Lajmi i fundit

LIVE SYRI TV/ Këndi i Pano Sokos

Mbreti lakuriq

Mbreti lakuriq

Nga Sokol Shameti - 24/12/2021

Edhe mes konfuzionit të përgjithshëm, është e qartë edhe për një analfabet kibernetik se databaza e patronazhistëve dhe ajo e pagave janë pjesë e të njëjtit sistem që po del me seri në publik.

Duket sikur një dorë ka mbledhur bashkë të dhëna që përfshijnë gjeneralitetet, numrat personalë, pagat, numrat e telefonit e plot të dhëna të tjera të cilat i ruajnë agjenci të ndryshme shtetërore dhe pastaj i ka “pasuruar” këto lista të gatshme edhe me të dhëna shtesë mbi prirjet politike të qytetarëve.

Dikur, pa leje, ky fond agregat të dhënash, ka dalë jashtë “rrethit”. Mbase dikush nga brenda i pakënaqur, dikush hakmarrës a ndoshta një idealist, po u bën të ditur konkretisht qytetarëve se ua kanë hipur si drerëve e po i shalojnë si barbarë. Se si po “i përpunojnë” duke i skeduar me gjithë dobësitë e sekretet e tyre, për qëllime që ende s’dihen por merren me mend.

Gjithçka i ngjan punës së një shërbimi agjenturor që ka motivim politik, por që po del se është edhe krejt pa sofistikim e thuajse dangall në metoda. Me ç’kuptohet ky shërbim konsiston në grupimin e të dhënave të natyrave të ndryshme për të krijuar nga një dosje dixhitale për çdo votues në Shqipëri, përmes së cilës ai që e ka në dorë aksesin aty, ka në dorë të vërtetën e kujtdo. Me një të rënë të tastierës, ky person e di se kush je ti, i biri i kujt je, ku banon, ç’fëmijë ke, ku punon e sa rrogë merr. Ai e di gjithashtu edhe se për kë voton ti e kësisoj, nëse nuk i pëlqen ajo çka ka shënuar për ty patronazhisti që funksionon si operativi i zonës, ai e di se cilat janë variantet përmes të cilave mund të të bëjë të ndërrosh mendje. Këtu futet gjithçka që shtrihet nga kërcënimi me bukën e gojës deri te joshja me një kafshatë më të madhe.

Kjo, sepse katalogimi i të dhënave personale e sidomos pagave, në duart e një sistemi të korruptuar e korruptues është gjithashtu katalogim i çmimit të secilit. Është një mjet shantazhi potencial. Një mënyrë për të ditur “hallin” e gjithkujt, shoqëruar me menunë e zgjidhjeve për ta pasur gati ofertën për këtë hall. Kjo bazë të dhënash është prova që tregon se sa kollaj është ta blesh dikë që është i shtrënguar të rrojë me thërrime nga njëra anë, e se si mund ta detyrosh të jetë “mirënjohës” dikë tjetër që me lejen tënde e nën hyqmin tënd, merr më shumë nga sa meriton.

Kësisoj është fare evidente se kjo depozitë gjigande të dhënash shumëllojëshe që po i hidhen publikut në formë “bombash” periodike, ka pasur për djep ose një parti politike ose një ent shtetëror, ose – çka është më e mundshme - një territor fluid informal ku shkrihet partia me shtetin e ku ndodh bashkimi i të dhënave për qëllime elektorale të një partie me të dhënat për qëllime shtetërore të një enti.

Nëse kjo listë nuk ka dalë nga një parti politike por nga një ent shtetëror, qytetarët duan përgjigje pse i duhet një enti shtetëror bindja politike e një qytetari. Nëse ajo ka dalë nga një parti politike e jo nga një ent i shtetit, qytetarët duan shpjegim pse një parti politike ka në dorë të dhëna mbi pagat dhe të dhënat e tjera sensitive që qytetarët ia kishin besuar vetëm shtetit.

Gjithashtu, nga publikimi i këtyre të dhënave ka dhe një dobi publike. Publikimi i bazës së të dhënave të pagave të shqiptarëve është akt i ngritjes së asaj perdeje e cila me pretekstin e privacisë fsheh padrejtësinë dhe pabarazinë që sundon mbi atë që është mjeti i vetëm i përparimit të një shoqërie: punën.

Bezdia e atyre që janë në krye, nuk ka për arsye ndonjë dalje sekreti të sigurisë a të ushtrisë (në një vend të shpartalluar e pa asnjë fije serioziteti, të cilit edhe sovranitetin ia mbrojnë të huajt).

Bezdia ndaj publikimit të “fshehtësisë” së pagave ka shqetësuar ata që janë në krye të një shteti që është i paaftë të vendosë meritokraci e që ia ka lënë çdo gjë në dorë “tregut”. Një bote kaotike ku rryshfeti, tarafi, bakshishi, “nderet” reciproke, trafiku i influencës, shkëmbimi i favoreve dhe pazaret nën rrogoz janë valuta e vetme që indekson jo thjesht nivelin e pagës së kujtdo por edhe faktin nëse dikush do të lejohet të ketë fare një pagë.

Sektori publik është sigurisht në pamje të parë më i drejti dhe transparenti. Pagat janë të mirënjohura atje. Mirëpo ekspozimi i tyre përforcon edhe një herë distancën e tmerrshme që qytetarët e shohin përditë, midis cilësisë së jetës që mund të arrihet me ndershmëri me këto paga dhe jetës reale që bëjnë shumë prej atyre që gjenden në majat e piramidës së këtyre pagave që janë gjithsesi të ulëta. 

Çiftëzimi i këtij fakti me absurditetin e pagave multimilionëshe të njerëzve të afërt të këtyre zyrtarëve, bashkëshorteve, prindërve, fëmijëve, vëllezërve e dhëndurëve të tyre në borde administrimi kompanish private që duket sikur ekzistojnë vetëm për të kanalizuar në këto “rroga” gjithë favoret e pandershme që këto kompani përfitojnë nga i njëjti shtet për të cilin këta zyrtarë pranojnë të “martirizohen” me rroga mizerabël, përbën të vërtetën e pisët të shtetit kapitalist shqiptar.

Publikimi nga ana tjetër i pagave të sektorit privat, nxori në dritë edhe një të vërtetë tjetër të paleverdisshme për shumëkënd prej të privilegjuarve nga gjendja aktuale e gjërave. Ajo tregoi sesi fabula e meritokracisë së privatit dhe e tregut “rregullues” është një tullumbac i fryrë me gënjeshtra. 

I lënë pa ndërhyrje e korrigjim publik, privati ka prirje të natyrshme të shtypë me mizori çnjerëzore ata që prodhojnë të mira e të shpërblejë me tepri ata që thjesht menaxhojnë dhe marketojnë prodhimin e të mirave. Rregulli e transparenca e pagave sipas niveleve nuk ekziston gjëkundi këtu. Kushdo paguhet, jo në varësi të drejtë të punës a shërbimit që ofron, por në varësi të spekullimit me aftësitë e veta. 

Gjithçka i ngjan një anarkie të tregut ku çdo punëmarrës që e ka shpërblimin nga rroga mjet të vetëm të mbijetesës, është i lënë vetëm e pa asnjë ndihmë në ballafaqimin e pabarabartë me zotëruesin e kapitalit, pra me atë që ka verdiktin për jetën apo vdekjen e tij. Kjo është një padrejtësi që e diskrediton pretendimin e shoqërisë sonë për përkatësi në qytetërimin perëndimor.

Një gazetar i cili gdhihet e ngryset rrugëve në acar për të prodhuar lajmin apo redaktori që kërruset me orë të zgjatura në zgafellat e redaksive, paguhet në muaj sa një fraksion ditor i rrogës së analistit që thjesht interpreton produktin e tyre nga studiot e mbrëmjes sipas një interesi të paracaktuar. Një showgirl kokëboshe paguhet dhjetë herë më shumë se autori erudit i programit të saj. Një lobist publik shpërblehet nga 30 burime okulte sa 30 vartës të tij. Kjo është një e vërtetë që vlen për çdo sektor e për të cilën madje është investuar aq shumë për ta stabilizuar si normalitet. 

Publikimi i listës së pagave ia gris maskën e shndritshme këtij “normaliteti” fals duke e nxjerrë atë përpara syve të publikut me gjithë lakuriqësinë e vet të shëmtuar. Edhe vetëm për kaq, ky është një akt emancipues, iluminues dhe edukues, ndaj të cilit shoqëria mund të sillet si sipërfaqësisht vuajariste sot, por do të jetë mirënjohëse nesër e tutje.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco