Era e një revolucioni zgjedhor në Kosovë

Era e një revolucioni zgjedhor në Kosovë

Nga Veton Surroi - 17/02/2021

Më 14 shkurt Kosova mund të ketë ndryshuar kahun e ecjes së vet historike. Ja disa pika për analizë.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021 Kosova prodhoi një revolucion zgjedhor, duke përmbysur konceptin e deritanishëm të elitave politike në pushtet. Efekti i këtyre zgjedhjeve mund të ketë dimension të kthesës historike në vend. Ja disa pika që mund të shërbejnë për një analizë më të hollësishme.

1.

Konsensusi i vjetër: Kosova ka arritur që në formë konsistente të marrë përshkrimin e një shteti të kapur, me korrupsion endemik , institucione të sundimit të ligjit të ndikuara thellë nga politika, ekonomi të kontrolluar nga elitat kriminale-politike, me pengesa serioze për krijimin e një ambienti të zhvillimit të ekonomisë private e të punësimit, me rënie dramatike në arsim dhe përgatitje të të rinjve të vendit për tregun ndërkombëtar të punës...Lista mund të shkojë edhe më gjatë , por përmbledhur në fjalorin e shkencëtarëve politikë, Kosova ishte (është) model i një shteti ekstraktiv (nxjerrës) nga i cili pasurohen elitat në pushtet. Ky është një model i iniciuar në feudalizëm, në Kosovë u promovua me një ngjashmëri, ku partitë politike (feudet), prej të cilave disa edhe me shtrirje të feudeve territoriale, nxorën benefitet materiale për vete. Një shumicë e qytetarëve të Kosovës e perceptoi këtë si shtet, funksionet e të cilit nuk u përshtaten interesave të veta dhe votuan kundër konsensusit politik që e mbante të tillë. Ky është tashmë konsensusi i vjetër, i partive që kanë qenë në pushtet para dhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

 2.

 “Jobs and justice” si narracion i ri: Zgjedhjet e 14 shkurtit ndeshën, në formë të thjeshtësuar, dy modele narracionesh. Në njërin ishin gara për identifikim me dr. Rugovën dhe me UÇK-në, përfaqësuar nga partitë e konsensusit të vjetër, ndërsa në tjetrin ishin “punësimi e drejtësia” (që ka rezonancë marketingu amerikan kur thuhet anglisht, “jobs and justice”). Fitoi ai i punësimit e drejtësisë. Prapa kësaj parulle marketingu është një projekt tanimë konsistent e disavjeçar i LVV-së për shtet zhvillimor të së drejtës, shtet zhvillimor me drejtësi sociale. Ndryshimi mund të jetë revolucionar në diskursin publik: vlera e fjalës publike nuk do të matet me betime ndaj dr. Rugovës apo UÇK-së, por në vlerësimin e vendimeve që kanë të bëjnë me politika ekonomike e arsimore, veting në drejtësi e krijimin e sistemit të sigurimit shëndetësor... Ky ka gjasa të shndërrohet në kutin matës për opozitën e re. Ata që deri dje përbënin konsensusin e vjetër - LDK, PDK dhe AAK - duhet të ridefinohen në kushte të reja. Zgjedhjet më nuk do t’i fitojnë as dr. Rugova e as UÇK-ja.  

3.

Mandati postfeudal i shumicës: Shumica e re politike në Kosovë, e prirë nga LVVja, është e shtrirë gjithandej territorit të shtetit (me përjashtim të pjesëve të dominuara nga Lista Serbe), një ngjarje që kishte ndodhur vetëm në fillimet e demokracisë në Kosovë, me lindjen e LDK-së. Për më tepër, kjo shumicë e re është e ndërtuar si një votë shumicë dërrmuese urbane gjithandej vendit. LVV do të gjendet në situatë që ta marrë e vetme mandatin qeverisës dhe t’i prijë interesit të shumicës (apo të asaj që ajo definon të jetë interesi i shumicës). Ky është një rast që nuk ndodh shpesh, dhe kur ndodh i jep mandat revolucionar një force dhe vizioni politik. Dhe këtë rast duhet ta shfrytëzojë për të aplikuar zgjidhjet e dizajnuara për të gjitha problemet e brendshme të vendit, nga vetingu në drejtësi e deri te reforma në arsim.

4.

 Konsensusi i ri kosovar: LVV ka gjasa të prijë në ndërtimin e një konsensusi të ri, së bashku me spektrin politik që mbetet në opozitë. Këtë detyrimisht do ta bëjë nëpërmjet vendosjes së një standardi të ri qeverisës, pra një narracioni të ri si garë politike së cilës duhet t’i adaptohen partitë në opozitë. Por këtë mund ta bëjë edhe nëpërmjet vendosjes së pikave të interesit shtetëror që janë shtylla të një Kosove funksionale, demokratike dhe anëtare e familjeve euroatlantike. Në mesin e pikave me rëndësi, do veçuar tri sosh. Një , reforma kushtetuese që duhet jo vetëm të eliminojë shkaset për hamendësimet e shpeshta juridike në interpretimin e aktit më të lartë ligjor, por edhe të nxisë funksionalitetin brenda vendit duke respektuar parimet evropiane të barazisë. Dy, duhet unifikuar politikën e jashtme brenda tërë spektrit politik, duke bërë një përcaktim prioritetesh strategjike shtetërore. Dhe tre, pas një dhjetëvjetëshi mungese sensi e konsensusi për bisedimet me Serbinë, do unifikuar qëndrimet mes pushtetit dhe opozitës, përfshirë edhe mundësinë e përfaqësimit të përbashkuar.

5.

“Konsensusi” i ri i Brukselit: Në vitin 2010-2011, brenda disa muajsh, me përputhje të qëllimshme apo jo, BE-ja filloi dialogun Kosovë-Serbi. Në Kosovë u shënua “vjedhja industriale” e votave e në Këshillin e Evropës u miratua Raporti Dick Marty, që më vonë çoi në themelimin e Gjykatës Speciale. Premisa e nënkuptueshme e dalë nga kjo përputhje është se Brukseli mund (dhe dëshiron) të negociojë me një Kosovë të shantazhueshme , qoftë si përfaqësuese të krimit të organizuar (hajnia e votave), qoftë si të akuzuar potenciale për krime kundër njerëzimit. Në vitin 2021 përfaqësimi politik i Kosovës nuk është më i shantazhueshëm. Rrjedhimisht humb edhe potenciali që negociatat për Kosovën të zhvillohen me pikënisjen se pala e shantazhueshme është aty për kompensime. Me një administratë të re amerikane, që në themel është prijëse në relacionet transatlantike, tashmë është koha për një rivendosje të kornizës së negociatave Kosovë-Serbi , duke e pasur Kosovën në të si pjesëmarrëse e barabartë dhe e përfaqësuar prej një politike duarsh të pastra.

6.

Stabiliteti: ku dhe kur: Çdo revolucion është destabilizues - për rendin e vjetër - dhe ky zgjedhor mund të jetë i këtillë. Pra, do të destabilizojë rendin e vjetër kapës të shtetit, duke e reformuar shtetin që nga gjyqësia e deri në shëndetësi. Dhe kështu duhet të krijojë stabilitet në të, përfshirë edhe stabilitetin qeverisës. LVV ka gjasa të jetë partia e parë që e konsumon mandatin e vet të plotë katërvjeçar qeverisës. Kështu mund të dëshmojë se jostabiliteti politik i deritanishëm nuk ka qenë produkt i sistemit zgjedhor a kushtetues, por ka qenë produkt i një elite politike të kriminalizuar që ka hyrë në zgjedhje çdo herë që është prishur balanca e feudeve. LVV, duke e marrë pushtetin e vetme, ka gjasa që ta stabilizojë vendin dhe në përfundim të mandatit të vet katërvjeçar të ballafaqohet me një Kosovë që duket politikisht më e pjekur, me një diskurs tashmë të adoptuar “jobs and justice” dhe me një publik që do të jetë kërkues i llogarive për të gjitha premtimet e bëra tani.

7.

Një fitore e pavarësisë: Përkundër shumë presioneve, sektori i pavarur i shoqërisë, prirë nga mediat e pavarura dhe shoqëria civile, ka mbijetuar dhe mbajtur gjallë një diskurs lirie kundër kapjes së shtetit. Testi për mediat e lira – ato të pakta që nuk janë instrumente të “konsensusit të vjetër” - është që ta ruajnë relacionin kritik, duke mos u zhytur njëkohësisht në diskursin që do ta prodhojë “konsensusi i vjetër” si reagim ndaj reformës. Revolucioni zgjedhor në Kosovë dhe konsensusi i ri që ai mund të prodhojë që tani mund të ketë ndikim në fqinjësinë e Kosovës. /Marrë nga KOHA.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco