e pasluftës. Të paktën deri në vitin 2020, në Samitin e Sofjes, BE i dha përparësi bashkëpunimit dhe lidhjes rajonale, të mbështetur nga një angazhim serioz financiar – Plani Ekonomik dhe i Investimit, me vlerë 30 miliardë euro.

Samiti i Sofjes pa përkushtim nga e gjithë Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor (BP6) për një treg të përbashkët rajonal në një kuadër tjetër – Procesi i Berlinit – udhëhequr nga Gjermania dhe i lidhur integralisht me rregullat dhe normat e BE. Me fjalë të tjera, të gjitha palët e BB6 – jo vetëm tre apo katër – kishin përqafuar tashmë një treg të përbashkët rajonal, të shkrirë me synimin e anëtarësimit dhe përkushtimit ndaj vlerave të bllokut gjithëpërfshirës të BE.

Një projektim i tillë, me fuqi mbizotëruese dhe qëllime dhe vlera mbizotëruese, është antidota kundër pakënaqësive të hidhura si ato në ish-Jugosllavi. Aftësia dhe tundimi për të shfrytëzuar fuqinë ekonomike – ose për të ushqyer inatet nga përfitimet e pabarabarta ekonomike – do të zvogëloheshin përballë rritjes së përbashkët të vlerave dhe reformave të BE.

Nevoja për pushtet mbikëqyrës për të mbuluar mosbesimin ishte në thelb të Planit të famshëm Schuman, i cili ishte pararendës i BE – modeli më i suksesshëm i krijuar ndonjëherë për arritjen e rritjes ekonomike dhe bashkëpunimit politik midis armiqve të mëparshëm.

 

Pas Luftës së Dytë Botërore, Franca i druhej fuqisë së ringjallur gjermane që rridhte nga aksesi në prodhimin e qymyrit dhe çelikut në Luginën e Ruhrit dhe Saarland. Plani Schuman iu adresua shqetësimeve franceze dhe kërkesave gjermane duke e vendosur prodhimin e qymyrit dhe çelikut nën një Autoritet të Lartë mbikombëtar që përfundimisht u bë Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut, dhe më vonë Komuniteti Ekonomik Evropian, përpara se të evoluonte përfundimisht në BE-në e sotme.

Ballkan i Hapur e përmbys këtë precedent të suksesshëm në kokën e tij, duke hedhur poshtë çdo mekanizëm mbikombëtar të ndërtimit të besimit (siç është Procesi i Berlinit) në favor të reduktimit të menjëhershëm të barrierave. Filozofia themelore, e ungjillizuar nga Richard Grenell, ish-i dërguari i administratës Trump dhe tani i përqafuar nga Administrata e Bidenit, është se tregtia dhe krijimi i vendeve të punës kapërcejnë mosbesimin.

Një vështrim te Ukraina e shkatërruar nga lufta, e cila bënte shumë tregti me Rusinë deri në momentin e sulmit, e hedh poshtë këtë koncept. Po ashtu, tregtia midis Kinës dhe fqinjëve demokratikë si Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani ka shpërthyer teksa është zhytur besimi midis Pekinit dhe fqinjëve.

Kjo vlen edhe për Ballkanin. Nëse tregtia është baras me besimin, atëherë Serbia – e cila është partneri numër një i Malit të Zi për tregti, eksporte dhe importe – do ta kishte fituar tashmë besimin e partnerit të saj më të vogël. Përkundrazi, malazezët e shohin Beogradin si grabitqar.

Ajo që ka rëndësi në marrëdhëniet tregtare është karakteri i partnerit tregtar, demokratik apo autoritar. Gjermania Perëndimore u bë gradualisht fuqia më e madhe ekonomike në Evropë dhe një demokraci udhëheqëse që nuk e shfrytëzoi atë fuqi për të nënshtruar fqinjët – falë një regjimi të ndërtuar mbi interesin e përbashkët, vlerat demokratike dhe realizmin, jo mbi besimin.

Serbia e Madhe, Shqipëria e Madhe

Me Ballkanin e Hapur, SHBA po promovon një regjim tregtar që udhëhiqet me entuziazëm nga një autokrat, president serb Aleksandar Vuçiç, i cili minon rendin perëndimor për rajonin.

Para 24 shkurtit, përkrahja për BH ishte naive; pas 24 shkurtit është neglizhente. Beogradi po sfidon hapur obligimet që ka si kandidat i BE për të aplikuar sanksionet mbi Rusinë. Jo vetëm që refuzon të sanksionojë Moskën, por Vuçiç vazhdon në mënyrë aktive marrëdhënien strategjike me Vladimir Putin,një person i padëshiruar në pjesën tjetër të kontinentit dhe përtej Atlantikut.

Ministri i Brendshëm Aleksandar Vulin, goja e përjargur e Vuçiçit, sulmoi ambasadorin e SHBA Christopher Hill dhe kërcënoi SHBA për sanksionet.

Lufta e Rusisë në Ukrainë është momenti për të zgjedhur dhe deri tani Vuçiç e ka bërë zgjedhjen e tij. Autokrati serb duhet të shihet si vasal i një krimineli lufte, jo si një partner i nderuar.

Shoqëria shqetësuese me Vuçiçin ngre pabarazinë e tretë – atë mes fqinjëve të Serbisë që e kanë ngrënë Ballkanin e Hapur dhe atyre që nuk e kanë ngrënë. Përkrahësit vënë në dukje përqafimin e BH nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dhe kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, si dëshmi se dyshimet mes malazezëve, boshnjakëve dhe kosovarëve janë të pabaza. Ka një shpjegim për këtë enigmë.

Shqiptarët (në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut) dhe maqedonasit nuk ndajnë ankthet për dominimin ekonomik serb, sepse ata nuk përballen me kërcënime të drejtpërdrejta nga autoritarizmi i Vuçiçit.

Duke e parë të bllokuar rrugën drejt BE, maqedonasit janë të gatshëm të shkojnë me Ballkanin e Hapur; integrimi në BP6 shihet si mbrojtës kundër nacionalizmit grabitqar bullgar. Përveç kësaj, njohja së fundmi e Kishës Ortodokse Maqedonase nga Kisha Ortodokse Serbe ka rritur marrëdhëniet në një kohë kur identiteti maqedonas është nën sulm nga Bullgaria, gjithashtu rivalja e Serbisë.

E udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, Shqipëria mund të ketë një interes afirmativ në 'bashkëpunimin rajonal' të stilit të Ballkanit të Hapur. Me kalimin e kohës, një regjim tregtar tërësisht jashtë kuadrit të BE do ta lërë nacionalizmin serb të drejtuar tërësisht në ruajtjen e status quo-së mbi Kosovën. Ashtu siç ndodhi me planin për shkëmbime territoresh të vitit 2019, SHBA dhe BE – të mërzitura përherë nga mosmarrëveshjet e lodhshme të Ballkanit – mund të pranojnë sërish ndarjen, të nxitur nga të huajt që pretendojnë se “zgjidh një konflikt të ngrirë”.

Ndarja hap automatikisht bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, me fjalë të tjera, Shqipërinë e Madhe – një zgjidhje e pajtueshme me Serbinë e Madhe pasi Kosova të ndahet.

Nuk ka nevojë për ndonjë takim të fshehtë mes Ramës dhe Vuçiç të tipit Tuxhman- Millosheviç në Karagjorgjevo në prag të rënies së Jugosllavisë.

Nën një Beograd ekonomikisht më të fuqishëm – të pakufizuar nga kornizat e BE, përveç kandidaturës maskaradë të Vuçiç për në BE – perspektivat për njohje reciproke në dialogun e ndërmjetësuar nga BE janë edhe më të largëta. Në të vërtetë, nënshkrimi i marrëveshjes së Normalizimit Ekonomik në shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e Presidentit Trump nuk bëri asgjë për të zbutur armiqësinë e Beogradit ndaj Prishtinës, edhe pse Kosova drejtohej atëherë nga kryeministri bashkëpunues Avdullah Hoti, një ekonomist.

Publiciteti i madh i Marrëveshjes së Washingtonit u pasua shpejt nga fyerjet kundër kosovarëve (të aprovuara nga Vuçiç) të Vulin dhe ish-ministrit të jashtëm Ivica Daçiç, që të kujtonin vitet e luftës.

Rivali i Ramës në Prishtinë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është gjithashtu një nacionalist mbarëshqiptar që promovon Bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Kurti, si shumica e kosovarëve, nuk dëshiron ta shohë Kosovën të ndarë, pjesërisht sepse kjo do të përligjte politikën nacionaliste serbe nën Millosheviçin – e ringjallur te Vuçiç, një mbrojtës i ultra-nacionalistit Vojisllav Sheshel. Justifikimi i Serbisë së Madhe në Kosovë do të bënte të njëjtën gjë për ambiciet nacionaliste serbe në Bosnjë Hercegovinë dhe Malin e Zi.

Fitore për Rusinë

E gjithë kjo do të ishte një fitore për presidentin rus Vladimir Putin dhe vizionin e Putinit për Ballkanin dhe Evropën. Moska në përgjithësi mbështet iniciativat perëndimore në rajon për të cilat Kremlini beson se nuk mund të funksionojnë, si dialogu i udhëhequr nga BE, ose që çojnë përpara axhendën ruse.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, me fjalë të mëdha, kohët e fundit pohoi mbështetjen e Moskës për Ballkanin e Hapur. Ky nuk ishte rast i shkëputur. Media kryesore e Rusisë në Serbi, Sputnik Serbia, e ka promovuar në mënyrë të përsëritur Ballkanin e Hapur, siç vunë në dukje Srdjan Darmanoviç dhe Andelka Rogac në raportin e tyre CEDEM mbi Gjurmën dixhitale ruse në Ballkan. Raporti përmend një numër titujsh lavdërues të Sputnik, përfshirë edhe këtë xhevahir: “Vuçiç: Ballkani i Hapur do të funksionojë, pikërisht se askush përveç nesh nuk ka dalë me të”.

Siç e ka bërë të qartë, Ramës nuk i intereson asgjë nga këto. Për momentin, gjithçka që ai dhe përkrahësit e tjerë të Open Balkan(s) duan janë “rezultatet”. Fatkeqësisht, pavarësisht bujës rreth BH, projekti nuk ka dhënë shumë të tilla.

Avokati ndërkombëtar serb Relja Radoviç kohët e fundit ekspozoi natyrën boshe të BH të quajtur me pompozitet “Marrëveshja për Kushtet për Hyrje të Lirë në Tregun e Punës në Ballkanin Perëndimor”. Siç shpjegon Radoviç, qëllimi i supozuar i hyrjes së lirë as nuk është përpunuar zyrtarisht në terma, dhe "mbetet në nivelin e dëshirave të mira".

Edhe mungesa e progresit është zhgënjyese, sepse e gjithë ideja e Ballkanit të Hapur ishte të parakalonte ritmin e ngadaltë të Procesit të Berlinit.

Eventualisht, Ballkani i Hapur i ofron Aleksandar Vuçiçit mundësinë për të realizuar iluzionin e stabilitetit bashkëpunues në Ballkan teksa krijon kushtet për të kundërtën. Është koha për të ndaluar manipulimet dhe për të ringjallur llojin e procesit – bazuar në realitet – që çoi Francën e Gjermaninë në ndërtimin e themeleve të Bashkimit Evropian. Nuk ka asnjë arsye që Ballkani të mos shohë të njëjtin transformim.

*Edward P. Joseph jep mësim për menaxhim konflikti në Johns Hopkins School of Advanced International Studies. Ai ka shërbyer për shumë vjet në Ballkan, në të gjitha zonat e konflikteve, përfshirë qenien aktiv në Ushtrinë e SHBA. Nga 2010 në 2012, ai ishte zëvendëskryetar i emëruar nga SHBA në Misionin e OSBE në Kosovë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco