Ngazëllimi për 'tre kryeministrat' si folklorizëm i shekullit të ri

Ngazëllimi për 'tre kryeministrat' si folklorizëm i shekullit të ri

Nga Genc Pollo - 30/04/2022

Në 11 nëntor 2014 isha i vetmi në Top Show që insistoja se deklarata sensacionale e Edi Ramës një ditë më parë në Beograd nuk ishte e dobishme dhe lipsej të ishte evituar. Të ftuarit e tjerë në studio, disa syresh të afërt me Ramën e Hashim Thaçin, ishin të ngazëllyer. Rama tha disi befas në konferencë shtypi me asokohe kryeministrin Aleksandar Vuçiç se Serbia duhet të njihte Kosovën. Vuçiç reagoi me një "velika provokacija" duke shtuar se deklarata e vizitorit homolog ishte e parakorduar. Sipas pamjeve televizive Rama u prit me ngazëllim në Preshevë, ku dhuroi një pajisje modeste për maternitetin e qytezës e më pas në Kosovë. Shkak i ngazëllimit ishte deklarata e tij. 

Në Top Show thashë se e kuptoja këtë reagim si kënaqsi  "që ja tha në sy shkjaut"; por argumenti im ishte s kjo deklaratë, që nuk përmbante në thelb ndonjë qëndrim të ri të Tiranë që nga shpallja e pavarësise në Prishtinë gjashtë vjet më parë. Dhe sidomos se me psikologjinë e "inatit ballkanik" fakti që kjo "sfidë"  Beogradit i vinte nga Tirana më shumë e vononte se e afronte ditën e njohjes diplomatike të Kosovës. Për të shtuar se edhe sikur kryeministri (Rama apo kushdo tjetër) të sillej me shumë delikatesë, Shqipëria pak forcë bindëse do të kishte ndaj Serbisë në këtë çështje. 

Pa e ditur (dhe pa e synuar) kisha kundërshtuar edhe kryetarin e partisë time e asokohe liderin e opozitës: njëkohësisht në një tjetër studio televizive ai, nën presionin e pyetjeve  "a nuk ja bëri mirë Rama?", pas ca kohe e lëshoi një "epo shumë mirë ja bëri!. 

Tetë vite kanë kaluar konsensusi mbarëkombëtar i ngazëllimtarëve duhet të përballet sot jo vetëm me vazhdimin e mosnjohjes diplomatike ( këtu optimizmi do të ishte jorealist )  por edhe me përkeqësimin në shumë plane të raporteve Kosovë Serbi. Edhe pse kjo periudhë përkon me forcimin e raportit mes kryeministrit në Tiranë dhe Vuçiçit në Serbi. 

As për modesti të rreme e as për domethënien e episodit nuk do e kisha shkruar sa më lart pa më yshtur një tweet i sprasmë i Edi Ramës. Duke shprehur lumturinë që Dritan Abazoviçi ishte tashmë kryeministër i Malit të Zi Rama shtonte se kush "do ta kishte besuar dot deri dje se Ballkani me 6 shtete do të kishte 3 kryeministra shqiptarë" 
Dikush do të ishte qibar me tepri po t'i kujtonte kryeministrit artist se Ballkani ka 10 shtete (pa llogaritur Kroacinë) dhe është i ndryshëm nga Ballkani Perëndimor që ai do të ketë patur në mendje. 

Por shumëkush lipset t'i kumtojë zotit kryeministër se pershkrimi i zotit Abazoviç si i treti kryeministër shqiptar është absurd. 

Dritan Abazoviçi (patriotët e internetit po i kërkojnë që të rikthehet në mbiemrin Abazi) kryeson një parti të vogël multietnike Ura. Në kushtet e krizës qeveritare të zgjatur ai mori inisiativën për të formuar një "qeveri të pakicave".

Dhe pati sukses sepse arriti të marrë mbështetjen e disa partive të vogla, ndër to edhe përfaqsuese të pakicave serbe, shqiptare, boshnjake e kroate; por edhe të Partisë Socialiste të Presidentit Gjukanoviç e cila është më madhja në parlament. Detyrat kryesore të qeverisë Abazoviç, të cilës unë përzemërsisht i uroj sukses, janë kthimi i stabilitetit politik dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme vitin e ardhshëm. 

Por të kthehemi tek absurditeti i "kryeministrit shqiptar nr. 3" në një shtet ku minoriteti shqiptar është afro 5% sipas censusit të fundit. Imagjinoni sikur rrethanat t'a sillnin që Vangjel Dule apo Pali Kolefski (kryebashkiaku i Pustecit për ata që nuk e dinë) të bëheshin kryeministër në Tiranë. A e imagjinoni që kryeministri në Athinë e Nikosia të lumturohej publikisht  për kryeministrin e tretë grek. Po shefin e qeverisë në Shkup që të ngazëllohej në facebook se kemi një tjetër kryeministër maqedonas; apo atë në Bullgari për të tretin kryeministër bullgar (nuk po ndalemi tek sherrnaja bullgaro-maqedonase për etnicitetin). Edhe mundet. Por jam i sigurt që publiku do i shihte si deklarata qesharake; ose të paktën të ekzagjeruara. 
Presidenti Obama ishte zezaku i parë në atë ofiq. Dhe shumë afrikano-amerikanë do të jenë identifikuar me të më shumë se me presidentët e mëparshëm. Por tërë Amerika e bota nuk pa tek Obama zezakun në Shtëpinë e Bardhë por presidentin e Shteteve të Bashkuara. 
Edhe zoti Abazoviç, ndryshe nga homologët e tij në Tiranë e Prishtinë nuk i përket mazhorancës etnike; por ai  vetëm ka rastësisht e përkohësisht pas vetes atë parlamentare. Prandaj dhe shprehja se Ballkani ka tre kryeministra shqiptarë nëse është thënë seriozisht, duket absurde. 
Por Edi Rama nuk është i vetmi në këtë ushtrim absurditeti. Në rrjetet sociale vura re pafund dallgë shqiptare ngazëllimi për kryeministrin e tretë. Në fund të fundit edhe cektësia është njerëzore dhe në kohët tona imazhi po prevalon ndaj përmbajtjes. Por nëse patriotët e internetit gjetën një gëzim 24-orësh qeveritarët propagandistë ushtruan atë që romakët e quanin "bukë e cirk" e që në anët e kohët tona, ndryshe nga dymijë vjet më parë, njihet si " ngopja me lugë bosh" për të dirigjuar vëmendjen aty ku nuk prish punë.

Genc Pollo. Ish ministër e deputet

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Diplo Matsia03/05/2022 15:10

Z.Pollo, shkrimi juaj realist, është gjithashtu, patriotik shumë cilësor.

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco