Shmangia: si e sëmuri Serbia, regjionin?

Shmangia: si e sëmuri Serbia, regjionin?

Nga Veton Surroi - 04/02/2021

Narracioni shqiptar ka të ngjarë të pësojë ndryshimin e vet, i pavarur prej bllokimit në Serbi. Ndryshimi do të ndodhë me një konstatim të thjeshtë që dikur kishte ndodhur në pjesë të tjera të Evropës: ende tash, 22 vjet pas luftës, flasim për luftën e jo për shtetin, jo për arsimin, jo për liritë e shëndetin?

1.

Është një pyetje që përmbledh një pjesë të madhe të ankthit të hapësirës publike të Serbisë: pse na bombardoi NATO-ja më 1999?

Gjatë këtyre 22 vjetëve i është ikur një përgjigje që mund të ishte, “sepse diçka mund të kemi bërë gabim” dhe janë ndërtuar një sërë rrëfimesh që duan të shpjegojnë një konspiracion të madh gjithandej planetit.

Në të janë shqiptarët që me para blenë kongresistë amerikanë, pastaj mashtrues boshnjakë që inskenonin se gjoja vriteshin, gjoja mbeteshin pa gjymtyrë dhe gjoja i mbushnin rrugët e trotuaret e Sarajevës me gjakun e tyre vetëm për t’i fajësuar snajperistët dhe artilerinë liridashëse të Ratko Mladiqit e më pastaj ishin kroatët që nëpërmjet kanaleve të fshehta të Vatikanit, Austrisë e Gjermanisë arritën ta zbatojnë politikën e definuar nga Bismarcku në shekullin XIX, që duke e nënshtruar Serbinë (“Rusinë e vogël”) ta pengojë  Rusinë të dalë në dete të ngrohta (Adriatik).

Përgjigja ka mundur të jetë e thjeshtë, siç e tha një zë i rrallë në Serbi, një figurë konsekuente demokratike, si Nenad Çanak: “Çdo bombë që i ra Serbisë qe prodhuar nga Slobodan Milosheviqi”. Në vend të kësaj përgjigje, të një pakice tejet të vogël, narracioni i shumicës është një grumbull konspiracionesh që i përngjan të folurit të viteve tetëdhjetë e nëntëdhjetë ku përzihen si fajtorë për Serbinë masonët, hebrenjtë, Irani, Sorosi, CIA dhe kështu me radhë.

2.
Në njërën prej analizave më të thelluara dhe inovative për krizën identitare të Serbisë, një politikolog i respektuar serb, Filip Ejdus, ndihmon me dy koncepte shpjeguese nga fusha e shkencave kognitive dhe atyre të marrëdhënieve ndërkombëtare. Një, e ballafaquar me dilemat për narracionin e vet identitar, Serbia ka zgjedhur “shmangien”. Pra, në vend të zgjidhjes së dilemës mes bombardimit dhe fajësisë e përgjegjësisë, Serbia ka zgjedhur të shmangë këtë disonancë nëpërmjet “vetëkufizimit ndaj informatës, krijimit të  mbiguiteteve apo duke kërkuar informata përkrahëse a konsistente “me besimin e vet”. Pra, në vend të përgjigjes së Çanakut, sot e kësaj dite narracioni shumicë në Serbi është se në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid (përkundër verdiktit të plotfuqishëm gjyqësor) e në Kosovë nuk ka pasur përpjekje për gjë të tillë (përkundër verdiktit të plotfuqishëm gjyqësor).

Dhe dy, “shmangia” e ka futur Serbinë në një disonancë ontologjike (të natyrës së qenies) të dilemës së përmbledhur në Kosova a Evropa. “Mbrojtja e Kosovës” e dëmton vetidentifikimin e saj si shtet bashkëkohor, liberal e i civilizuar demokratik evropian. Ndjekja e integrimit evropian po e dëmton vetidentifikimin e Serbisë si një shtet i vjetër i krishterë ortodoks.

Qasja e F.Ejdusit mbështetet te sociologu i famshëm britanik, A.Giddens, dhe teoria e tij e “sigurisë ontologjike”, pra të nevojës që si individi ashtu edhe shoqëritë të jenë të mbështjella me fshikëzën e sigurisë emocionale që mbron nga pasiguritë e kërcënimet. Serbia e ka gjetur këtë fshikëz deri më tani, duke mos u marrë me përgjegjësinë e vet dhe duke mos u përcaktuar ndaj identitetit të vet, gjegjësisht duke u fshehur pas dykuptimësive. Kështu, Kosova është dhe nuk është pjesë e Serbisë, Serbia është dhe nuk është në rrugë evropiane, Evropa e do dhe nuk e do Serbinë,

Serbia dhe regjioni janë dhe nuk janë pjesë e Evropës e Perëndimit. Kjo “fshikëz sigurie” krijon komoditetin e mosndërmarrjes së “ndonjë veprimi apo ndryshimi” (citat nga “Psikologjia e të mos bërit gjë” e Christopher Anderson). Dhe duke mos bërë gjë a mos ndryshuar ja ku jemi, 22 vjet pas luftës, me narracionin e njëjtë; Srebrenica ishte një mashtrim, vrasja e mbi një mijë fëmijëve në Kosovë një trillim, e kështu me radhë. Dhe Serbia është bombarduar, sepse kështu e ka dizajnuar në shekullin XIX i madhi Von Bismarck.

3.

Shtetet dhe shoqëritë fqinje të Serbisë e ndiejnë këtë “shmangie”. Kosova, BosnjëHercegovina, dikur Maqedonia e Veriut e tash Mali i Zi përjetojnë në lëkurën e vet krizën identitare të Serbisë. Kjo është hapësirë e konfliktit të papërfunduar, posaçërisht në rastin e Kosovës e po ashtu edhe të shteteve të papërfunduara së ndërtuari përderisa vihen në pyetje sovraniteti dhe kushtetutshmëria e Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Narracioni paralizues i “shmangies” në Serbi mund të lexohet fare lehtë në  Bosnjë Hercegovinë: në emisionet më të mençura të televizioneve boshnjake bëhen biseda të njëjta sikur para 25 vjetësh. Temë e nxehtë, sikur atëbotë, janë ende fërkimet mes Republikës Serbe dhe Federatës kroato-boshnjake, mes përfaqësuesve të ndryshëm kombëtarë, mes percepcionit për islamizimin e Bosnjës dhe rolit të Kishës ortodokse serbe...

Dhe “shmangia” e Serbisë në formën më të çuditshme dhe autoktone është adoptuar në Kosovë. Parulla e rezistencës paqësore të fillim të viteve nëntëdhjetë, të cilën e përsëriste dr.Rugova “Kosova është e pavarur dhe vetëm pritet njohja formale e saj” është shndërruar në platformë mbi një dhjetëvjetëshi të kaluar: “Kosova është e pavarur dhe vetëm pritet njohja e ndërsjellë me Serbinë”.

Parullat fshehin ndeshjen me realitetin, përfshirë edhe sjelljen e kundërt. Në fund të viteve nëntëdhjetë, Kosova duhej të pranonte shumë më pak se pavarësia në Rambouillet për të mbetur gjallë, për t’u çliruar nga NATO-ja dhe filluar një proces që do të shpinte drejt pavarësisë.
Dhe, ndërsa e ka shpallur pavarësinë me ndihmën e fuqive të mëdha perëndimore dhe është duke “pritur njohjen e ndërsjellë nga Serbia”, Kosova ka bërë veprime që e kanë dëmtuar sovranitetin dhe funksionalitetin e tij shtetëror, me një udhëheqje kleptokratike që e ka kapur shtetin dhe që ka zhvilluar negociata të papërgjegjshme në emër të tij.

Në njëfarë forme sikur edhe në Serbi e Bosnjë-Hercegovinë, narracioni paralizues pothuajse detyrimisht derivon nga lufta: në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Kosovës ende është temë debati në fushatë e në studio televizive se si e çliroi UÇK-ja Kosovën, si nuk e çliroi, gjegjësisht a guxon të thuhet se nuk e çliroi. Dhe sikur që mbetet e papërgjigjur pyetja bazike në Serbi, mbetet e papërgjigjur ajo në Kosovë: nëse jemi çliruar nga UÇK-ja pse duhet të kemi gjithë këto misione ndërkombëtare civile e ushtarake. Dhe, çka ka krejt kjo lidhje me testin PISA, vjedhjen industriale të votave, korrupsionin endemik, kapjen e shtetit?

4.

Në trekëndëshin paralizues Kosovë-Serbi-Bosnjë-Hercegovinë nuk shoh që narracioni serb do të pësojë ndonjë ndryshim të shpejtë. “Shmangia”, fundja, edhe përzgjidhet për të mos ndryshuar, dhe Serbia nëpërmjet shmangies ka arritur që të ecë përpara ekonomikisht, politikisht e ushtarakisht krahasuar me fqinjët e vet, duke instaluar njëkohësisht një sistem të autokracisë konsensuale (pra një autokracie me pajtimin e shumicës).

Por, narracioni shqiptar ka të ngjarë të pësojë ndryshimin e vet, i pavarur prej bllokimit në Serbi. Ndryshimi do të ndodhë me një konstatim të thjeshtë që dikur kishte ndodhur në pjesë të tjera të Evropës: ende tash, 22 vjet pas luftës, flasim për luftën e jo për shtetin, jo për arsimin, jo për liritë e shëndetin? 

Qe dikush që e bëri këtë konstatim në universitetet e Parisit e të Gjermanisë më 1968, 23 vjet pas Luftës së Dytë Botërore dhe lindi një lëvizje studentore evropiane për ndryshime, fillimisht me demonstrata e pastaj edhe me kuti votuese.

Kosovarët kanë shansin që t’i kapërcejnë demonstratat dhe të shkojnë drejt te kutitë votuese./ Marrë nga KOHA

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Selman Dervishi-Mani,USA.poet06/02/2021 23:00

HEU,SI E SËMURI SERBIA REGJIONIN; EU, SHI THERRFURI GJERBBIA LEGJIONIN;
PORSI,QË NGA LUFTAT SHEKULLORE; HORRZI, ZË NGA FUTAT TEMPULLORE; SHI,
SI NJË BAJLOZ I ZI; SI NJË TRAMBOZ I GRI; QË ME POROSIRA,;MË HORRORGRIRA;
KLANE RUSO SERBO GREKO JUGOSLLAVË; PLANE PUSO VËRBO FERRKO TUGO-
SHKAVE; ALEANCAT NGALEGANXAT; ÇFARROSJE GJENOCIDALË,OH,ÇRRANOSJE
ETNOCIDALË; KËSO BANDA KATSTROFALË; PËSO NGA TRANDA KANIBALË; KURRË
HË BURRË A GRUA; NGA KJO GURRË,KRUA; MBARË SHQIPTARË; BASHKË,DASHKË;
SE PAK U DUKËN,QË NA ZHDUKËN,MBI 80% POR HORR, KËRKOJNË,TENTOJNË 100%
TERË VËLLAZËRO RIHIRO FARË SHKRIPKAVRRINË; GJERË PELLAZGO ILIRO MBARË
SHQIPTARINË; PËR KËTA,TERË HATA; GJAKSORË,PRAGHORRË, QË MUNDONIN OUH,
TUNDONIN, QË TA PENGONIN, TENTONIN, MOS TË SHPËRTHEJË E VERTETA,O TERË
JETA; QË TË MBËRTHEJË E SHKRETA; SI HORRORMAMUZDE STALINIANE;OUUUH,SI
HOLOKAUSTE HITLERIANE,;AHIII, MILLOSHEVIÇIANE; POR, NA ERDHI FUNDI,DREDHI
MUNDI,TUNDI; DO RIGJYKOHËN, RISHQYRTOHËN, TERË HOLOKAUSTE SHEKULLORE
MË GJENOCIDALË,SI DHE,HORRORMAMUZDE TEMPULLORE ETNOCIDALË,FASHISTE
MË DRAZHISTE; KRYEKERIMINELË MILLOSHEVIÇIANE AHIII MOJ,MË MJERA MEJANE!.
MANI,USA.

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco