Nuk është Bullgaria, por Ramokracia: Ja si po vritet integrimi

Nuk është Bullgaria, por Ramokracia: Ja si po vritet integrimi

Nga Avni Nezaj - 07/10/2021

Samiti i BE në Slloveni duket se i ka vanë kapakun asaj që përflitej si lajm me burime, por i pakonfirmuar. Shqipëria nuk ka përmbushur kushtet për të hapur negociatat me BE.

Këtë e deklaroi në një konferencë shtypi pas takimeve kancelarja gjermane Angela Merkel. Asnjë nga vendet e Ballkanit nuk i ka përmbushur kushtet, tha ajo, duke mos bërë asnjë ndarje në mes preferencave të saj apo të ndonjë vendi të BE.

Kjo pra është panorama e zymtë ku e ka çuar vendin Edi Rama në qeveri prej 8 vjetësh e me një mandat të tretë të fituar në mënyrë të dyshimtë. 

Por nuk është vetëm Edi Rama fajtor për një situata të tillë katastrofike të integrimit të vendit në BE. Ndihma e pakursyer e dhënë nga ambasadorë të ndryshëm, nga përfaqësues diplomatikë edhe evropiane, por jo vetëm, kanë sjellë një amulli shqiptare për integrimin. I kanë dhenë një dorë Ramës në këtë plan ogurzi.

Karshillëku që Rama si “Lider Global” i bëri procesit të Berlinit me ‘Ballkanin e Hapur’ të sponsorizuar nga Soros, duket se është vetëm tulla e fundit e një ndarjeje të madhe në mes Shqipërisë dhe BE. 

Më 2013 Shqipërisë i kishin mbetur vetëm tre kushte. Pak vite më vonë u bënë 15, kjo si dhuratë e Rilindjes për shqiptarët. Pra duket se këto vitet e fundit kemi kaluar në një stad tjetër, krejt të zi.

Pak para samitit u publikuan në media edhe shkrime të cilat paralajmëronin heqjen e liberalizimit të vizave për shqiptarët, për të cilën u deshën aq mund e sakrifica gjatë 2 mandateve qeverisëse të Sali Berishës.

Sjellja prej kapadaiu e Ramës me BE dhe lidhjet e dyshimta të tij me botën e biznesit në vendet arabe është cepi tjetër i thellësisë së ajsbergut që pritet që gjatë fundosjes se tij të fundosë edhe integrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Pra Bullgaria nuk është shkaku. Shkaku është Ramokracia allaturka qe e promovon pa emocione kreu i qeverisë nën orkestrimin e ambasadorëve që edhe qeshin edhe lezetohen duke u bërë personazhe mediatike në këtë vend te vogël. Pra do kenë se çfarë t’u tregojnë pasardhësve të tyre edhe me foto edhe me video.

Teatri absurd që luan kreu i qeverisë, që ka vënë në gjumë edhe opozitën, nëse nuk është pjesë e skenarit, është sinjal anakronik i një papjekurie të qartë politike, por edhe një simbolikë e qartë e një mentaliteti bolshevik që sundon rilindjen.

Lidhjet më krimin. Lidhjet me trafiqet e drogës të eksponentëve te rilindjes dhe korrupsioni gjigant, janë bërë shkak që BE të mos e mendojë më integrimin e shqiptarëve, por t’u japë atyre statusin e partnerit, atë që turqve ua ka dhënë rreth 30 vite më parë.

Ky është krimi më i madh që po i bëhet shqiptarëve dhe aspak nga Europa dhe “problemet e saj”. 

Ngecja e procesit te integrimit, për të mos thënë ecja në krah të kundërt, po vrasin ëndrrën “Shqipëria si Europa” dhe po ringrenë në Ballkan realisht, fantazmat e diktaturave.

Mesazhi nga Sllovenia ishte i qartë. Askush nuk tha asnjë fjalë për integrimin. Por nuk u harrua të përsëritej se toka e Ballkanit i përket Europës. Gjeografikisht po. 

Kush mendon se BE nuk do ia impononte Bullgarisë të hiqte dorë nga “kushtet” për Maqedoninë është naiv dhe i paditur. Ose është i kapur nga revanshi nihilist i një kryeministri që problem më të madh të tijin ka imazhin e atleteve e benevrekëve që vesh se sa hallin e madh të shqiptarëve, rikthimin në familjen të cilës i përkasin jo vetëm gjeografikisht, Europës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco