Albin Kurti në luftë me mendësinë se 'hajni i partisë sime' është 'hajdut i mirë'!

Albin Kurti në luftë me mendësinë se 'hajni i partisë sime' është 'hajdut i mirë'!

Nga Kim Mehmeti - 13/02/2021

Ata që i kanë përcjellë debatet televizive parazgjedhore në Kosovë, nuk e kanë pasur vështirë ta kuptojnë se Kosova është marrë peng nga mendësia se "hajni i partisë sime është hajdut i mirë".

Ndaj mund të thuhet se Kosova prodhoi një shtresë zhvatësish dhe zëdhënësish të tyre, një kastë individësh të privilegjuar që e thithnin gjakun e saj, por jo si shushunjat e rëndomta-atë të keqin, por më të mirin–gjakun e saj rinor.

Dhe këta mbrojtës të hajdutëve të partive të veta, më së shumti e ndihmuan popullin e Kosovës të kuptojë se sulmet ndaj ngjyrës së kuqe të VV ishte mjegull që duhej ta bënte të padukshme bojën e hajnisë, që ishte bërë shenjë njohëse e vendit e me të cilën bojë, atë e kishin "ngjyrosur", pushtetarët e deritanishëm të saj e jo VV.

Ndaj ardhja e VV-së në krye të qeverisë së Kosovës, do të thotë betejë e fituar kundër atyre që popullin e trajtojnë si një kope lehtë të manipulueshme, të cilën mjafton ta lëshosh që lirshëm ta "kullotë" varfërinë vet.

Por fitorja me votë nuk do të jetë as çereku i fitores për ta çliruar Kosovën nga zhvatësit e saj dhe "zëdhënësit" mediatikë, që tani do mbeten pa hajdutët e partisë së vet dhe që do t'i përdorin të gjitha mundësitë për ta penguar VV në betejat që e presin dhe për t’i ‘dëshmuar’ popullit sa ka gabuar që e ka mbështetur këtë parti.

Besoj se drejtuesit e VV-së e dinë se pas kësaj beteje i pret lufta e vërtetë me një ushtri drejtuesish nëpër institucionet shtetërore, të cilët vlerë të vetme kanë librezën partiake dhe të cilët do përballen me dy mundësi: o ta bojkotojnë VV, ose të tërhiqen, duke pranuar se kurrë nuk i shërbyen Kosovës, por hajdutëve të partive të veta.

Dhe armiku më i madh i Kurtit si kryeministër i ardhshëm do jetë kjo armatë e shërbëtorëve të hajdutëve partiakë. Por armik i Kurtit do jetë edhe pritshmëria e madhe e cila shkon deri aty sa të besohet se për katër vite ai do mund ta korrigjojë destruktivitetin e mbjellë në tokën e Kosovës thuajse dy dekada me radhë.

Pra VV do mund ta "dëshpërojë" popullin, jo pse nuk do bëjë të mundshmen, por pse nuk do e arrijë të pamundurën – të pritshmen, pra ta pastrojë Kosovën nga plehu politik që la pas vete "Klani Pronto" dhe "profesorët" e LDK-së, që mbuloheshin me "kapotën" e Rugovës e xhepat e së cilës i mbushnin me dollarë amerikanë, duke e dëshmuar kështu "proamerikanizmin" e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco