Pasojat dramatike të Isa Mustafës, të cilat i vuan partia e Rugovës!

Pasojat dramatike të Isa Mustafës, të cilat i vuan partia e Rugovës!

Nga Enver Bytyçi - 17/02/2021

Kosova dje votoi. Më saktë bëri një referendum dhe të gjithë pushtetin ia dha Lëvizjes Vetëvendosja, më të cilën është bashkuar edhe Lëvizja e Vjosa Osmanit, pasi kjo e fundit u përjashtua nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kosova dhe qytetarët e saj e shkëputën fatin e tyre nga kapësit e pushtetit, nga të korruptuarit dhe lidhjet e politikës me krimin e organizuar. E shkëputën vendimmarrjen politike e ligjore nga kushtëzimet e Listës Srpska, e cila diktonte sjelljet e qeverisë së kaluar për shkak të votave me të cilat ajo e mbante në këmbë atë qeveri. 

Lëvizja VV+V fituan mbi 48 përqind të votave. Pasi të lexohen votat me postë të emigrantëve ajo do të shkojë mbi 50 përqind. Një rezultat i paparashikuar edhe nga më optimistët. Por fitorja e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit është më shumë vepër e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, sesa e vetë fituesve të zgjedhjeve të djeshme në Kosovë. Refuzimi është arsyeja e fitores, më shumë sesa projektimi i të ardhmes. Eshtë detyrë e zotit Kurti dhe zonjës Vjosa që refuzimin ta shndërrojnë plotësisht në alternativë zhvillimi dhe progesi.
Fitorja e Vetëvendosjes dhe Lëvizjes Vjosa shkaktoi humbjen dramtike të Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe rënien drastike të Partisë Demokratike. Për Partinë Demokratike nuk funksionoi skema e "mbrojtes së çlirimtarëve" nga vetëvetja. Ndërkaq Nisma me këtë skemë e fundosi veten në fund të pusit elektoral! 
Po pse numri i deputetëve të LDK-së u përgjysmua krahasimisht me zgjedhjet e fundit të 6 tetorit 2019? Sepse Isa Mustafa as në momentet kyçe për fatin e kësaj partie nuk i ndërpreu marrëdhëniet e tij të ngushta me Hashim Thaçin, ndërkohë që ish- presidenti i vendit po përgatiste ceremoninë e varrimit të kësaj partie.
Që kur Hashim Thaçi u shfaq në skenën politike si përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën regjinë e Fatos Nanos dhe Edi Ramës, ai hartoi skemën e eleminimit politik e madje fizik të Ibrahim Rugovës dhe pas tij të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Fillimisht nxiti megallomanin Nexhat Daci që ta përçajë partinë e Rugovës dhe më pas skicoi konfliktin midis ish-presidentit të rrëzuar prej tij, Fatmir Sejdiut dhe ish-këshiltarit të tij, Isa Mustafës. Mustafa erdhi në pushtet me ndihmën e Hashim Thaçit. Hashimi aktivizoi të gjithë bashkëpunëtorët e tij në LDK, përfshirë ish-kryeministrin Bukoshi e të tjerë, me qëllim që ta largonin Fatmir Sejdiun edhe nga funksioni i kryetarit të partisë. Atëbotë pjesë e komplotit u bë edhe djali i ish-presidentit historik. Dhe skema funksionoi.

Qëllimi ishte shkatërrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nuk dihet nëse kjo skemë i është bërë e diitur Isa Mustafës apo jo. Por është evident dhe publik fakti se shumë prej nesh e kemi paralajmëruar Isa Mustafën për komplotin e Hashim Thaçit kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky komplot u shfaq në formën e ndërprerjes së qeverisjes së kryesuar në LDK dhe shkaurjes në zgjedhje të reja. Pastaj në formën e pozicionimit të Isa Mustafës në zgjedhje paraelektorale me VLAN-in dhe pas zgjedhjeve me Partinë Demokratike, akt i cili uli kreditet dhe besueshmërinë e LDK-së te qytetarët dhe elektorati. 

Kulmi i komplotit të Hashim Thaçit ishte rrëzimi i qeverisë Kurti me ndihmën e Isa Mustafës, Agim Veliut dhe Abdullah Hotit. Ndërkohë që Partia Demokratike e Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit qëndroi në opozitë dhe nuk e votoi qeverinë Hoti, Hashim Thaçi udhëtonte në mesnatë për të siguruar votën e fundit të deputetit të AAK-së për këtë qeveri. Qëllimi ishte që PDK të mos implikohej me qeverisjen dhe të shfaqej si parti opozitare. Kjo i shërbeu krijimit të përceptimit se vetëm LDK dhe jo PDK, është përgjegjëse për dështimet e qeverisjes në 20 ose së paku 13 viteve të fundit, sipas parimit "I fundit e shin lamën"!

Pjesmarrja aktive e Isa Mustafës, Agim Veliut dhe deri diku Abdullah Hotit në rrëzimin e qeverisë Kurti në fillim-pranverën e vitit të kaluar i dha fund këtij procesi dhe solli në vëmendjen e qytetarëve faktin që Lidhja Demokratike e Kosovës të jetë përgjegjëse për gjithçka kishte ndodhur më parë në Kosovë. Madje u tërhoq vëmendja dhe njerëzit filluan të harrojnë se nepotizmi, korrupsioni, lidhjet me krimin e organizuar ishin atribute kryesisht të Partisë Demokratike e më pak të Lidhjes Demokratike. Lidhja Demokratike mori vullnetarisht të gjitha përgjegjësitë e dështimeve të qeverisjeve të mëparshme, përfshirë dhe qeverisjeve të kryesuara nga vetë Hashim Thaçi.

Kjo sepse ish-presidenti Thaçi gjeti blerësin e dobiçit të vet tek Isa Mustafa. Jo vetëm kaq, por Isa Mustafa, Agim Veliu dhe të tjerë kultivuan arrogancën si mjet për të shtypur demokracinë brenda partisë së tyre, derisa e përjashtuan nga radhët e LDK-së më të merituarën e kësaj partie, Vjosa Osmanin. Duhet thënë me plot gojën se edhe Vjosa Osmani u largua dhe u përjashtua nga Lidhja Demokratike në funksion të intrigës së Thaçit dhe Mustafës për ta vetëshkatërruar LDK-në.

Tani jemi këtu, kur kjo parti, dikur 700 mijë anëtarëshe, të marrë vetëm diku te 100 mijë vota elektorale, ose 13-13.5 përqind të votave të përgjithshme të elektoratit. Partia që në vitin 2001 me Rugovën fitoi aq vota sa sot fitoi Vetëvendosja, doli në vendin e tretë, madje në përqindje më të ulët sesa AAK e Haradinajt në disa zgjedhje të mëparshme!  

Kjo është pasoja dramatike e rolit dhe intrigës së Isa Mustafës dhe askush të mos mendojë më se ai person erdhi në krye të LDK-së për interesat e kësaj partie. Ai erdhi në krye të Lidhjes Demokratike për ta shkatërruar Lidhjen Demokratike. Në këto kushte angazhimi i tij për të bërë ndryshime ditët e ardhshme në LDK është hipokrizi e pastër dhe shpreh intrigën e pabesinë e radhës. Isa Mustafën nuk duhet ta lejojnë më anëtarët e kësaj partie të afrohet te selia e saj. Ai duhet të japë dorëheqjen nga ballkoni i shtëpisë së tij dhe të mos duket asnjë çast të selia e partisë. Jo më të interferojë për ndryshime dhe angazhime të tjera në LDK! Nëse Isa Mustafa do të angazhohet përsëri në LDK, ai do të ketë mision që këtë parti ta trashëgojë te besnikët e tij. Dhe kjo do ta rrënojë edhe më shumë Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sa më shumë t'i jepet mundësi ndërhyrjeje në LDK Isa Mustafës, aq më keq do të bëhet ajo

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco